"Shqipëri-Maqedoni, të rritin shkëmbimet tregtare"

Shqipëria

"Shqipëri-Maqedoni, të rritin shkëmbimet tregtare"

Më: 17 prill 2015 Në ora: 15:38

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe ministri i Ekonomisë të Maqedonisë, Bekim Neziri, vlerësuan marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, ndërsa vunë në dukje nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Gjatë një takimi zyrtar mes tyre në Tiranë, kryetari Meta theksoi se vizita e ministrit Nezir, rikonfirmon intensitetin dhe nivelin e lartë të shkëmbimeve dypalëshe. Meta theksoi se marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Maqedonisë duhen përqendruar gjithnjë e më tepër në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare.

Nga ana e tij, ministri maqedonas i Ekonomisë shprehu mirënjohjen për angazhimin e Kuvendit në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa vuri në dukje se marrëdhëniet ndërparlamentare janë shumë të rëndësishme në rritjen e cilësisë së bashkëpunimit mes Tiranës dhe Shkupit.

Kryetari Meta dhe ministri Neziri biseduan gjithashtu më konkretisht rreth prioriteteve të përbashkëta ekonomike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, të cilat lidhen ngushtë me forcimin e ndërlidhjes rajonale.

Në përfundim të takimit, Meta shprehu mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë në intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh dhe në proceset e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat