Rama: BE, peng i frikës së zgjerimit

Shqipëria

Rama: BE, peng i frikës së zgjerimit

Më: 17 prill 2015 Në ora: 14:59

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një forum në qytetin e Vlorës, të titulluar “Europa, qëllimi është rruga”. Bashkë me të ishin të pranishëm edhe Knut Fleckenstein, raportuesi për Shqipërinë në PE, dhe Josef Ëeidenholzer, eurodeputet.

Në fjalën e tij, mbajtur në Universitetin “Ismail Qemali”, Rama theksoi se BE-ja nuk duhet të mbetet peng e frikës së projektit të zgjerimit. “Procesi i integrimit është instrument unik dhe i pazëvendësueshëm për transformimin politik, social e kulturor për vendet që përpiqen të anëtarësohen. Kemi detyrën që të mësojmë nga përvojat e shkëlqyera të vendeve të tjera. Të shfrytëzojmë këtë proces për të modernizuar vendin tonë.

Për problemet e sotme të BE-së duhet më shumë Europë jo më pak Europë. Gjithmonë e më shumë BE-ja duket peng i frikës se duke folur për projektin e madh strategjik humbet vota, qoftë në Gjermani, qoftë në Itali.

Përgjigjja për problemet sot të BE-së është më shumë Evropë. Ballkani, shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës janë po aq të rëndësishëm sa BE për ne. Mospërfshirja me shpejtësi e Ballkanit në proces integrimi dobëson Europën. Zgjerimi i hartës dhe përfshirja e Ballkanit e bën BE-në më të fortë dhe më të sigurt. Procesi i integrimit jo pse na e kërkon komisioni europian apo BE, por është e ardhmja e fëmijëve tanë”, tha Rama.

Nuk ka azil për shqiptarët në BE

Kryeministri Rama i cilësoi grupet që çojnë shqiptarë jashtë vendit me premtimin se do të marrin azil politik si kriminale. Rama tha se Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se nuk do të ofrojë azil ekonomik për shqiptarët e për këtë kërkoi që të mos mashtrohen.

Sipas kreut të qeverisë, agjencitë që çojnë shqiptarët drejt këtyre vendeve janë struktura mafioze që marrin para dhe shfrytëzojnë njerëzit për interesat e tyre ekonomike.

Fleckenstein: Ecuri mbresëlënëse me reformat

Në këtë takim, raportuesi për Shqipërinë në BE, Knur Fleckenstein ka përgëzuar qeverinë dhe kryeministrin Rama për ecurinë e reformave në vend.

“Vendi ka një ecuri mbresëlënëse në reformat e nisura. Përgëzime kryeministër, keni bërë punë mjaft të mirë! Statusi i një vendi kandidat për anëtarësim në BE është edhe detyrim; detyrim për t’i shndërruar reformat në të suksesshme.

E rëndësishme është që reformat të zbatohen me sukses, 5 prej 12 përparësive të vendosura asaj kohe janë në proces e sipër. Është e vështirë që këto reforma të trajtohen apo zgjidhen vetëm me një nisëm”, tha Fleckenstein.

Më tej, raportuesi i Shqipërisë në BE tha se raporti i tij do të votohet nga PE-ja javën që vjen dhe se ai përmban 5 prioritetet e përmendura.

“Si raportues i PE-së për Shqipërinë, raporti im do të votohet seancën tjetër në javën që vjen. Raporti bazohet në këto 5 prioritet që unë përmenda, përparësi që KE-ja dhe qeveria i ka konsideruar si thelbësore për hapjen tjetër të procesit. Shqipëria është në rrugën e një reforme të rëndësishme në administratën publike. Reforma në drejtësi do të jetë po njësoj me rëndësi dhe do të rritë nivelin e besimit të publikut në këtë sistem”, tha eurodeputeti.

Më tej ai foli edhe për korrupsionin, i cili sipas tij duhet luftuar në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat, ashtu sikurse po bën qeveria deri më tani.

“Qeveria shqiptare ka treguar kapacitet për të kryer operacione të mëdha për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Këto 5 përparësi gur themeli në rrugën drejt hyrjes në BE. Shteti i së drejtës dhe sistem i pavarur drejtësie elemente kryesore. Partitë duhet të ofrojnë alternativa për qytetarët.

Dialog politik i këtij lloji shumë më i rëndësishëm, se nuk do drejtojë qeveria e vetme anëtarësimin në BE. Procesi i anëtarësimit i përket gjithë vendit. Ne ju duam ju në BE. PE-ja e ka deklaruar se Shqipëria është pjesë e bashkësisë. Unë e di që kjo ditë do të vijë”, përfundoi Fleckenstein.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat