A do të arrestohet Xhelal Mziu?

Shqipëria

A do të arrestohet Xhelal Mziu?

Më: 11 prill 2015 Në ora: 13:43

Gjykata e Tiranës dënoi me dy vjet burg kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu, i rikonfirmuar si kandidat i Partisë Demokratike edhe në zgjedhjet e ardhshme të 21 qershorit. Trupi gjykues dha vendimin për akuzat për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera” ndaj kryebashkiakut të Kamzës dhe pas shqyrtimit të provave, Mziu u shpall fajtor. Ai u dënua me dy vite heqje lirie dhe dy vite heqje të së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike.

Seancën e drejtoi gjyqtari Besnik Hoxha, ndërsa i pranishëm në sallën e gjyqit ishte edhe vetë Xhelal Mziu, i cili vendimin e priti me nënqeshje. Nga ana e saj Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar 4 vite burg për kryebashkiakun Mziu, ndërsa pas shqyrtimit të provave, Gjykata ka vendosur të dënojë me 2 vite burg.

Gjatë leximit të vendimit, gjyqtari Hoxha tha se, kryebashkiaku i Kamzës, në kundërshtim me ligjin dhe me vendimet e Këshillit Bashkiak, kishte vendosur taksa mbi disa biznese si, taksa për zënien e hapësirës publike, për shfrytëzim hapësire, si dhe për zhvillim biznesi jashtë ndërtese. Gjykata ka dënuar me nga 6 muaj burg edhe dy punonjësit e Bashkisë së Kamzës, drejtorin e Tatimeve, Bujar Loshi dhe juristin Akli Hoti.

Arrestimi

Vendimi i Gjykatës së Tiranës për kreu ne Bashkisë Kamëz nuk është i formës së prerë. Kjo do të thotë se, Xhelal Mziu nuk mund të arrestohet pa një vendim të Gjykatës së Apelit. Avokatët mbrojtës së Mziut kanë apeluar vendimin e Gjykatës së Tiranës duke e cilësuar masën si të ndikuar politikisht. Vendimi është i paligjshëm dhe është marrë jashtë dyerve të kësaj gjykate”, u shpreh avokati Genc Gjokutaj. Nëse Gjykata e Apelit do të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës atëherë automatikisht do të ketë arrestim të Mziut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat