Erion Veliaj, drejt shpalljes si kandidat i PS-së për Tiranën

Shqipëria

Erion Veliaj, drejt shpalljes si kandidat i PS-së për Tiranën

Më: 2 prill 2015 Në ora: 10:56

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, pritet të jetë kandidati i PS-së për bashkinë e Tiranës. Ndonëse kryeministri dhe njëherësh kryetari i PSsë, Edi Rama, ende nuk e ka bërë publike listën me emrat e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, burime të sigurta brenda Partisë Socialiste thanë për gazetën “Shekulli” se, tashmë strukturat socialiste të kryeqytetit janë drejt përfundimit të përzgjedhjes së kandidatit të tyre. Sipas burimeve, Erion Veliaj është emri që strukturat e PS-së i kanë propozuar kryetarit Rama, ndërsa cilësohet si alternativa më e mirë e të majtës për t’i rikthyer dinjitetin bashkisë, pas “shkatërrimit” që iu bë nga Lulzim Basha.

Kandidaturat

Tirana, nën cilësinë e bashkisë më të madhe në vend, ka edhe peshën kryesore në këto zgjedhje, ndërsa emri i cili do të vijë nga radhët e të majtës ka pasur shumë interes, jo vetëm në media, por edhe në mbarë opinionin publik. Vetëm pak ditë më parë kryetari i PSsë, Rama zhvilloi takime maratonë me deputetët e të gjithë qarqeve të vendit. Ndërsa takimi i së hënës pasdite u zhvillua me deputetët e qarkut të Tiranës. Në përfundim të bisedës, Rama u shpreh se gara për emrin e së majtës, i cili do të kandidojë për bashkinë e Tiranës, është ende e hapur dhe se do të zhvillohen sondazhe për të arritur në një përfundim.

Gjatë atij, takimi emrat më të lakuar ishin ai i ish- kryeministrit Pandeli Majko, deputetit Blendi Klosi dhe ministrit Erion Veliaj. Por vetëm tri ditë më pas, burime nga selia rozë bënë me dije se pothuajse gjithçka është mbyllur dhe se, emri i ministrit të kabinetit i është dorëzuar kryetarit Rama. “Për bashkinë e Tiranës kemi zgjedhur një djalë impulsiv, pjesë e kabinetit qeveritar të Edi Ramës. Qytetarët e Tiranës e kanë ndjerë veten pa kryetar bashkie për 4 vjet, pasi ky i sotmi erdhi në krye të bashkisë dhe po ikën pa lënë një emër në këtë post. Të paktën t’i kishte vendosur vetes një emër, qoftë edhe për keq, por as këtë nuk arriti ta bënte dot. Erdhi duke fjetur dhe po ikën.

Në pritje të daljes së listës përfundimtare me kandidatët e majtë, sondazhet e zhvilluara në kryeqyteti nxjerrin favorit ministrin Veliaj. Ky fakt konfirmohet edhe nga burime brenda së majtës duke fjetur”, thanë burimet për “Shekullin. Në lidhje me listën përfundimtare burimet u shprehën se, ajo do të bëhet publike kryeministri shumë shpejt. “Ne në mbledhjen që patëm me deputetët e qarkut të Tiranës, i dhamë në mënyrë pothuajse definitive emrin e kandidatit për Tiranën dhe ia lamë në dorë kryeministrit ta bëjë publik”, shprehen burimet.

Ndërkohë që pas takimit Rama-Meta, gjatë të cilit u vendos edhe për bashkitë që do të propozojë LSI-ja, krerët e këtyre forcave politike nënvizuan se lista përfundimtare do të bëhej publike në datën 1 prill. Lëvizjet brenda koalicionit të majtë, si futja e PDIU-së, apo mëdyshja e të majtëve Milo-Gjinushi, bënë që lista të mos jetë ende gati. Ndërsa ndikim mund të këtë pasur edhe pritja e konfirmimit apo refuzimit të ftesës që Rama i bëri FRD-së të Bamir Topit dhe marrëveshja me PBDNJ-në e Dules.

Shtyrja e datës për nxjerrjen e listës përfundimtare u dha edhe më shumë kohë socialistëve për të zhvilluar sondazhe, sidomos në kryeqytet. Ashtu siç konfirmohet edhe nga burimet, sondazhet që po vijojnë ende në kryeqytet, nxjerrin një hap më përpara ministrin Veliaj. Ndërkohë që të majtët po zhvillojnë sondazhet edhe në qytetin e Vlorës. Nën administrimin e një firme të huaj, qytetarët e Vlorës po pyeten rreth kandidatit më të pëlqyer nga e majta.

Edhe pse sondazhet janë duke u zhvilluar ende, një garë e fortë brenda së majtës duket se zhvillohet mes mjekut Dritan Leli dhe prefektes së qytetit, Etjona Hoxha. Qytetarët vlonjatë e shohin prefekten Hoxha si një kandidate të fortë për postin e kryetarit të bashkisë dhe këtë gjë e tregojnë edhe rezultatet e sondazheve që janë në proces.

FRD mbledh këshillin për të shqyrtuar ftesën e Ramës

Fryma e Re Demokratike pritet të mbledhë sot në orën 11:00 Këshillin Kombëtar, ku do të vendosë për qëndrimin që do të mbajë pas ftesës së bërë nga kreu i koalicionit të majtë, Edi Rama, që kjo parti t’i bashkohet “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” në zgjedhjet lokale. Tri ditë më parë, kreu i qeverisë ftoi hapur, për bashkëpunim në qeverisjen lokale, edhe Frymën e Re Demokratike, pas arritjes së një marrëveshjeje paraprake me PDIU-në. Edhe pse burime pranë së majtës konfirmojnë bashkimin e FRD-së në koalicionin e majtë, kjo pritet që të zyrtarizohet gjatë ditës së sotme.

Brenda së majtës përflitet edhe për një marrëveshje paraprake mes PS-së dhe FRD-së, për t’i dhënë kësaj partie të drejtën për të propozuar kandidatin e saj në Bashkinë e Kamzës. Përpos mbledhjes së Këshillit Kombëtar të FRD-së, pritet që zyrtarizimi i marrëveshjes të bëhet pas një takimi që kreu i FRD-së, Topi do të zhvillojë me kryetarin e socialistëve Rama. Kjo procedurë u ndoq edhe në rastin e PDIU-së. Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PDIU-së, pikat mbi “i” u vendosën gjatë takimit Rama-Idrizi.

Kandidatët e PS-së për qarkun e Shkodrës

Gjatë takimit që kryesocialisti Rama mbajti me strukturat e partisë në Shkodër, u konfirmuan edhe emrat e bashkive të tjera të qarkut të Shkodrës që vijnë nga radhët e koalicionit të majtë. Kështu për zgjedhjet e 21 qershorit nga koalicioni i majtë, për bashkinë e Koplikut do të jetë në garë Tonin Marina. Ndërsa për sa i përket bashkisë së Pukës, në garë do të jetë Rrustem Struga. Ky është një emër mjaft i njohur për banorët e Pukës, pasi edhe më parë ka mbajtur postin e kryetarit të bashkisë. Struga tashmë rikthehet në garë për një mandat tjetër në krye të bashkisë dhe për ta kthyer këtë bashki në koalicionin e majtë, pas mandatit të fundit të qeverisur nga demokratët.Ndërsa për sa i përket bashkisë së Vaut të Dejës, emri i PS-së në garë do të jetë Gjokë Lleshi.

Kandidati i koalicionit të majtë për Fushë-Arrëzin do të jetë Fran Uci.

Ndërsa gjatë këtij takimi, kreu i PSsë, Rama ka rikujtuar edhe njëherë tjetër që të gjithë këshilltarët e rinj bashkiakë nuk do të kenë statusin e nëpunësit civil. Duke u bërë thirrje të gjithë socialistëve që nëse duan të futen në garë për të qenë pjesë e këshillave bashkiakë, duhet të heqin dorë nga statusi i nëpunësit. Kryesocialisti Rama në takim me strukturat nënvizoi domosdoshmërinë e fitores, jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por në të gjithë qarkun e veriut.

Kryesocialisti Rama iu kujtoi strukturave të qarkut të veriut numrin e vogël të të punësuarve. Ndaj u bëri thirrje edhe një herë që të jenë të organizuar deri në detaje, me qëllim arritjen e fitoreve dhe fillimin e një ere të re për qarkun e veriut. Gjithashtu është rikonfirmuar fakti se, jo vetëm për Keti Bazhdarin, por për të gjithë kandidatët e të majtës në qarkun e veriut, do të ketë një mbështetje të plotë nga socialistët dhe i gjithë koalicioni.

Rama konfirmon, Bazhdarin kandidate për Shkodrën

Keti Bazhdari do të jetë kandidatja e koalicionit të majtë për qytetin e Shkodrës në zgjedhjet vendore të 21 qershorit.Emri i Bazhdarit u konfirmua nga vetë lideri i PS-së, Rama gjatë takimit që pati me strukturat socialiste në Shkodër. Sipas Ramës, Bazhdari është kandidatura më e mirë që do e çojë drejt fitores koalicionin e majtë në Shkodër. Në takimin me dyer të mbyllura të mbajtur në ambientet e teatrit “Migjeni”, kryeministri Rama është shprehur se sipas të gjitha anketimeve të bëra nga Partia Socialiste në Shkodër, Keti Bazhdari është figura më e mbështetur.

Ndërsa Megi Ajtyresa nuk do të jetë më kryetarja e PS-së në Shkodër, pasi do të marrë rolin e zëdhënëses së PS-së gjatë fushatës në qendër.Paulin Sterkaj, Mimoza Hafizi dhe Namik Kopliku janë deputetët e Shkodrës, që do të merren me të gjithë anën organizative të fushatës zgjedhore. Deputeti Namik Kopliku do të mbajë kontaktet me strukturat e partisë në Shkodrës, Mimoza Hafizi do të mbulojë pjesën propagandistike të kandidates së Shkodrës, ndërsa Paulin Stërkaj do të jetë përgjegjës

Rama konfirmon, Bazhdarin kandidate për Shkodrën për të gjithë fushatën në Shkodër. Nga ana tjetër Rama ka premtuar se stadiumi “Loro Boriçi” do të inaugurohet me kryetaren e re të bashkisë Shkodër, Keti Bazhdari, duke shprehur një bindje tek fitorja e saj. Ndërsa i pranishëm në takim ishte edhe deputeti i LSI-së për Shkodrën, Agron Çela. Kjo për të shprehur mbështetjen e LSI-së ndaj kandidaturës së Keti Bazhdarit, si pjesë e koalicionit të majtë.

Kryeministri Rama nga Shkodra preku edhe çështjen “Doshi”, duke u shprehur se përjashtimi i tij ka ardhur për shkak të papërgjegjshmërisë së deputetit. Rama është shprehur se ka pasur miqësi me Tom Doshin, por sipas parimit të tij, puna vendoset përpara miqësisë. Kandidaturën e Bazhdarit e mbështeti edhe nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe. “Keti Bazhdari, si kandidate e PS-së dhe e mazhorancës për të drejtuar një super qytet si Shkodra, më përfaqëson. Po ç’duhet të bëjmë përballë atij “veriu blu” të marrim Tarzanin? Jo zotni, një zonjë qytetare dhe një njeri që punon e ka ngritur çdo gjë nga puna!! Kaq duhet për mua që të më përfaqësojë”, shkruan Braçe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat