BSH: Në 6-mujorin e II të 2014 problem mbeten kreditë e këqija

Shqipëria

BSH: Në 6-mujorin e II të 2014 problem mbeten kreditë e këqija

Më: 1 prill 2015 Në ora: 19:35

Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës ku shqyrtoi dhe miratoi “Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2014” dhe “Deklaratën e Stabilitetit Financiar” për të njëjtën periudhë, si pjesë të tij.
Nën drejtimin e Guvernatorit Gent Sejko në mbledhje është vlerësuar se gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2014, gjendja dhe ecuria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar u paraqit e qëndrueshme.

BSH ka vlerësuar se vëllimi i aktivitetit është zgjeruar dhe situata financiare është përmirësuar me tej. Siç bëhet e ditur, Këshilli Mbikqyrës thekson se cilësia e portofolit të kredisë është përmirësuar në fund të vitit, ndonëse niveli i kredive me probleme vazhdon ende në nivele të larta.

Pikërisht për BSH problem mbeten ende kreditë e këqija, i cilësuar edhe si shqetësimi kryesor për financat e vendit. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë, nënvizon se së bashku me qeverinë shqiptare dhe në bashkëpunim me FMN-në, do të angazhohet në nismën për të rishikuar procesin e administrimit dhe të zgjidhjes së kredive me probleme, në të gjitha aspektet e tij, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë e të qëndrueshme.

Në vazhdim, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë analizoi dhe miratoi ndryshimet e propozuara në lidhje me:

* Rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë nga bankat dhe degët e bankave të huaja”.
* Rregulloren “Për kërkesat minimale të publikimit të informacionit nga bankat dhe degët e bankave të huaja”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat