Basha kërkon largimin e Sajmir Tahirit

Shqipëria

Basha kërkon largimin e Sajmir Tahirit

Më: 1 prill 2015 Në ora: 17:33

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur sot grupin parlamentar, ku është diskutuar për zhvillimet më të fundit në vend, sidomos për çështjen e arrestimit të dy depuetëve Doshi dhe Frroku.

Për gjithë këtë situatë Basha bëri përgjegjës ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri dhe kryeministrin Edi Rama, të cilët sipas tij fshehën urdhërarrestin e Belgjikës për Frrokun. Sipas kreut të opozitës shqiptare Sajmir Tahiri duhet të jap dorëheqjen një orë e më parë.

Basha: Sajmir Tahiri, ministër i Brendshëm është një mallkim për vendin

"Dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë (Artan Didi) nuk është mbajtje përgjegjësie, siç tentojnë ta servirin Rama dhe Tahiri i tij, është një marrëveshje, është vazhdim i paktit kriminal për të varrosur përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Sajmir Tahirit dhe të Edi Ramës. Ministri i Brendshëm dhe shefi i tij kryeministër kanë përgjegjësinë kryesore, të tjerët janë thjesht bashkëpunëtorë dhe zbatues të urdhrave. Ndaj përsërisim sot kërkesën tonë për dorëheqjen e Sajmir Tahirit nga posti i Ministrit të Brendshëm. Me aktin e fundit Sajmir Tahiri vulosi degradimin përfundimtar të Policisë së Shtetit, një orë më shumë në detyrë e këtij palo ministri, është një orë më shumë e krimit në sistem e sundimit të lidhjeve kriminale. Sajmir Tahiri ministër i Brendshëm është tashmë një mallkim për vendin, për rendin, për sigurinë e çdo shqiptari,” tha Basha.

Basha më tej u shpreh i vendosur të vijojë betejën me krimin, por nuk harroi të përmendë ofertën e re të Partisë Demokratike për qytetarët që konsiston në; ulje taksash, ulje çmimesh, mbështetje reale për punë, siguri e dinjitet./E.Duraj/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat