Kryesia e PR: Duka u propozua nga Basha

Shqipëria

Kryesia e PR: Duka u propozua nga Basha

Më: 1 prill 2015 Në ora: 09:15

Kryesia e PR-së vendosi që Asambleja Kombëtare brenda 10 ditëve të vendosë, bazuar mbi propozimin e kryesisë për kandidatët për kryetarë bashkie dhe këshilltarë të Partisë Republikane që do të garojnë në 61 bashki.
Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu deklaroi dy ditë më parë se kandidatura e Agron Dukës për Durrësin ishte pranuar nga vetë kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Por në mungesë të një reagimi nga PD-ja për këtë qëndrim, kryesia e republikanëve e ka ritheksuar akoma më shumë këtë fakt.

“…Ne nuk kemi kërkuar apo imponuar asnjë kandidat, apo bashki të veçantë për shkak të interesit të PR-së, por kemi ofruar kandidatë të cilët mendojmë se kanë shanset për të fituar në emër të opozitës dhe kemi vlerësuar maksimalisht që një pjesë e tyre kanë qenë të propozuar nga vetë Partia Demokratike, siç është rasti i z. Duka”,- thuhet në vendimin zyrtar të kryesisë së PR-së.

Republikanët theksojnë gjithashtu se, “nëse nisemi nga praktikat e mëparshme të koalicioneve dhe parimit të proporcionalitetit, ne atëherë duhej të kërkonim të kandidonim bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të fundit lokale me rreth 20% të bashkive, gjë që nuk e kemi kërkuar sepse për ne më shumë se kandidaturat apo kandidimi i PR, vlen një fitore e së djathtës, prandaj kemi propozuar që pjesë e garës të bëhen edhe intelektualë jashtë strukturave të partive opozitare”.

Megjithatë, kryesia e republikanëve ka dalë më tone më të zbutura sesa Mediu dy ditë më parë duke i dhënë afat PD-së plot 10 ditë për të firmosur një marrëveshje me këtë forcë politike. “…Partia Republikane prej kohësh i ka dërguar Partisë Demokratike më se njëherë marrëveshje me shkrim, pa pasur një përgjigje konkrete.

Në këto kushte Kryesia vendosi:1) Asambleja Kombëtare brenda 10 ditëve të vendosë, bazuar mbi propozimin e kryesisë për kandidatët për kryetarë bashkie dhe këshilltarë të Partisë Republikane që do të garojnë në 61 bashki; 2) përfundimin e të gjitha kandidaturave për administratën zgjedhore dhe regjistrimin e tyre sipas afateve të përcaktuara në ligj; 3) Partia Republikane si forcë e opozitës, shpreh vullnetin dhe angazhimin e saj me çdo faktor politik i cili orientohet nga parimet e bashkëpunimit transparent dhe interesit reciprok, me qëllim garantimin e suksesit jo të një subjekti por të popullit opozitar”, – thuhet në vendimin e kryesisë.

Republikanët kujtojnë gjithashtu se zvarritja e diskutimit dhe vendimmarrjes si opozitë e bashkuar, do të krijonte kosto jo të vogla duke mos i dhënë mundësi kandidatëve që të zhvillojnë normalisht fushatën e tyre elektorale. PR dhe PD kanë një histori të marrëdhënieve politike dhe elektorale prej 24 vjetësh sa në opozitë aq edhe në qeverisje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat