Arrestimi i dytë i Frrokut, votohet nesër

Shqipëria

Arrestimi i dytë i Frrokut, votohet nesër

Më: 1 prill 2015 Në ora: 08:48

Debate mes kreut të Kuvendit, Ilir Meta dhe anëtarëve të opozitës në Këshill. Frroku mohon akuzat, ndërsa avokatët flasin për shkelje procedurale në kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme.

Këshilli i Rregullores së Kuvendit dha dje sërish lejen për një arrestim të dytë të deputetit Mark Frroku, i cili prej së shtunës është në arrest shtëpie me akuzën e “kallëzimit të rremë” në atë që quhet çështja “Doshi”. Kërkesa e dytë për Frrokun vjen pas lëshimit në janar të këtij viti të një urdhër-arresti ndërkombëtar në drejtim të tij nga autoritetet në Belgjikë.

Seanca u drejtua këtë herë nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, me gjithë kundërshtimin e opozitës që e akuzoi se ishte në konflikt interesi. Në fakt, një pjesë e mbledhjes u zu me debatet dhe kërkesat e opozitës sa i përket akuzave që ata kanë ndaj kreut të Kuvendit.

Mark Frroku u paraqit dje në kryesinë e Kuvendit i shoqëruar prej policisë, për të dalë përpara kolegëve të tij në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në lidhje me kërkesën e dytë për arrestim, dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme.

I dyshuar për një vrasje të 16 viteve më parë në Belgjikë, Mark Frroku është vendosur sërish nën hetim nga organi i akuzës, akuzë të cilën ai e mohoi kategorikisht në të parën deklaratë për këtë ngjarje përpara kolegëve të Parlamentit. “Nuk kam qenë fare në Belgjikë në atë kohë kur thuhet.

Kam udhëtuar në vendet e zonës Shengen lirshëm dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme nga sistemi TIMS. S’ka asnjë kërkesë ndaj meje”, – deklaroi Frroku. Deputeti i Shkodrës ka sqaruar edhe një tjetër të dhënë të publikuar në media, sipas të cilave familja e tij dhe e viktimës janë takuar për këtë ngjarje.

“Është e vërtetë se familjarët tanë, në bazë të së drejtës zakonore kanë pasur një takim, jo ai që ka dalë në media, dhe është sqaruar kjo punë sepse ata kishin ankesat e tyre dhe babai im, thashë edhe njëherë, është 85 vjeç, dhe u është përgjigjur atyre me të drejtën zakonore”, – deklaroi Frroku, ndërsa tha se ai vetë do i përgjigjej vetëm ligjit.

Frroku tha se ai nuk kishte ndërmend t’i fshihej drejtësisë, ndërsa theksoi se kishte udhëtuar së fundmi në SHBA dhe se dyshonte se ndaj tij nuk kishte një urdhër arresti ndërkombëtar. Dy avokatët e tij në këtë çështje gjithashtu mohuan akuzat ndërsa thanë se kërkesa ishte e paplotë.

Avokati i Frrokut, Saimir Vishaj tha se Ministria e Drejtësisë është anashkaluar në këtë çështje, ndërsa theksoi se “kërkesa s’ka asnjë dokument bashkangjitur…”. Vishaj tha se procedimi penal po pretendohet vetëm bazuar në opinionin mediatik. “Akuza t’i tregojë një akt që vërteton që ka ndodhur ndonjë fakt ose ngjarje në shtetin belg”, tha ai.

Avokati tjetër Genc Gjokutaj tha se procedimi herën e kaluar në lidhje me Frrokun për një çështje tjetër ka hapur një praktikë jo të rregullt ligjore. “Sekreti hetimor…sekreti hetimor është për opinionin publik dhe median…e jo për personin që procedohet se e bën joefektive mbrojtjen…thuhet nga ‘hetimet e deritanishme në Bruksel’, jo zotëri është një proces që është në vazhdimësi, jam i kuriozuar se si mund të procedohet kur çështja është në vazhdim…”, – tha Gjokutaj.

Ndërkohë, prokuroria ka sqaruar versionin e saj të çështjes, mbështetur kryesisht në urdhër-arrestin dhe materialet e homologëve belgë. Gjatë seancës prokurorja që ka mbrojtur çështjen dhe kërkesën për një urdhër-arresti të dytë, nuk ka pranuar të bëjë publike për deputetët prova, ndërsa u ka kërkuar që nëse këmbëngulnin duhej të firmosnin një deklaratë konfidencialiteti.

Debatet e plota në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin

Meta: Mund të vazhdojmë mbledhjen.

Halimi: Ditën e djeshme, 3 deputetë anëtarë të Këshillit të Rregullores kanë dorëzuar kërkesa…për plotësimin e vendit vakant në Këshill, në mënyrë që të plotësohet në mënyrë të barabartë edhe opozita edhe mazhoranca. Vendimi merret nga kryetari i Kuvendit…Për ne drejtimi nga ana juaj i kësaj mbledhje ka një konflikt interesi, pasi Frroku është dëshmitar në një çështje tjetër që ka lidhje me akuza të bëra nga Tom Doshi për Ilir Metën.

Xhafaj: Këshilli është organ i kuvendit dhe jo i kryetarit të kuvendit, duhet të marrë miratimin e kuvendit, edhe përbërja t’i nënshtrohet në rastin konkret vënies në dijeni të seancës, për sa kohë ka funksione të deleguar si një nga organet e kuvendit. Si i tillë nuk funksionon pa miratim paraprak të seancës, nëse do diskutohet për plotësimin e vendeve, përcaktimi është i kryetari të kuvendit pasi ka marrë pëlqimin, por të njoftojë seancën, së dyti nuk ka zëvendësues ky këshill, sepse edhe rregullorja nuk e ka parashikuar si të tillë, mbledhja bëhet sipas komisioneve të përhershme, por nuk janë e njëjta gjë.

Meta: Më duket absurde, keni një vit që duhet ta kishit zëvendësuar dhe askush nuk ju ka ndaluar, dje keni sjellë kërkesën, opinionin e dëgjuat, nuk jemi mbledhur për këtë gjë, dje keni bërë kërkesën për Strazimirin, unë të enjten do ta njoftoj në seancë dhe të premten ai fillon punë, çdo debat tjetër është tepër dhe nuk ka lidhje me rendin e ditës.

Halimi lexon nenin 13 të Këshillit të Rregullores.

Meta: Zoti Halimi, nëse s’doni të merrni pjesë kjo është çështja juaj…të enjten emri i Strazimirit në seancë, të premten e firmos unë të shtunën mund të nisë punën. Mos të dalim nga rendi i ditës.

Ristani: Ne duam të zbatojmë kushtetutën, rregulloren e Kuvendit. Po e lexojmë gërmë më gërmë…E kuptojmë që ju nuk doni ta plotësoni ekipin, pjesën që i takon opozitës në këshill se është e lidhur më kërkesën e dytë se ju keni konflikt interesi në seancë…Jeni në konflikt interesi se çështja ka qenë në dijeni tuaj që para 6 muajsh, e mbajtur e fshehur nga ju që para 6 muajsh, keni bërë veprime konkrete për ta devijuar tek zoti Berisha.

Meta: Ça çështje po flet, ju dërgon SMS Berisha…

Ristani: Ju ka akuzuar Doshi se keni porositur vrasjen e dy deputetëve…

Meta: Po pra, përsëriteni edhe njëherë tjetër…

Ristani: Që në janar e keni mbajtur të fshehur që të manipuloni hetimet, po përpiqeni të manipuloni edhe seancën e sotme…

Meta: S’kam ndërmend, nëse ju doni largohuni se nuk habitet askush…Keni shumë qëndrime për një çështje…Është detyra ime për të drejtuar mbledhjen…

Halimi: Kjo është përgjegjësi jotja…

Meta: Po e mbaj unë, ke folur 15 herë…dil fol poshtë. Fol në emër të doktorit. S’kam asnjë konflikt interesi, është çështje tjetër.

Halimi: Rregulloren e ke shkelur që në pikën e parë.

Meta: E vetmja rregullore që shkel unë është që ju flisni pa limit…

Halimi: Kur të jesh tek rasti i Koços javën tjetër rri aty. Frroku dëshmitar tek çështja “Doshi”, më e rënda në 25 vjet.

Meta: Nëse do të largoheni ikni ju…

Halimi: Nuk largohemi…

Meta: Në 125 vjet, mos ia ul vlerën çështjes se është shumë më shumë se aq…

***

Halimi: Vlerësim maksimal për prokurorin dhe Llallën që brenda datës 28 mars sapo e ka marrë nga qeveria, ai e ka dërguar në Kuvend, nëse ka dijeni kur ka ardhur kërkesa nga Interpoli belg për Interpol Tiranën dhe çfarë e lidh kërkesën me deputetin Frroku?

Prokurorja Gashi: Materiali ka ardhur nga Interpol Tirana në prokurori 27 mars pasdite nga Ministria e Drejtësisë u përcoll më datë 28 mars, veprimet u bënë menjëherë, lidhur me kërkesën tjetër, materiali i ardhur është urdhër arresti ndërkombëtar për deputetin Frroku, informacioni është konfidencial dhe nuk mund ta bëj publik

Ristani: Ju thoni që nga Interpol Tirana dhe Ministria e Drejtësisë ju ka ardhur një shkresë që ju bën me dije ju që Frroku është në kërkim ndërkombëtar, si e provoni? I keni këto shkresa.

Prokurorja: Materiali shoqërohet me shkresë përcjellëse.

Ristani: Ca lidhje kanë me deputetin këto shkresa?

Prokurorja: Shkresat janë të përfshira në materialin që edhe ju cituat, ne i kemi cituar në relacion, të përfshira edhe të përmendura, urdhër kërkimi ndërkombëtar për Frrokun, që referohem me identiteti, pasaportë, gjeneralitetet e vendlindje

Ristani: Nuk besoj vetëm se ju e thoni këtu, a mund të shohim kërkesën, apriori nuk ju besoj asnjë palë.

Prokurorja: Mund t’ju them që kërkesat dhe materialet janë përmendur në kërkesën në relacion, unë nuk i vë në dispozicion këtu, pasi i vë në dispozicion në gjykatë, në kohën që parashtrojmë kërkesën tonë, dokumentet në ngarkim të Frrokut janë të institucioneve ndërkombëtare, nuk kemi si të mos i besojmë.

Ristani: Para se të gjykoj…material që keni ju është njësoj me kërkesën tuaj apo jo…nëse e doni pa media, pa media, s’kam pse ju besoj në apriori.

Meta: Nuk është e thënë të ndalojmë patjetër këtu. Nëse e gjykoni më pas të nevojshme për të dhënë informacion apo dokument shtesë mund ta bëni më pas…por mendoj të vazhdojmë edhe me çështjet e tjera…

Ristani: Kjo është çështja kryesore….këtu s’ka asnjë dokument. Zotërinjtë bëjnë një kërkesë, kërkesa thotë se i referohet një dokumentacioni të Interpolit…a është ky këtu? Të më japin dokumentacionin.

Meta: Më kupto mua ku është qëllimi im…nuk mund të detyrojmë prokurorinë patjetër të japi…

Ristani: E detyron ligji more zotëri… Ndaj kërkuam dorëheqjen se keni konflikt interesi…do mundoheni t’i mbroni…

Meta: Zoti Ristani merreni me qetësi…

Ristani: Kërkesat nga Belgjika kanë ardhur që në janar, jeni në dijeni të faktit?

Prokurorja: Informacioni bashkëlidhur është konfidencial.

Avokati Visha: Edhe ne që kemi ardhur duam të bëjmë mbrojtje ligjore, nëse ka pasur urdhër arresti ndërkombëtar ne deklarojmë se deri në 22 shkurt 2015 kemi lëvizur lirisht në zonën Shengen, kemi dokument, pasaportë, me lëvizjet, pra nuk ka urdhër ndërkombëtar arresti, ne bashkëngjitemi në këtë mendim, duam të njihemi me këtë urdhër, kemi lëvizur, s’ka pasur urdhër ndalimi.

Islami: Ky këshill dëgjon palët dhe gjithçka mendon ia përcjell seancës dhe është seanca ajo që i përgjigjet akuzës. Mjaftoi kaq pak orë për të hartuar dosjen? Ka datë kur është lëshuar urdhër arresti.

Prokurorja Rovena Gashi: Është sekret, nuk bëhet publik, data përfshihet në urdhër, pjesë e përmbajtjes.

Islami: Para datës 27? Apo edhe kjo nuk thuhet.

Prokurorja: Pyetja nuk është objekt i kërkesës sonë, më vjen keq.

Islami: Shkresa mund t’i vihet në dispozicion Kuvendit ose këtij këshillit.

Prokurorja: Nuk mund t’i vihet në dispozicion, ose ju të firmosni deklaratë konfidencialiteti, vetëm kështu mund t’u vihet në dispozicion.

Islami: Pse s’është zhvilluar seanca gjyqësore më 23 shkurt? A ka dijeni avokati, e cili është?

Prokurorja: Është pjesë e materialeve të tjera që janë në dosjen hetimore, që do t’i vihen në dispozicion gjykatës kur të përballemi me zotin Frroku.

Islami: Po gjyqi është zhvilluar më 23 shkurt?

Prokurorja: Gjyqi nuk është zhvilluar më 23 shkurt.

***

Islami: Në faqen 4 thoni se Frroku ka konsumuar elemente të veprës penale…

Prokurorja: Sikurse çdo çështje tjetër edhe në rastin konkret prokurori menjëherë kur krijon dyshim të arsyeshëm që është kryer vepër penale urdhëron regjistrimin e procedimit…të gjitha këto kanë ndodhur Ministria e Drejtësisë datave 27­28, kur është urdhëruar regjistrimi i procedimit penal.

Islami: Ka një proces gjyqësor në Belgjikë për një vrasje në vitin 1999, gjykimi i parë në 2010, është ankimuar në kasacion, është rikthyer në shkallën e pare, prokuroria do të vazhdojë hetimet për këtë ngjarje apo bëhet fjalë që do të vazhdojë procesi gjyqësor i nisur në Belgjikë?

Prokurorja:…Pavarësisht se çështja është atje në proces me ligj jemi të detyruar të regjistrojmë procedimin penal, deri kur në shtetin tjetër s’është dhënë një vendim final i formës së prerë.

Dashamir Tahiri: Pse në bazë të Kushtetutës kërkesa ka ardhur nga ju direkt dhe s’ka ardhur nga gjykata?

Prokurorja: Kërkesa jonë është bërë në përputhje me…(ligjin) kërkesa i bëhet Kuvendit për dhënien e autorizimit dhe vazhdimin e mëtejshëm të procedurave.

Xhafaj: Ka 16 vjet kjo ngjarje, ju keni pasur dijeni dhe keni tentuar ta sqaroni këtë çështje në rrugë ligjore, e cilat kanë qenë hapat. Së dyti, a jeni vënë në dijeni për ndonjë kërkesë nga organet belge lidhur me ju, dhe cili ka qenë reagimi juaj. Së treti, në këto 16 vjet jeni thirrur në ndonjë rast nga ndonjë prej organeve ligjzbatuese në Shqipëri për t’u pyetur për këtë çështje?

Avokati: Është e vërtetë që ka 16 vjet që gjykohet dhe është mungesa e provave se duhet t’i ishte dhënë fund, kjo procedurë po zvarritet, ne nuk kemi pasur dijeni për ndonjë proces pasi procesi ka vazhduar normalisht në shtetin belg. Dijenia e parë, kontakti i parë ligjor është kjo seancë që Prokuroria e Përgjithshme ka sjellë sot para jush, në gjithë këtë histori ka një konfondim mes asaj që kërkohet të bëhet dhe asaj që ka ndodhur, sipas prokurorëve kemi të bëjmë me urdhër arresti ndërkombëtar, kjo është masë sigurimi, prokuroria ka ardhur të kërkojë ekzekutimin e kësaj mase, apo ka regjistruar çështjen? Ne sot jemi në pamundësi pasi që në momentin që hyjmë në këtë terren ky këshill nuk gjykon. Deputetet do votojnë mbi bazën e informacioneve të mediave, ose mbi faktet që do t’i përcillni ju si komision, më duket formale që prokuroria thotë kam kërkesën merreni pranojeni. Pas 16 vjetëve ne regjistrojmë çështjen dhe kërkojmë arrest për një deputet, pse nuk është bërë në fillim, nuk është bërë se nuk ka kërkesë nga shteti belg, e thotë konventa këtë gjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat