​Tahiri reagon për Didin: Të gjithë të barabartë para ligjit

Shqipëria

​Tahiri reagon për Didin: Të gjithë të barabartë para ligjit

Më: 31 mars 2015 Në ora: 17:01

Pak orë pas dorëheqjes së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi, ka dalë në një konferencë për shtyp edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë Saimir Tahiri, i cili deklaroi se vendimi për dorëheqje i Artan Didit është një shembull për përgjegjësinë morale të treguar në këtë rast

Gjithashtu Tahiri theksoi se standardi i Qeverisë është i njëjtë dhe se zbatimi i ligjit është njësoj për të gjithë.

Tahiri: Ne nuk jemi të pagabueshëm, Artan Didi është shembulli i qëndrimit moral e ligjor

"Përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë dhe në respekt të këtij besimi që duam të forcojmë tek të gjithë, dimë të mbajmë qëndrimin e duhur jo vetëm ligjor por edhe moral. Ne nuk kemi pretenduar kurrë se jemi të pagabueshëm dhe pikërisht pse jemi të vetëdijshëm për gabueshmërinë njerëzore në kryerjen e një detyre, jemi edhe të gatshëm të përballemi hapur me përgjegjësitë. Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka dhënë një tjetër shembull të modelit që ne po ndërtojmë në qeverisjen e vendit. Ka marrë përsipër përgjegjësinë morale, për një fakt shqetësues që është prodhuar si rezultat i mosveprimit të zyrës sonë të Interpolit, lidhur me një praktikë ndërkombëtare për deputetin Mark Frroku. Marrja e kësaj përgjegjësie prej tij, është akti kuptimplotë i vullnetit tonë të përbashkët për të ndërtuar mes një mijë e një vështirësive objektive, po edhe përballë plot pengesave artificiale të politikës së baltës, frymën e ligjshmërisë, modelin e transparencës dhe moralin e mos fshehjes para përgjegjësive që duhet ta mishërojë çdo punonjës i Policisë së Shtetit," tha ministri Tahiri.

Ministri siguroi gjithashtu se, Qeveria është e angazhuar për ta rikthyer besimin e partnerëve tek Policia e Shtetit. Më tej Tahiri kritikoi qëndrimin e Partisë Demokratike ndaj Policisë së Shtetit dhe Qeverisë duke thënë se për çdo deklaratë të tyre që ai i quajti 'shpifje pa prova' do të bëhet kallëzim penal.

Tahiri: Kallëzim penal për çdo shpifje të opozitës

"Përpara kësaj pasqyre të pastër të modelit tonë të ri për Policinë e Shtetit, e kam të pamundur të mos shpreh neverinë më të ndjerë ndaj atyre që vazhdojnë të luftojnë egërsisht për ta kriminalizuar Policinë e Shtetit dhe Qeverinë tonë, me shpifjet më shtazarake. Ata që deri dje, manipulonin skena krimesh, prova e dëshmitarë, mohonin krime të ndodhura në mes të ditës, shpiknin komplote e puçe me gazetarë e me prokurorë e me presidentë e me opozitarë po e po, sot bubullojnë se Mark Frrokun e paska mbrojtur qeveria për ta përdorur si dëshmitar të rremë. Ju njoftoj se edhe për këtë, do të çojmë menjëherë kallëzimin penal, qoftë unë qoftë Kryeministri i Shqipërisë, dhe ju siguroj se po njësoj si në gjyqin për shpifje që po zhvillohet aktualisht, do të thonë prapë ne s’dimë gjë, s’kemi prova, s’kemi fakte, po kështu e mendon Partia Demokratike," tha Tahiri.

Artan Didi drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dha sot paradite dorëheqjen nga posti që mbante prej 18 muajsh. Në një letër që Didi i ka dërguar kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri thuhet se dorëheqja e tij vjen me motivacionin “për përgjegjësi morale mbi të gjitha ngjarjet e ndodhura”.

Ashtu siç sqarohet edhe në letër shkak për dorëheqjen e Didit janë bërë zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen e deputetit Mark Frroku, për akuzën që i bën atij shteti belg, në lidhje me një vrasje dhe për mosveprimet e Interpol Tiranës.

Mësohet se kërkesa nga Interpol Brukseli për Frrokun ka ardhur që në muajin janar 2015 në Tiranë (më datë 8 janar), por është mbajtur në zyrat e Interpol Tirana pa i kaluar Ministrisë së Drejtësisë. Artan Didi mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që nga tetori i vitit 2013.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat