Vrasja në Belgjikë, Këshilli i Mandateve vendos sot për Frrokun

Shqipëria

Vrasja në Belgjikë, Këshilli i Mandateve vendos sot për Frrokun

Më: 31 mars 2015 Në ora: 11:57

Këshilli i Mandateve dhe i Rregullores mblidhet sot në orën 12:00 për të diskutuar mbi kërkesën e dytë të Prokurorisë, për arrestimin e deputetit Mark Frroku.

Organi i akuzës kërkoi vënien e tij në pranga këtë radhë për llogari të drejtësisë belge, pasi deputeti akuzohet për një vrasje të një shqiptari në Belgjikë në vitin 1999.

Me kërkesë së dy avokatëve të Mark Frrokut, Saimir Vishaj dhe Genc Gjokutaj, ditën e diel u vendos që në seancën e sotme të Këshillit të Mandateve do të jetë i pranishëm edhe vetë deputeti Frroku, i cili prej tre ditësh ndodhet i izoluar në shtëpi, pas masës “arrest shtëpie”, caktuar nga Gjykata e Lartë për “kallëzim të rremë”.

Sot pritet që Këshilli i Mandateve të hartoje relacionin për kristian-demokratin Mark Frroku, ndërkohë që lidhur me këtë çështje pritet që Parlamenti të votojë për heqjen e imunitetit të deputetit Frroku, duke pranuar kërkesën e Prokurorisë për autorizim për arrestimin e tij.

Belgjika kërkon arrestimin e deputetit, i dënuar në Shkallën e Parë në këtë shtet me 10 vjet heqje lirie, për vrasjen e ndodhur në vitin 1999 të Aleksandër Kurtit.

Sipas autoriteteve belge deputeti Frroku, njihej në vendin e tyre me emrin Besnik Morina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat