Basha: S’do kandidoj, Ramën do e mund në garën për qeverinë

Shqipëria

Basha: S’do kandidoj, Ramën do e mund në garën për qeverinë

Më: 31 mars 2015 Në ora: 11:28

Ashtu siç pritej, gjatë një inaugurimi të një kopshti, Lulzim Basha deklaroi se nuk do të rikandidojë për Bashkinë e Tiranës.

“I kam patur këto fjalë për kundërshtarin tim para katër vitesh, i kam edhe sot për vete. Nuk ka, nga pikëpamja ime, asnjë kundërthënie me ato që unë kam thënë dhe kam bërë. Për shkak të zhvillimeve në PD, unë u zgjodha në mes të mandatit tim si kryetar i PD. Ndodhem në të njëjta pozita si kundërshtari im, por në dallim nga ai, kam vendosur të mos kandidoj, por të drejtoj opozitën në një betejë fshat më fshat, shtëpi më shtëpi. Misioni im është të drejtoj opozitën në largimin e qeverisë së lakut në fyt. Kryeministrin e kam mundur në garën për Bashkinë e Tiranës, do e mundim përsëri në garën për qeverinë,” tha Basha.

“Dua që kandidati i PD t’i përkushtohet me kohë të plotë drejtimit të Tiranës”, theksoi Basha.

Duke folur për projektet e mëdha për Tiranën, për të cilat thotë se janë bllokuar nga qeveria, Basha tha: “Jam i bindur se kandidati i ri do i çojë drejt finalizimit këto projekte”.

Emri i Bashës nuk u përfshi as në sondazhet paraprake që PD-ja zhvilloi, duke lënë qartazi të kuptohet se sfida e Bashës nuk do të ishte më e kësaj natyre.

Kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmë në një prononcim për mediat se Lulzim Basha nuk kishte bërë asgjë për Tiranën. “…Tek ky katërvjeçar nuk ka asgjë, qoftë edhe gabim. Asgjë! Thjesht, ju e dini atë shprehjen, ‘ashtu hyni ashtu doli, kastravec”, – tha mbrëmë Rama.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës.

“…Kryeministrit më të paaftë dhe mashtruesit politik më ordiner në historinë e Shqipërisë i ka mbetur në gojë kastraveci i mashtrimit. Ky që betonizoi Tiranën për 11 vite, është sot kryeministri që ka kriminalizuar pushtetin, ka rritur papunësinë, thelluar varfërinë dhe pasigurinë.

I verbuar nga xhelozia prej dështaku serial, Edi Rama bashkë me bllokimin e Bulevardit të ri, projektit më të madh urban në historinë e kryeqytetit, bllokoi qindra investime publike që hapnin mijëra vende pune dhe përmirësonin cilësinë e jetës së qytetarëve. Ndaj sot, është në panik sepse ora e përballjes po vjen dhe e pret ndëshkimi nga qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë”, – thuhet në reagimin e bashkisë së Tiranës.

Basha nuk kandidon për Tiranën, por kandidati zyrtar i kësaj force politike për kryeqytetin pritet që të dalë vetëm nga fundi i javës tjetër, periudhë në të cilën do të shpallen edhe emrat e tjerë zyrtar për secilën nga bashkitë. Ajo që dihet deri më tash është se PD-ja po zhvillon një fushatë intensive sondazhesh në bazë, duke marrë në konsideratë edhe riskun se ajo mund të dalë edhe e vetme pa aleatët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat