“Rama bllokoi dy herë kërkesën e Interpolit për Frrokun”

Shqipëria

“Rama bllokoi dy herë kërkesën e Interpolit për Frrokun”

Më: 31 mars 2015 Në ora: 10:36

Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se ka bllokuar dy herë kërkesën e Interpolit për arrestimin e deputetit Mark Frroku.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Arben Ristani, Rama e ka bllokuar qëllimisht kërkesën, derisa Mark Frroku deponoi në favor të Ilir Metës për çështjen “Doshi”.

“Më 8 janar të këtij viti, ka mbërritur në Tiranë, dokumenti i Interpol Belgjikës për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit Mark Frrokut, për akuzat e drejtësisë belge për vrasje.

Ky urdhër është mbajtur në sirtar nga zyrtarët e Edi Ramës.

Më 23 janar, Interpol i Brukselit, ka sjellë material shtesë duke ripërsëritur kërkesën për kërkimin dhe kapjen e Mark Frrokut.

Sërish, zyrtarët e Edi Ramës nuk kanë bërë asnjë veprim.

Vetëm më 18 mars, pasi Mark Frroku e kishte dhënë dëshminë në prokurori në favor të Ilir Metës, lidhur me akuzat ndaj tij, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, policia shqiptare ka aktivizuar shkresën për kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës.

Për të mbyllur këtë skandal të paimagjinueshëm, Drejtori i Policisë ka shkarkuar dhe ka ndaluar dje drejtorin e Interpol Tirana, Artan Bajraktari, dhe një specialiste në këtë drejtori, duke u përpjekur t’u lërë fajin atyre.

Kjo është një përpjekje e turpshme dhe e dëshpëruar, për të nxjerrë të larë, autorët e vërtetë të bllokimit të urdhërit të Interpol Brukseli, që janë Edi Rama dhe Ilir Meta.

Ata penguan drejtësinë e një vendi themelues të Bashkimit Europian, vetëm për të deformuar hetimin ndaj kryetarit të parlamentit, duke kapur dëshmitarin kyç, dhe duke tentuar fshehjen e të vërtetës mbi akuzën më të rëndë të këtyre 25 viteve.

Ky është një akt kriminal, i padëgjuar më parë, për të cilin ka përgjegjësi dhe duhet të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm.

Ne kërkojmë llogaridhënie të plotë për bllokimin e urdhrit të Interpol Brukselit.

Ne i kërkojmë Prokurorit të Përgjithshëm të nisë një hetim të shpejtë e të thellë për të vënë urdhëruesit e fshehjes së kërkesës së Interpol Brukselit, para drejtësisë.

Ne inkurajojmë partnerët tanë europianë, palën belge të nxisë transparencë dhe të kërkojë zbardhjen e kësaj ngjarjeje kriminale.

Me këtë akt, Edi Rama i ka futur duart thellë në procesin e hetimit të ortakut të tij Meta, dhe kësaj radhe nuk do t’ia hedhë,” tha Ristani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat