​Basha heq dorë nga kandidimi për kryetar bashkie

Shqipëria

​Basha heq dorë nga kandidimi për kryetar bashkie

Më: 31 mars 2015 Në ora: 09:27

Këtë javë pritet të zyrtarizohen emrat e kandidatëve për kryetar bashkie që do të garojnë në zgjedhjet e 21 qershorit. Mbrëmë vonë Partia Socialiste ka dalë me një liste emrash, ndërkohë që edhe PD ka bërë publike 6 emra për Tiranën.

Por burimet nga PD bëjnë të ditur se kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk do të rikandidojë për një mandat të dytë.

Ndërkohë, baza ka propozuar 6 emra për garën e Tiranës, të cilët do të shqyrtohen në mbledhjen më të afërt të kryesisë.

Ata janë: Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani; deputetja Jorida Tabaku; koordinatorja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma; deputeti Halim Kosova; deputetja Majlinda Bregu dhe Gerti Bogdani.

Pasditen e së mërkurës, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të mbledhë aleatët për të negociuar për zgjedhjet lokale të 21 qershorit.

Në këtë takim, kryedemokrati pritet të zhvillojë negociatat si dhe të dëgjojë pretendimin e partive aleate për zonat ku ata synojnë të kandidojnë.

Partia Republikane ka shpallur ambicien për Bashkinë e Durrësit, ku ka vendosur të kandidojë Agron Dukën. Sa i takon këtij qyteti, Partia Republikane ka shprehur shqetësim se po futen sekserë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat