Prokuroria e Përgjithshme pret autorizimin e Kuvendit për arrestimin e deputetit dhe më pas do të kërkojë transferimin e procedimit nga Belgjika në Shqipëri, ku Frroku do t’i nënshtrohet gjykimit për akuzën e vrasjes.
Mbeten të hapura opsionet e ekstradimit, edhe pse mungon një marrëveshje me autoritetet belge, si dhe njohja e vendimit të Gjykatës së Brukselit në rast se do të ketë një vendim fajësie.
Deputeti Mark Frroku do të gjykohet në Shqipëri për akuzën e vrasjes që dyshohet se ka kryer në Belgjikë 16 vite të shkuara. Ky është opsioni më i mundshëm për autoritetet shqiptare të drejtësisë, të cilat kanë regjistruar edhe një procedim penal ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Kjo procedurë pritet të finalizohet me dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Mark Frroku nga Kuvendi i Shqipërisë ndoshta në seancën e së enjtes së kësaj jave. Tashmë kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme është duke u shqyrtuar nga Këshilli i Imuniteteve, i cili do të mblidhet ditën e sotme për të vendosur miratimin në parim të kësaj kërkese.
Mbledhja e fundit u shty me kërkesë të avokatëve të deputetit, pasi ky i fundit kërkoi të ishte i pranishëm në Këshill për të paraqitur mbrojtjen e tij lidhur me akuzën e vrasjes në Belgjikë, ku është dënuar me 10 vjet burg. Pas përfundimit të kësaj faze të procesit dhe vendosjes së masës së arrestit në bazë të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet belge, Prokuroria e Përgjithshme do të hedhë në tavolinën e diskutimit tri opsione për çështjen “Frroku”.
Burime të rezervuara pranë institucionit të akuzës thanë se, në rast të dhënies së autorizimit nga Kuvendi, opsioni më i mundshëm është transferimi i çështjes nga Belgjika në Shqipëri. “Aktualisht jemi në pritje të vendimit të Kuvendit mbi kërkesën për autorizim për arrestim dhe në rast të një vendimi pozitiv do të shohim mundësinë e transferimit të dosjes në Shqipëri”, – thanë burime të prokurorisë.
Kjo procedurë pritet të ndiqet vetëm në rast se Kuvendi lejon arrestimin e Frrokut dhe gjykata vendos ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi aktualisht deputeti ndodhet në arrest shtëpie për akuzat e ngritura nga prokuroria lidhur me skenarin e çështjes “Doshi”. “Vetëm pasi gjykata të jetë shprehur me një vendim të formës së prerë, prokuroria mund t’u kërkojë autoriteteve belge transferimin e dosjes në Shqipëri”, – pohuan burimet.
Në fakt, hetimi është kryer nga prokuroria belge, madje gjykata ka dhënë edhe një vendim ndaj Frrokut, të cilin e dënon me 10 vjet heqje lirie për akuzën e “vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim”. Transferimi i çështjes në Shqipëri do të kryhet vetëm sa i takon zhvillimit të procesit gjyqësor, duke qenë se aktualisht procesi në Belgjikë është në Gjykatën e Apelit dhe seanca e parë ndaj Frrokut do të nisë në tetor të këtij viti.
Kjo procedurë do të nisë me kërkesën e prokurorisë drejtuar autoriteteve belge për transferimin e dosjes në Shqipëri dhe në rast refuzimi, Frroku mund të lihet i lirë, pasi mungon një marrëveshje ekstradimi mes Shqipërisë dhe Belgjikës. Sipas prokurorisë, në lojë mbeten edhe dy opsione të tjera, të cilat duken të largëta jo vetëm për shkak të procedurës, por edhe për shkak të kostos që mund të marrë prokuroria në rast se Frroku shpallet i pafajshëm në Belgjikë.
Sipas burimeve mësohet se opsioni i dytë është ekstradimi i mundshëm i Frrokut, por nuk ka një marrëveshje të posaçme për ekstradime mes dy vendeve. Në këtë rast mund të diskutohet Konventa Ndërkombëtare e Ekstradimeve, por procedura mbetet e komplikuar dhe për prokurorinë ky opsion duket i largët, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve.
Opsioni i tretë është njohja e vendimit të gjykatës belge nga një gjykatë shqiptare, në rast se Frroku do të shpallet fajtor në Belgjikë. Por kjo mënyrë mund të jetë me kosto për drejtësinë shqiptare, pasi procesi gjyqësor në Apel ka nisur në fillim të vitit të shkuar dhe ende nuk është zhvilluar asnjë seancë.
Për këtë arsye, prokuroria dhe gjykata nuk mund të mbajnë pafundësisht në burg një deputet, pasi kostoja do jetë e madhe në rast se shpallet i pafajshëm nga gjykata belge. Të tria këto opsione do të diskutohen konkretisht nga prokuroria pasi të merret autorizimi nga Kuvendi dhe gjykata të caktojë një masë shtrënguese sigurimi ndaj Frrokut. Deputeti akuzohet për vrasjen e një shtetasi shqiptar në Belgjikë në vitin 1999, kur sipas drejtësisë belge, Frroku bashkë me dy vëllezërit drejtonin një rrjet prostitucioni në Bruksel.