Mësim përmes kompjuterit për fëmijët që nuk dëgjojnë

Shqipëria

Mësim përmes kompjuterit për fëmijët që nuk dëgjojnë

Më: 30 mars 2015 Në ora: 23:16

Fëmijët me probleme dëgjimi do të kenë mundësi të mësojnë përmes një programi të personalizuar. Në kuadër të projektit “I Learn/Unë mësoj”, këtyre fëmijëve do t’u vihen në dispozicion 450 tableta, të cilat do t’ua lehtësojnë të nxënit.

Në konferencën e organizuar sot nga Ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, u prezantua projekti që u siguron fëmijëve një program kompjuterik të specializuar për të siguruar komunikimin nëpërmjet gjuhës së shenjave, me synim integrimin e tyre në shoqëri.

Po ashtu, projekti propozon ngritjen e një platforme e-learning, e cila do të integrojë alfabetin multimedial daktil dhe fjalorin i cili tregon dhe përkthen shenjat në gjuhën shqipe. “Me anë të këtij projekti dhe teknologjisë inovative, ne jemi duke ofruar sot mundësitë e munguara për fëmijët me probleme dëgjimi, për të mësuar dhe komunikuar ndërmjet njëri-tjetrit duke garantuar të drejtën e informimit për të gjithë”, tha ministrja Harito.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla dhe ambasadori italian në Shqipëri, Massimo Gaiani.

Nikolla nënvizoi se "projekti pilot “I Learn/Unë mësoj vjen në një moment të përshtatshëm, pasi paralelisht, Ministria e Arsimit është duke reformuar kornizën kurrikulare, duke synuar kalimin nga kurrikula e bazuar në objektiva në kurrikulën e fokusuar drejt kompetencave, si dhe është duke implementuar projektin për e-learning në gjimnaze".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat