Zonat e lira ekonomike, qeveria përcakton kriteret gati tenderi

Shqipëria

Zonat e lira ekonomike, qeveria përcakton kriteret gati tenderi

Më: 30 mars 2015 Në ora: 17:50

Qeveria i është rikthyer idesë së zonave të lira ekonomike. Edhe pse më herët, një ide e tillë nuk ka gjetur zbatim, tashmë është hartuar ligji për to dhe pas një muaji do të hapet tenderi për zonën e Spitallës. Nisma u bë e ditur nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, në një takim me investitorë gjermanë. Ahmetaj foli edhe për reformat që janë ndërmarrë në sistemin energjetik, pensionet dhe biznesin e qëndrueshëm.

“Sapo kemi përfunduar në qeveri ligjin e zonave ekonomike, thënë në definicionin zyrtar, zonat teknologjike të zhvillimit. Jemi duke folur për zona të lira ekonomike në definicionin ekonomik. Pra, Shqipëria shumë shpejt, besoj në harkun kohor të një muaji e gjysmë, do të hapë një tender për zhvilluesin e zonës ekonomike të Spitallës, afërisht 200 hektarë dhe paketa që ne kemi përgatitur është jashtëzakonisht shumë konkurruese”- tha ministri, duke folur edhe për lehtësitë fiskale e kriteret që do të kenë zonat e lira ekonomike.

“Pesë vitet e parë do të jenë pa tatimfitim për sipërmarrjen brenda zonës ekonomike. Pesë vitet e dytë do të jenë me gjysmën e tatim-fitimit, që është një lehtësi shumë e madhe. Një element interesant që e kemi përfshirë kohët e fundit, për çdo shpenzim në trajnim të punonjësve, ai do të njihet dyfish për sa i përket fiskut, duke lehtësuar ngarkesën mbi tatim-fitimin dhe mbi shpenzimet e kompanisë”, tha min istri. Duke iu referuar mundësive që paraqesin këto zona, ai tha se dikasteri që drejton, po punon dhe me Qendrën Ndërkombëtare për Zhvillim të Universitetit të Harvardit. “Jemi shumë të bindur që nëpërmjet këtyre instrumenteve dhe nëpërmjet kësaj oferte, kemi mundësi që të realizojmë një nga zonat e lira ekonomike më të mira në Evropë”, u shpreh ministri.

Kriteret

I nisur rreth 7 vite më parë, si një proces që do të nxiste investimet në vend, ndërtimi i një rrjeti zonash ekonomike mbeti një projekt në letër. Në vitin 2008, qeveria e djathtë miratoi 9 zona ekonomike, prej të cilave 8 parqe industriale dhe një zonë të lirë. Por, një sërë problemesh, nga pronësia mbi tokën e deri të infrastruktura, bëri që asnjëra prej tyre të mos ndërtohej. Një muaj më parë, Këshilli i Ministrave miratoi një projektligj, i cili do të rritë lehtësitë fiskale në zonat e lira ekonomike. Sipas këtij projektligji, në rastin e zonave të lira, që ndërtohen nga privatë, bizneset ndërtuese, por edhe ato kompani që e zhvendosin aktivitetin aty, do të përjashtohen 5 vite nga pagesa e tatim-fitimit.

Në të njëjtën kohë, për 5-vjeçarin e dytë, masa e tatim-fitimit që do të paguajnë do të jetë 50 për qind e normës ligjore. Paralelisht, çdo mall jo shqiptar që tregtohet apo përpunohet në këto ambiente do të jetë i përjashtuar nga TVSH-ja dhe taksat e tjera indirekte. Kategoria e dytë, ajo e zonave zhvillimore të biznesit, dikur të njohura si parqe industriale, nuk do t’i ketë këto lehtësira. Kjo pasi zonat zhvillimore të biznesit, ndryshe nga zonat e lira, ndërtohen nga vetë shteti. Por, për këtë kategori do të ketë të tjera lehtësira, si ajo e përjashtimit të TVSH-së për lëndët e para, heqja e taksës së infrastrukturës, por edhe ajo e pasurive të paluajtshme për 5 vitet e para. Shqipëria mbetet një nga vendet e pakta në rajon, që nuk ka zona të privilegjuara biznesi.

Vendet përreth, si Kroacia, Maqedonia, Turqia dhe Sllovenia kanë disa prej tyre. Lehtësirat fiskale në ligjin e ri, janë një nxitje. Por përvoja e parë tregoi se shkaqet kryesore se pse projekti për ngritjen e tyre dështoi, ishin të tjera. Si problemet me pronësinë e tokës dhe pamundësia financiare ose mungesa e vullnetit të qeverisë për të ndërtuar infrastrukturën e tyre. Nëse këto probleme nuk marrin zgjidhje, atëherë edhe lehtësirat fiskale të ligjit të ri, me gjasa do të mbeten në letër.

9 zona ekonomike të lëna në baltë

Bazuar në informacionin dhe të dhënat e Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve, Qeveria shqiptare ka aprovuar në të gjithë territorin vendit 9 zona ekonomike. Tetë prej tyre kanë statusin e parqeve industriale dhe një ka statusin e zonës së lirë.

Koplik: Zona ekonomike me statusin e “Parkut Industrial” në Koplik, Shkodër, miratuar më 4 janar 2008, me kërkesën e shoqërisë “Zona Industriale dhe Tregtare Koplik”. Zona shtrihet në 61 hektarë. Leje u dha për aktivitete prodhuese industriale, agropërpunimi, tregtare etj. Deri tani nuk është kryer asnjë investim.

Shëngjin: Zona ekonomike me statusin e “Parkut Industrial” në Shëngjin, Lezhë, u aprovua në 4 janar 2008, ka sipërfaqe 3.2 hektarë.

Elbasan: Zona ekonomike me statusin e “Parkut Industrial” në Elbasan, miratuar më 4 qershor 2008, shtrihej në një sipërfaqe prej 254.7 hektarësh në rajonin e ish-metalurgjisë.

Durrës: Zona ekonomike me statusin e “Parkut Industrial” në Spitallë, Durrës, miratuar me VKM nr.391, datë 21.02.2008 me propozim të ish-Ministrisë së Ekonomisë. Ka sipërfaqe 850 hektarë, pronësi shtetërore dhe private, pjesë e zonës kadastrale nr. 8517 në Spitallë, Durrës. Po ashtu, është miratuar edhe zona ekonomike me statusin e “Parkut Industrial” në Rrashbull, Durrës e miratuar me vendim qeverie nr. 105. Vlorë: Zona ekonomike me statusin e “Parkut Industrial” në Vlorë, miratuar më 4 qershor 2008. Qeveria ka miratuar kontratën koncesionare më 26 nëntor 2008 me një kompani për projektimin, financimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e parkut industrial në Vlorë. Në këtë sipërfaqe 125 hektarë, investimi duhet ishte në shumën 21 milionë euro dhe do të krijoheshin 18. 586 vende pune.

Shkodër: Zona ekonomike me statusin e “Parkut Industrial” në Shkodër u propozua nga Ministria e Ekonomisë dhe Bashkia Shkodër. U miratua më 4 qershor 2008. Ajo kap ish-qendrën industriale, me sipërfaqe prej 137 hektarësh.

Lezhë: Zona ekonomike me statusin e “Parkut Industrial” në Lezhë, u propozua nga Bashkia e Lezhës dhe u miratua më 27 janar 2009.

Tiranë: Zona ekonomike me statusin e “Parkut Industrial” në Laknas, Tiranë u miratua më 22 korrik 2009. Nuk ka të dhëna për destinacionin.

Vlorë: Zona ekonomike me statusin e “Zonës së Lirë” në një territor në Vlorë, e miratuar me vendimin nr. 628, 11 qershor 2009.

Ligji

1. Ministri për Ekonominë i paraqet Këshillit të Ministrave propozimin për krijimin e një zone ekonomike, i cili miraton shpalljen e një zone ekonomike.

2. Mallrat, që hyjnë në zonën e lirë dhe shërbimet, që u kryhen atyre brenda zonës së lirë, përjashtohen nga detyrimet doganore dhe TVSH.

3. Në zonat e lira hyjnë të gjithë mallrat, pavarësisht nga origjina, prejardhja ose vendmbërritja, përveç atyre që ndalohen. Ato mbikëqyren nga dogana.

4. Lehtësitë doganore nuk i përfitojnë subjektet e zonave ekonomike me statusin e parkut industrial. Në bazë të ligjit, këto zona përfitojnë infrastrukturën e gatshme.

5. Ministri përgjegjës për ekonominë i heq zhvilluesit licencën kur pushon së vepruari zona ekonomike apo vërtetohet se i licencuari nuk respekton kushtet e licencës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat