Shqipëri, miratohet ligji për hapjen e dosjeve

Shqipëria

Shqipëri, miratohet ligji për hapjen e dosjeve

Më: 30 mars 2015 Në ora: 14:27

Projektligji i propozuar nga qeveria shqiptare për hapjen e dosjeve të komunizmit, ka marrë sot votat e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ndërkohë që i njëjti komision ka rrëzuar draftin e deputetëve të opozitës dhe të shoqërisë civile, po për çështjen e dosjeve.

Gjatë zhvillimit të seancës së komisionit parlamentar të ligjeve pati debate mes deputetëve të majtë dhe të djathtë për mënyrën si duhet të paraqitet ky ligj.

Arben Ristani në emër të PD-së tha se ligji për hapjen e dosjeve duhet të shoqërohet edhe me lustracionin, gjë që drafti i Qeverisë nuk e parashikon.

Ristani shtoi se këtu nuk bëhet fjalë për ndarje tokash por për eshtra njerëzish, ndaj dhe opozita mendon se të gjithë politikanët apo funksionarët e lartë që sot mbajnë poste të rëndësishme në qeveri, dhe dikur kanë firmosur urdhra për pushkatimin e njerëzve të largohen nga funksionet që kanë.

"Këta njerëz ne nuk mund të vazhdojmë ti kemi akoma në krye të vendit, dhe të drejtojnë demokracinë shqiptare; sepse nuk mundet që ata që na bënë diktaturën të na bëjnë dhe demokracinë. Ka mundësi që nëpërmjet diskutimit ne të gjejmë një formë se si ta realizojmë lustracionin sepse parimisht duhet të biem dakord, njerëzit që bënë diktaturën; njerëzit që çuan në ekzekutim mijëra qytetarë të këtij vendi, nuk mund të na bëjnë demokracinë sot. I biri i atij që çoi në varje shkrimtarët, poetët, çfarë po ndodh sot; të mbush Parlamentin me kriminelë, me njerëz që kanë vrarë; me njerëz që kanë bërë prostitucion; që kanë bërë trafik droge? Pra edhe në administratën e sotme të mos kemi ata që bënë diktaturën e djeshme, por edhe në Parlamentin e sotëm të mos kemi kriminelë", tha Arben Ristani.

Të njëjtin qëndrim me PD-në mbajnë edhe përfaqësues të shtresës së ish të përndjekurve politikë. Simon Miraka ish kryetar i Institutit të të Përndjekurve, përfaqësues i shoqatave që mbrojnë të drejtat e tyre thotë në një prononcim për KosovaPress se nuk është dakord me ligjin që ka hartuar qeveria për hajen e dosjeve pasi nuk përmban lustracionin dhe shumë kërkesa të tjera që vetë kjo shtresë ka paraqitur.

Miraka shton se në hartimin e këtij drafti nuk është marrë mendimi i shoqërisë civile dhe i përfaqësuesve të ish të përndjekurve politikë.

"Sigurisht që mazhoranca ka votat dhe me votat siç e pamë fitoi projektligji i Qeverisë. Ne i kemi bërë kontestimet tona në lidhje me projektligjin e Qeverisë, dhe ne mbështesim projektligjin e shoqërisë civile sepse mendojmë, pas studimit që i kemi bërë këtij ligji i shërben me tepër dekomunistizimit. Kjo është që ne kemi kërkuar që ligji i hapjes së dosjeve, të jetë paralel me ligjin e lustracionit. Ne kemi kërkuar njëkohësisht që kryetarët e shoqatave, të çdo lloj shoqate të jenë në verifikim; pra që të dihet mirë se kush e drejton këtë vend. Kjo është arsyeja. E kam thënë dhe herë të tjera që një ligj të ketë qëndrueshmëri dhe kohëzgjatje duhet të jetë në konsuensus nga të dyja palët, ne për asnjë gjë nuk biem dakord. Unë them se sido që të jetë 'Odisesë; së ligjit të dosjeve duhet ti jepet fund, se mjaft kemi 25 vjet me dosjet duke e mbajtur si re të zezë mbi kokë, ti jepet fund sido që të jetë; që të mos diskutohet më ky problem, na ka ardhur në maj të hundës," tha Simon Miraka në një prononcim për Kosovapress, pas përfundimit të seancës së Komisionit të Ligjeve.

Pandeli Majko në emër të mazhorancës tha se opozita nuk duhet të flas për këtë ligj duke bërë ndarje; ne jemi me ish të përndjekurit jo me diktaturën.

Sipas tij ligji kërkon konsensus për tu paraqitur sa më mirë, sepse nëse do të ecim me këtë filozofi, ka qenë PD që ka emëruar gjyqtarë e prokurorë që i përkasin komunizmit.

"Sot ky është një diskutim që është zhvilluar disa herë në Parlamentin e Shqipërisë; dhe që gjithmonë ka pasur këtë lloj teze; një palë bënin sikur ishin përfaqësuesit e të përndjekurve vetëm ata; dhe një palë tjetër trajtohej sikur ishin përfaqësuesit e diktaturës vetëm ata. Po ja që nuk është kështu. Unë jam kurioz të di nga kolegët se si u emëruan të gjithë këta përfaqësuesit e regjimit komunist në sistemin gjyqësor për shembull. Në dijen time qoftë edhe statistikisht të gjithë presidentët e Republikës me përjashtim të njërit kanë qenë propozime të PD-së; të gjithë prokurorët e përgjithshëm me përjashtim të njërit kanë qenë të PD-së. Si na u kalb ky sistem kështu? Kush janë fajtorët, apo tani të 'martojmë' Fehmi Abdiun me Bamir Topin dhe të themi këta janë fajtorë? E vërteta është që në vitin 2008 edhe me opinionin e Komisionit të Venecias, është marrë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, dhe ky vendim nuk është i personalizuar", tha Pandeli Majko lidhur me ligjin e hapjes së dosjeve.

Rreth 20 mijë shqiptarë janë internuar apo pushkatuar nga diktatura komuniste. Sot ata dhe të afërmit e tyre kërkojnë jo vetëm dëmshpërblim për vitet e burgut, por edhe hapjen e dosjeve për të mësuar se kush kanë qenë personat që kanë urdhëruar internimin apo ekzekutimin e tyre dhe të shumë familjarëve të tjerë./kp/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat