Arben Frroku pagoi 10 mijë dollarë për vrasjen e Kurtit, që u ekzekutua nga vëllai i tij deputet

Shqipëria

Arben Frroku pagoi 10 mijë dollarë për vrasjen e Kurtit, që u ekzekutua nga vëllai i tij deputet

Më: 30 mars 2015 Në ora: 13:21

Mark Frroku arrestimiVrasja e Aleksandër Kurtit, 16 vjet më parë në Bruksel të Belgjikës, është një vrasje e paramenduar që shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve shqiptarë të prostitutave. Është ky versioni i autoriteteve belge që kërkojnë arrestimin e shtetasit Mark Frroku, aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë, si person i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim. Në relacionin e bazuar nga të dhënat e autoriteteve belge, që Prokuroria e Përgjithshme tashmë ka depozituar në Kuvend bashkë me kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e Frrokut, thuhet se ka qenë vëllai i deputetit, Arben Frroku, personi që porositi vrasjen e Aleksandër Kurtit, vrasje për të cilën Frroku ka paguar 10 mijë dollarë.

Në këtë relacion që gazeta “Shqip” disponon, thuhet se për këtë vrasje të ndodhur më 5 mars të vitit 1999, duke qenë se personat e përfshirë në këtë ngjarje janë nga veriu i Shqipërisë, tri javë më pas, më 28 mars, është zhvilluar dhe një takim pleqësie për të diskutuar çështjen e gjakut. Gjatë kësaj mbledhjeje, u konfirmua se arsyeja e vrasjes së Aleksandër Kurtit ka qenë larja e hesapeve në lidhje me shtetasen L.A., një prostitutë që mbahej nën tutelën e vëllait tjetër të Mark Frrokut, Nard Frroku. Sipas dëshmisë së Nikolas Kurtit, vëllai i viktimës, mësohet se vëllai i tij Aleksandri kishte disa probleme me një farë Arben Frroku, me më të madhin e tre vëllezërve Frroku, që ishte tutor i prostitutave. Vëllai i viktimës ka deklaruar se Arben Frroku ishte porositës i vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti, vrasje e kryer nga vëllai i tij, Mark Frroku.

Marku, me vëllezërit e tij, Nardi dhe Arben, ka qenë përgjegjës për tri prostituta, që banojnë bashkë. Sipas dëshmitarit anonim ata quhen thjesht “Frroku”. Viktima me origjinë nga Shkodra është hequr si polic i Interpolit dhe se në Shqipëri e njeh familjen e shtetases L. Motivi i vrasjes së tij: raporti midis viktimës dhe shtetases L. po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare që shtrihej në tri shtete: Itali, Belgjikë, deri në Londër. Për këtë ngjarje, autoritetet belge akuzojnë 4 shtetas shqiptarë, ndër të cilët edhe Mark Frrokun, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i cili njihej me pesë identitete.

Hetimi i Brukselit

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, me datë 5 mars 1999, rreth orës 17:45, policia e Saint-Gilles, ka zbuluar në një rrugë në hyrje të stacionit “Gare du Midi”, nr. 47A të Avenue Fonsny, Bruksel, trupin e një djali të ri në agoni. Nga këqyrja rezultoi se, hunda e tij ishte e mbuluar me gjak, kishte hematoma të rënda te sytë, plagë në dorë dhe gjoksin e gjakosur me tri gjurmë goditjeje me thikë. Viktima, në bazë të dokumenteve të identifikimit që iu gjetën, është identifikuar si Azem Shkreli, lindur në Jugosllavi, më 8 shtator 1980. Policia ka konstatuar dhe marrë poshtë një kamioni, një thikë të madhe mishi, me një dorezë prej druri, tehu i të cilës ishte njollosur me gjak. Veprimet e para hetimore kanë treguar se bëhej fjalë për larje hesapesh ndërmjet personash të përfshirë në rrjetin e prostitucionit shqiptar.

Mbledhja e baballarëve

Nga deklarimi i shtetasit Nikolas Kurti, vëllai i viktimës, i cili është pyetur nga hetuesit më 7 dhjetor 2000, ka rezultuar se vëllai tjetër i tij, i quajtur George, e ka informuar për “mbledhjen e baballarëve”, të mbajtur në Shqipëri, më 28 mars 1999. Zakoni shqiptar parashikon në rastet e gjakmarrjes se, baballarët e përgjegjësve të këtij krimi paraqiten para familjes së viktimës dhe japin informacionin mbi identitetin e autorëve. Gjatë kësaj mbledhjeje, baballarët e përgjegjësve japin shpjegime mbi rrethanat e vrasjes dhe e pranojnë ose jo përgjegjësinë e tyre. Kjo mbledhje duhet t’i bëjë të mundur familjes së viktimës, të mund të ushtrojë më pas të drejtën e gjakmarrjes. Në “mbledhjen e baballarëve”, të zhvilluar në një fshat të Shkodrës, nga ku viktima është me origjinë, kanë qenë prezentë: babai i viktimës; vëllai i viktimës, George Kurti; Preng Frroku, babai i Mark Frrokut (Besnik Morina); Bibë Djafa, babai i Lek Bib Djafa; Fran Ded Joka, babai i Hilë Jokës (Arjan Bytyçi). Babai i autorit të katërt, Nikoll Vuka nuk është paraqitur në mbledhje pasi, djali i tij Alex Vuka (Besnik Vuka) nuk e vlerëson veten përgjegjës për vdekjen e viktimës, duke pretenduar se viktima kishte vdekur para se ai të ndërhynte. Me gjithë mungesën e babait të Alex Vuka (Besnik Vukës), borxhi i gjakut është vënë dhe secila prej katër familjeve duhet që këtej e tutje “të paguante një jetë” që të vendosej sërish paqja. Sipas këtij zakoni, një dënim i rëndë në Belgjikë është i barabartë me një jetë. Mbledhja konfirmoi se, arsyeja e vrasjes së Aleksandër Kurtit ka qenë larja e hesapeve në lidhje me shtetasen L.A. Më poshtë gazeta publikon pjesë të relacionit shoqërues lidhur me kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për dhënien e autorizimit, për arrestin ose heqjen e lirisë së deputetit Mark Frroku.

Vrasja e porositur

Sipas Nickolas Kurtit, vëllai i tij, Aleksandër, kishte disa probleme me një farë Ben, (Arben Frroku), më të madhin e tre vëllezërve Frroku, tutor i prostitutave me emrat L., M. dhe Z. Nickolas Kurti ka deklaruar se Arben Frroku ishte porositës i vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti, e kryer nga vëllai i tij “Mark” alias Besnik Morina. Lek Bib Djafa (Xhafa) u ka deklaruar shumë shqiptarëve se, ka marrë shumën e 10.000 dollarëve amerikanë për ekzekutimin e shtetasit Aleksandër Kurti. Nga shpjegimet e shtetasit Nikolas Kurti, rezulton se ditën e ngjarjes ka pasur një debat midis viktimës dhe tre djemve të baballarëve, në Gare du Midi në Bruksel. Një person i katërt ka ndërhyrë, toni është rritur dhe personi ka nxjerrë thikën. Motivi i vrasjes së tij: raporti midis viktimës dhe shtetases L. po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër. Në shtator dhe tetor 2000, Nikolas Kurti deklaron në polici se kunati i tij është lidhur me Markun (Besnik Morina) dhe shtetasin Hilë Joka për të vrarë shtetasin Aleksandër Kurti. Prindërit e Kurtit jetojnë në Amerikë me djalin e tyre Nikolas. Vëllai i tij Georges është larguar nga Shqipëria për një destinacion të panjohur në Europë. Ai është i kërkuar nga banda e të katërve.

Kurthi

Marku, me vëllezërit e tij, Nardi dhe Arben, ka qenë përgjegjës për tri prostituta, që banojnë bashkë. Sipas dëshmitarit anonim, ata quhen Frroku. Viktima me origjinë nga Shkodra (Shqipëri) është hequr si polic i Interpolit dhe se në Shqipëri e njeh familjen e shtetases L. Nga frika se mos familja e saj mësonte mbi punën që ajo bënte në Belgjikë, shtetasja L. i telefonon tutorit të saj, Nardi (Frroku alias Shkurt Lasku), i cili ndodhej në atë kohë në Shqipëri. Ai e këshillon të njoftojë të vëllain Dritan (Besnik Morina). Dritani e fton t’i ngrejë një kurth viktimës në Gare du Midi. Shtetasja L. kontakton me telefon me Aleksandër Kurtin dhe e siguron se ajo do të ishte vetëm me të në takim. Në orën dhe vendin e caktuar, nuk është L. e cila pret viktimën, por katër persona, të cilët kanë për qëllim ta vrasin./gazeta-shqip.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat