21 qershori, PS-LSI me shtab të përbashkët

Shqipëria

21 qershori, PS-LSI me shtab të përbashkët

Më: 30 mars 2015 Në ora: 10:28

Zamira Rami, prefektja aktuale e qarkut të Gjirokastrës, do të jetë kandidatja e Aleancës së majtë për kryetare bashkie. Ajo është propozuar nga LSIja. Konfirmimi zyrtar i emrit është bërë dje nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, i cili së bashku me deputetin socialist Anastas Angjeli mori pjesë në ngritjen e shtabit të përbashkët me Lëvizjen Socialiste për Integrim, në këtë qytet. Ahmetaj shprehu bindjen se me koordinimin e punëve mes PS-së dhe LSIsë, fitorja e kandidates së mazhorancës qeverisëse në Gjirokastër është e sigurt. Ai shtoi gjithashtu se fitorja në zgjedhjet e 21 qershorit do t’i paraprijë fitores së vitit 2017 kur mazhoranca e majtë do të marrë një mandat të dytë qeverisjeje.

Shtabi i përbashkët

“Është e natyrshme që në një bastion socialist siç është Gjirokastra emocionet të jenë prezente. Por racionalja e gjithë mazhorancës dhe Aleancës është rilindja e Shqipërisë dhe që ne të bëjmë të mundur rilindjen e Shqipërisë do të duhet që ne të jemi bashkë, të punojmë bashkë dhe të fitojmë bashkë, ashtu siç fituam në 2013-n”, deklaroi dje Ahmetaj nga Gjirokastra. Ai konfirmoi emrin e Zamira Ramit, përfaqësueses së Lëvizjes Socialiste për Integrim, si kandidate e shumicës qeverisëse ndërsa shprehu bindjen në fitoren e saj.

“Ne kemi vendosur që bashkinë ta mbajë aleanca, ta mbajë mazhoranca dhe sot është krijuar shtabi i përbashkët midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për bashkinë e Gjirokastrës, me kandidate prefekten aktuale dhe jemi të bindur që me ketë rakordim punësh fitorja është e sigurt. Jemi të bindur që fitorja e 2015- s i paraprin betejës së 2017-s”, theksoi ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Një mandat i dytë qeverisës, sipas Ametajt, do të konsolidojë rilindjen e Shqipërisë. “Shqipëria ka rilindur dhe që kjo rilindje të konsolidohet bashkia e Gjirokastrës do të duhet të fitohet, dhe do të fitohet me siguri nga Aleanca. Mandati i dytë do të konsolidojë më tej rilindjen e Shqipërisë, qoftë rilindjen ekonomike qoftë rilindjen shpirtërore”, - tha ai.

Nga ana tjetër, sipas deputetit të Partisë Socialiste për qarkun Gjirokastër, Anastas Angjeli, nuk bëhet fjalë për kandidatë të njërës apo tjetrës parti, por kandidatë të koalicionit. I pyetur përse u përzgjodh bashkia e Gjirokastrës për një përfaqësim të tillë, ai nënvizoi faktin se janë 15 bashki që prezantohen me kandidatë të koalicionit dhe Gjirokastra është njëra prej tyre. Mbi bazën e marrëveshjes, LSI-ja pritet të propozojë emrat edhe për 14 bashki të tjera. Marrëveshja mes partive parashikon saktësisht se Lëvizja Socialiste për Integrim ka të drejtën e propozimit të emrave të saj edhe për bashkinë e Lezhës, Beratit, Kukësit, Pogradecit, Skraparit, Vorës, Bulqizës, Kuçovës, Cërrikut, Mallakastrës, Delvinës, Përrenjasit, Selenicës dhe Kolonjës.

Pak ditë më parë është konfirmuar dhe një tjetër emër për kryebashkiak, ai i Kukësit, Hasan Halilaj. Kryebashkiaku aktual është shfaqur përkrah kryetarit të LSI-së, Ilir Meta gjatë takimeve të tij në Kukës duke paralajmëruar kështu rikandidimin e Halilajt, edhe pse nuk pati një deklaratë zyrtare. Pas Kukësit, kreu i LSI-së zgjodhi Lezhën ku pritet rikandidimi i kryebashkiakut aktual Viktor Tusha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat