Zbardhet dosja belge për Frrokun, vrasja për një prostitutë

Shqipëria

Zbardhet dosja belge për Frrokun, vrasja për një prostitutë

Më: 30 mars 2015 Në ora: 08:42

Relacioni i Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar Kuvendit për arrestimin e Mark Frrokut zbardh të plotë një ngjarje të ndodhur 16 vite të shkuara në Belgjikë. Bëhet fjalë për vrasjen e shtetasit shqiptar, Aleksandër Kurti, i cili është qëlluar me thikë nga katër persona, përfshi edhe shtetasin Mark Frroku, tashmë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, i arrestuar nën akuzën e “kallëzimit të rremë”. Sipas dosjes së mbërritur nga autoritetet belge, ngjarja ka ndodhur më 05 mars të vitit 1999 në Bruksel, pas një lidhjeje dashurie mes viktimës me njërën prej tri prostitutave që kishin vëllezërit Frroku. Ai është futur në kurth nga shtetasja L.S, e cila nga frika se mos familja e saj në Shqipëri mësonte për “punën” që ajo bënte, i ka telefonuar tutorit të saj, i cili sipas relacionit të prokurorisë rezulton të jetë vëllai i Mark Frrokut. Ky i fundit i ka kërkuar shtetases L.S të fusë në kurth Aleksandër Kurtin, me origjinë nga një fshat i Shkodrës, i cili është qëlluar me thikë nga katër persona. Për këtë ngjarje është zhvilluar edhe një mbledhje në banesën e viktimës në Shqipëri, ku sipas Kanunit, kanë qenë të pranishëm baballarët e autorëve të dyshuar të krimit, të cilët janë dënuar me nga 10 vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes. Vëllai i viktimës i ka thënë prokurorisë belge se Arben Frroku, tashmë në proces gjyqësor për vrasje në Shqipëri, kishte paguar 10 mijë dollarë për vrasjen e Aleksandër Kurtit. Prokuroria e Përgjithshme kërkon arrestimin për herë të dytë të deputeti Mark Frroku, i cili aktualisht ndodhet me masën e sigurisë “arrest shtëpie” pas vendimit të dy ditëve më parë të Gjykatës së Lartë.

Relacioni i Prokurorisë së Përgjithshme

Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, mbi bazën e materialeve të ardhura nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me shkresën nr. 2851/1 datë 27.03.2015 dhe Ministria e Drejtësisë me shkresën nr. 266/2 datë 28.03.2015, ka regjistruar procedimin penal nr. 2, të vitit 2015, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, në ngarkim të shtetasit Mark Frroku, i biri i Prengës dhe i Lezes, lindur me 06.10.1972, në Pukë dhe banues në Tiranë, i njohur ndryshe si Besnik Morina, alias Mark Frroku, i lindur në Gjakovë më datë 6 tetor 1972, alias Dritan Frroku, i lindur në Gjakovë me datë 6 tetor 1972, alias Dritan Frroku, i lindur në Gjakovë më datë 2 korrik 1969, alias Piro Sofrani, i lindur në Korye (Shqipëri) më datë 2 korrik 1969, me kombësi serbe, pa vendbanim apo rezidencë fikse në Belgjikë.

Vrasja në Belgjikë

Në datë 05.03.1999, viktima Aleksandër Kurti, lindur me 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint – Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, i njohur si Piro Sofrani. Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin L.S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Shtetasja L.S kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes. Aleksandër Kurti kishte menduar se do të takonte prostitutën, por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të. Kristian Marinaj, i njohur si Arjan Bytyçi, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Besnik Vukës. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisen jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes.

Me vendim të datës 15 janar 2010 në mungesë, ndaj të akuzuarve Besnik Morina, Besnik Vuka, Arjan Bytyçi dhe Bib Lek Djafa, Gjykata e Krimeve të Renda të Rrethit të Brukselit, ka dënuar secilin prej tyre me nga 10 vjet heqje lirie. Duke qenë se, nga personat e dënuar është ankimuar vendimi i dënimit, Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 Mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim Gjykatës për Krime të Rënda të Provincës Brabant-Wallon, Belgjikë. Avokati i të akuzuarit Besnik Morina, i identifikuar si Mark Frroku, ka kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore të datës 31 Janar 2014, për në datën 23 Shkurt 2015. Prokurori i Përgjithshëm i Brukselit e akuzon shtetasin Mark Frroku, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”.

Hetimi pas vrasjes

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, më datë 5 Mars 1999, rreth orës 17:45, Policia e Saint-Gilles, ka zbuluar në një rrugë në hyrje të Stacionit “Gare du Mid”, nr. 47A të Avenue Fonsny, Bruksel, trupin e një djali të ri në agoni. Nga këqyrja rezultoi se hunda e tij ishte e mbuluar me gjak, kishte hematoma të rënda tek sytë, plagë në dorë dhe gjoksin e gjakosur me tre gjurmë goditjeje me thikë. Viktima, në bazë të dokumenteve të identifikimit që ju gjetën, është identifikuar si Azem Shkreli, lindur në Jugosllavi, më 8 shtator 1980. Policia ka konstatuar dhe marrë poshtë një kamioni, një thikë të madhe mishi, me një dorezë prej druri, tehu i të cilës ishte njollosur me gjak. Veprimet e para hetimore kanë treguar se bëhej fjalë për larje hesapesh ndërmjet personash të përfshirë në rrjetin e prostitucionit shqiptar.

Nga deklarimi i shtetasit Nikolas Kurti, vëllai i viktimës, i cili është pyetur nga hetuesit me 7 dhjetor 2000, ka rezultuar se vëllai tjetër i tij, i quajtur George, e ka informuar për “mbledhjen e baballarëve”, të mbajtur në Shqipëri, me 28 mars 1999. Zakoni shqiptar parashikon në rastet e gjakmarrjes se, baballarët e përgjegjësve të këtij krimi paraqiten para familjes së viktimës dhe japin informacionin mbi identitetin e autorëve. Gjatë kësaj mbledhjeje, baballarët e përgjegjësve japin shpjegime mbi rrethanat e vrasjes dhe e pranojnë ose jo përgjegjësinë e tyre. Kjo mbledhje duhet t’i bëjë të mundur familjes së viktimës, të mund të ushtrojë më pas të drejtën e gjakmarrjes.

Mbledhja sipas Kanunit

Në “mbledhjen e baballarëve” të zhvilluar në një fshat të Shkodrës, nga ku viktima është me origjinë, kanë qenë prezente: babai i viktimës, vëllai i viktimës, George Kurti, Preng Frroku, babai i Mark Frroku (Besnik Morina), Bibë Djafa, babai i Lek Bib Djaf, Fran Ded Joka, babai i Hile Joka (Arjan Bytyçi). Babai i autorit të katërt, Nikoll Vukol nuk është paraqitur në mbledhje pasi, djali i tij Alex Vuka (Besnik Vuka) nuk e vlerëson veten përgjegjës për vdekjen e viktimës, duke pretenduar se viktima kishte vdekur para se ai të ndërhynte. Megjithë mungesën e babait të Alex Vuka (Besnik Vuka), borxhi i gjakut është vënë dhe secila prej katër familjeve duhet që këtej e tutje “të paguante një jetë” që të vendosej serish paqja.

Sipas këtij zakoni, një dënim i rëndë në Belgjikë është i barabartë me një jetë. Mbledhja konfirmoi se, arsyeja e vrasjes së Aleksandër Kurti ka qenë larja e hesapeve në lidhje me shtetasen L.A. Sipas Nikolas Kurti, vëllai i tij Aleksandër, kishte disa probleme me një farë Ben, (Arben Frroku), me të madhin e tre vëllezërve Frroku, tutor i prostitutave me emrat L. M. dhe Z. Nikolas Kurti, ka deklaruar se Arben Frroku ishte porositës i vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti, e kryer nga vëllai i tij “Mark” alias Besnik Morina. Lek Bib Djafa (Xhafa) i ka deklaruar shumë shqiptarëve se, ka marre shumën 10.000 dollar amerikanë për ekzekutimin e shtetasit Aleksandër Kurti. Nga shpjegimet e shtetasit Nikolas Kurti, rezulton se ditën e ngjarjes, ka patur një debat midis viktimës dhe tre djemve të baballarëve, në ‘Gare du Midi’ në Bruksel. Një person i katërt ka ndërhyrë, toni është rritur dhe personi ka nxjerrë thikën.

Motivi i krimit

Motivi i vrasjes: Raporti midis viktimës dhe shtetases L. po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër. Në shtator dhe tetor 2000, Nikolas Kurti deklaron në polici se kunati i tij është lidhur me Markun (Besnik Morina) dhe shtetasin Hile Joka për të vrarë shtetasin Aleksandër Kurti. Prindërit e Kurtit jetojnë në Amerikë me djalin e tyre, Nikolas. Vëllai i tij Georges është larguar nga Shqipëria për një destinacion të panjohur në Europë. Ai është i kërkuar nga banda e të katërve.

Marku, me vëllezërit e tij Nardi dhe Arben, ka qenë përgjegjës për tri prostituta, që banojnë bashkë. Sipas dëshmitarit anonim ata quhen “Frroku”. Viktima me origjinë nga Shkodra (Shqipëri) është hequr si polic i Interpolit dhe se në Shqipëri e njeh familjen e shtetases L. Nga frika se mos familja e saj mësonte mbi punën që ajo bënte në Belgjikë, shtetasja L. i telefonon tutorit të saj Nardi (Frroku alias Shkurt Lasku) i cili ndodhej në atë kohë në Shqipëri. Ai e këshillon të njoftojë të vëllain Dritan (Besnik Morina). Dritani e fton t’i ngrejë një kurth viktimës në “Gare du Midi”. Shtetasja L. kontakton me telefon me Aleksandër Kurtin dhe e siguron se ajo do të ishte vetëm me të në takim. Në orën dhe vendin e caktuar, nuk është L., e cila pret viktimën, por katër persona të cilët kanë për qëllim ta vrasin.

Prokuroria në Shqipëri

Këto veprime kualifikohen si elemente të anës objektive të veprës penale “vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Në këto kushte, nga Prokuroria e Përgjithshme është provuar se deputeti Mark Frroku ka konsumuar elemente të veprës penale të “vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Për këtë fakt është regjistruar procedimi penal përkatës nr. 2 i vitit 2015. Vepra penale e vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim, paraqet rrezikshmëri shoqërore shumë të lartë dhe në këto kushte kërkesa e organit të akuzës është për një masë sigurimi të karakterit shtrëngues “arrest në burg”, për shtetasin Mark Frroku.

Në aplikim të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale masat e sigurimit mund të caktohen vetëm nëse në ngarkim të tij ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova. Sipas parashikimeve të nenit 229 të Kodit të Procedurës Penale, masat e sigurimit vendosen në raport me rëndësinë e faktit dhe sanksionet që parashikon vepra penale për të cilën dyshohet, respektivisht nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal. Për sa më sipër, me qëllim për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm nga Prokuroria, bazuar në nenet 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, kërkoj nga Kuvendi autorizimin për arrestimin ose heqjen e lirisë, së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Mark Frroku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat