Vrasja në Belgjikë, Frroku do të flasë në Këshillin e Mandateve

Shqipëria

Vrasja në Belgjikë, Frroku do të flasë në Këshillin e Mandateve

Më: 30 mars 2015 Në ora: 08:15

Mark Frroku do të kthehet të martën në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren e Mandateve dhe Imunitetit, për të dhënë sërish shpjegime për një tjetër akuzë të Prokurorisë së Përgjithshme. Frroku këtë herë do të duhet të japë shpjegime mbi kërkesën e organit të akuzës për arrestimin e tij, i akuzuar për një vrasje nga drejtësia belge. Vendimi për pjesëmarrjen e Frrokut u mor në mbledhjen e djeshme të Këshillit, që u drejtua nga kryetari i kuvendit, Ilir Meta. Në përfundim të mbledhjes, e cila zgjati për rreth 25 minuta, avokatët mbrojtës të deputetit, thanë se kërkesa e tyre për praninë e deputetit Frroku, u pranua nga Këshilli. Por më parë, duhet një leje e prokurorisë, në mënyrë që Frroku të dalë nga banesa e tij, pasi Gjykata e Lartë e ka lënë atë në masën e sigurisë arrest shtëpie në çështjen “Doshi”.

Këshilli

“Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin vendosi që të pranojë kërkesën procedurale të dy avokatëve për praninë e Mark Frrokut në mbledhje. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin vendosi që të vijojë mbledhjen ditën e martë, datë 31 mars 2015, ora 12:00”, - informoi Kuvendi, pas përfundimit të mbledhjes së djeshme, që zgjati për rreth 25 minuta dhe u zhvillua pa praninë e medias. Prokuroria ePërgjithshme ka kërkuar autorizim për “arrestimin” e shtetasit Mark Frroku, pasi autoritetet gjyqësore belge kanë nxjerrë ndaj tij urdhrin e arrestit ndërkombëtar, si person i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim”.

Sipas autoriteteve belge, kjo ngjarje ka ndodhur në datën 5 mars të vitit 1999 në Bruksel, ku kanë marrë pjesë 4 shtetas shqiptarë, midis tyre edhe deputeti Mark Frroku. Rreth 11 vite më pas, në datën 15 janar 2010, Gjykata për Krime të Rënda e Brukselit ka dënuar secilin prej të dyshuarve me 10 vite burg. Ky proces gjykimi është zhvilluar në mungesë të personave të dyshuar, të cilët janë përfaqësuar nga avokatët e tyre. Sipas materialit të prokurorisë, dy prej të akuzuarve, njëri prej të cilëve edhe Mark Frroku, kanë apeluar këtë vendim, me arsyetimin se avokatët e tyre kanë qenë kontradiktorë në mbrojtjen e klientëve, pa shprehur qartësisht kundërshtimin e akuzës. Në bazë të legjislacionit procedural penal të Belgjikës, ky arsyetim i prezantuar nga të akuzuarit është argument për të pranuar apelimin. Gjykata belge e Kasacionit, me vendimin e datës 24 mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim.

Bazuar në aktet që i janë vënë në dispozicion prokurorisë shqiptare, rezulton se shtetasi Mark Frroku dhe 3 bashkatdhetarë të tij, janë personat e akuzuar për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në vitin 1999. Sipas materialeve hetimore, rezulton se kjo vrasje është pasojë e përplasjeve së grupeve që merren me prostitucionin në Bruksel. Ndërkohë që mësohet se në relacionin që shoqëron kërkesën e prokurorisë, bazuar në të dhënat e autoriteteve belge, thuhet se ishte Arben Frroku, vëllai i deputetit, ai që porositi vrasjen e Aleksandër Kurtit, vrasje për të cilën u paguan 10 mijë dollarë. Në urdhërarrestin belg zbardhet mbledhja e pleqësisë për gjakun. Gjatë kësaj mbledhjeje, baballarët e përgjegjësve japin shpjegime mbi rrethanat e vrasjes dhe e pranojnë ose jo përgjegjësinë e tyre.

Sipas këtij zakoni, në mbledhje është deklaruar se duhej të merrej gjaku, dhe se një dënim i rëndë në Belgjikë është i barabartë me një jetë. Mbledhja konfirmoi se arsyeja e vrasjes se Aleksandër Kurtit ka qenë larja e hesapeve ne lidhje me shtetasen L.A. Vëllai i viktimës, Nikolas Kurti ka deklaruar se Arben Frroku ishte porositës i vrasjes së vëllait të tij. Për këtë ngjarje, autoritetet belge akuzojnë 4 shtetas shqiptarë, ndër të cilët edhe shtetasin Mark Frroku, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i cili njihej me pesë identitete. Pas sugjerimit të Këshillit, seanca plenare, do të votojë sërish për heqjen e imunitetit të deputetit Mark Frroku duke pranuar kërkesën e dytë të Prokurorisë për arrestimin e tij.

PKD: Akuzat ndaj Frrokut, fushatë sulmesh politike

Partia Kristian Demokrate ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj deputetit Mark Frroku, me pretendimin se këto akuza nuk janë provuar nga drejtësia. PKD-ja i quan akuzat të jashtëligjshme dhe të motivuara politikisht në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, ndërsa akuzon Prokurorinë, që sipas saj, po shkel rëndë ligjin. “PKD-ja shprehet tejet e shqetësuar që drejtësia shqiptare dhe opinioni publik po mbahet nën presion të rëndë nga një valë akuzash monstruoze të cilat cenojnë rëndë dinjitetin e kryetarit të partisë, Mark Frrokut, si qytetar, si familjar, por dhe si i zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo fushatë e pamoralshme sulmesh po bëhet edhe ndaj PKD-së, e motivuar qartësisht për qëllime të paskrupullta politike, tashmë që vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit.

Pjesë e kësaj fushate denigruese ndaj nesh është bërë edhe organi i akuzës, i cili me këto hapa po shkel rëndë ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, deklaron kryesia e PKD-së. Sipas partisë të drejtuar nga Frroku, të gjithë shqiptarët e panë përmes vendimit për masën e sigurisë dhënë ndaj dy deputetëve nga Gjykata e Lartë se Prokurori i Përgjithshëm doli bllof para shqiptarëve. Por, sipas kësaj partie, shpërdorimi vazhdon ende me veprime antiligjore ndaj kryetarit të PKD-së, Mark Frrokut të cilat i konsiderojmë njëherësh edhe si shantazh të pastër ndaj drejtësisë. “Ne besojmë se kreu i PKDsë, Mark Frroku nuk bie pre e presioneve të askujt për aq kohë sa ligji dhe e drejta është me të. Akuzat ndaj kryetarit, Frroku për vrasje dhe aktivitete të tjera kriminale janë një cenim i rëndë edhe ndaj forcës tonë politike, derisa ato nuk janë të provuara nga drejtësia.

Askush nuk ka pse të nxitohet apo irritohet derisa gjykata të thotë fjalën e vet, për aq kohë sa edhe kryetari i PKD-së e ka bërë të qartë se në çdo moment është i gatshëm për tu përballur me akuzuesit e tij para drejtësisë, në Shqipëri, Belgjikë apo në çdo vend tjetër të botës”, - thuhet në deklaratën e kryesisë së kristian demokratëve “PKD iu bën thirrje të gjithë anëtarësisë, strukturave drejtuese të saj dhe mbështetësve që të distancohen nga kjo fushatë denigruese që po bëhet ndaj nesh dhe të mbrojmë të gjithë bashkërisht vlerat dhe aksionin politik kristian demokrat, duke kërkuar me forcë garancitë për zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës nga institucionet në vend”, - përfundon deklarata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat