PKD:Drejtësia po mbahet nën presion, akuzat cënojnë dinjitetin

Shqipëria

PKD:Drejtësia po mbahet nën presion, akuzat cënojnë dinjitetin

Më: 29 mars 2015 Në ora: 18:20

Partia Kristian Demokrate përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat ka reaguar duke thënë se drejtësia po mbahet në presion dhe se akuzat që janë bërë ndaj kreut të kësaj partie Mark Frrokut janë akuza që kanë për qëllim të cënojnë dinjitetin e deputetit. Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat akuzat se Frroku ka kryer një krim në Belgjikë janë akuza të cilat nuk janë provuar asnjëherë.

Më poshtë njoftimi i PDK shpërndarë për mediat

PKD shprehet tejet e shqetësuar që drejtësia shqiptare dhe opinioni publik po mbahet nën presion të rëndë nga një valë akuzash monstruoze të cilat cënojnë rëndë dinjitetin e kryetarit të partisë, z. Mark Frroku, si qytetar, si familjar, por dhe si i zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo fushatë e pamoralshme sulmesh po bëhet edhe ndaj PKD-së, e motivuar qartësisht për qëllime të paskrupullta politike, tashmë që vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit.

Pjesë e kësaj fushate denigruese ndaj nesh është bërë edhe organi i akuzës, i cili me këto hapa po shkel rëndë ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Të gjithë shqiptarët e panë dje përmes vendimit për masën e sigurisë dhënë ndaj dy deputetëve nga Gjykata e Lartë se Prokurori i Përgjithshëm doli blof para shqiptarëve, por shpërdorimi vazhdon ende me veprime antiligjore ndaj kryetarit të PKD-së, z. Mark Frroku të cilat i konsiderojmë njëherësh edhe si shantazh të pastër ndaj drejtësisë.

Ne besojmë se kreu i PKD-së, z. Mark Frroku nuk bie pre e presioneve të askujt për aq kohë sa ligji dhe e drejta është me të. Akuzat ndaj kryetarit, z. Mark Frroku për vrasje dhe aktivitete të tjera kriminale janë një cënim i rëndë edhe ndaj forcës tonë politike, derisa ato nuk janë të provuara nga drejtësia.

Askush nuk ka pse të nxitohet apo irritohet derisa gjykata të thotë fjalën e vet, për aq kohë sa edhe kryetari i PKD-së e ka bërë të qartë se në çdo moment është i gatshëm për tu përballur me akuzuesit e tij para drejtësisë, në Shqipëri, Belgjikë apo në çdo vend tjetër të botës.

PKD iu bën thirrje të gjithë anëtarësisë, strukturave drejtuese të saj dhe mbështetësve që të distancohen nga kjo fushatë denigruese që po bëhet ndaj nesh dhe të mbrojmë të gjithë bashkërisht vlerat dhe aksionin politik kristian demokrat, duke kërkuar me forcë garancitë për zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës nga institucionet në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat