Basha: Kryeministri Rama futi trafikantët dhe kriminelët në sallën e Parlamentit

Shqipëria

Basha: Kryeministri Rama futi trafikantët dhe kriminelët në sallën e Parlamentit

Më: 29 mars 2015 Në ora: 16:32

Protestat qytetare kundër varfërisë, pasigurisë dhe krimit të veshur me pushtet kanë vijuar në qytetin e Kukësit. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka theksuar se shqiptarët kanë bashkuar zërin në protesta sepse koha nuk pret, varfëria, mjerimi, papunësia dhe pasiguria po rriten rrufeshëm.

“Koha nuk pret, sepse një ditë më shumë, është një ditë më shumë në skamje, në varfëri, është një ditë më shumë pa punë, është një ditë më shumë zhytur në borxhe. Në çdo fshat, qytet, në çdo lagje, kudo ka pllakosur mjerimi. Nuk ka vende pune, nuk ka para, nuk ka asnjë mundësi zhvillimi. Nuk ka mirëqenie. Janë mbyllur të gjitha rrugët, janë shtuar vetëm mundimet e faturave të larta të energjisë, tarifat e rritura të arsimit, çmimet e shtrenjtuara, taksat në qiell”,- tha Basha.

Kryetari i PD-së tha se qeveria sot, nuk është gjë tjetër veçse një grusht njerëzish që rrit pasurinë e saj dhe vështirëson jetën e qytetarëve.

"Në krye kemi një bandë që ofron vetëm burgun për të pamundurit, errësirën për të varfrit, taksat e larta për biznesin, tarifat e larta për studentët.

Dyshja Rama-Meta dhe takëmi i tyre janë zhytur në një korrupsion të shfrenuar, në një garë të ethshme mes tyre se kush të kapë më shumë tendera, përfitime, konçesione.

Qindra milionë euro po ndajnë ata me klientelën e tyre, teksa ju dhe qytetarët në gjithë vendin, jeni në kufijtë e mbijetesës.

Këtë model kanë instaluar në çdo segment të qeverisjes. Zhvatje, arrogancë e nëpërkëmbje të qytetarëve, kudo ku halli i bën të trokasin në dyert e shtetit", - theksoi Basha.

Kreu i opozitës Lulzim Basha e ka cilësuar dekriminalizimin një emergjencë kombëtare. Duke iu referuar rastit të deputetit Frroku, i kërkuar nga drejtësia belge, zoti Basha tha se sot çdo shqiptar e sheh sesi Edi Rama ngriti pushtetin e tij mbi krimin.

"Kur ne denoncuam aleancën e tij me krimin, kur i thamë që deputeti i përzgjedhur prej tij kishte probleme të rënda me drejtësinë belge, Edi Rama doli shëtitje me të në Shkodër e në Veri.

Kur ne i thamë se të inkriminuarit e tij, po marrin në mbrojtje trafikantët e drogës duke i strehuar në makinë, Edi Rama u shfaq me Mark Frrokun në krahun e djathtë, edhe në takime me qytetarët.

Po tani që erdhi kërkesa e Interpolit nga Brukseli që kërkon arrestimin e deputetit të tij për vrasje, çfarë do të thotë Edi Rama? Çfarë do t’i thotë popullit që ka ngritur gishtin e akuzës drejt tij?

A do të mbajë përgjegjësi për faktin se e solli në Parlament, e bëri pjesë të vendimmarrjes, votoi ligje me të, e përdori për të mbyllur hetimin ndaj Ilir Metës, për akuzën më të rëndë të 25 viteve, teksa ia dinte të gjithë bëmat dhe ia mbante të fshehura në sirtar për ta shfrytëzuar për interesat e tij.

Po ai nuk është i vetmi rast. Edi Rama e ka mbushur grupin parlamentar me të inkriminuar, i ka vënë në krye të punëve; të inkriminuar gjen aty ku shërbehet, aty ku merren vendimet për jetën tonë, aty ku dalin shkresa e ku vendosen vula.

E ka kthyer në normë, dhe po ua servir qytetarëve prej dy vitesh trafikantët e drogës, gangot e prostitucionit, vrasësit e rrëmbyesit, sikur të ishin më të virtytshmit nga ne, po ua servir qytetarëve të vendit prej dy vitesh punët më të pista, sikur të ishin vlerat më të larta.

Dhe kur mbarë populli është i tronditur nga gangsterët me pushtet të Edi Ramës, kur Europa është e tronditur nga kjo shkallë e paimagjinueshme inkriminimi, i vetmi që nuk shprehet, që nuk përmend një herë të vetme fjalën dekriminalizim, është Edi Rama. Madje po bën të pamundurën për ta shtyrë, për ta zvarritur, për ta ndalur, për ta futur në kalenda” - theksoi Basha.

Lideri i opozitës ka theksuar se 21 qershori do të shënojë ndarjen përfundimtare të pushtetit me krimin. Demokratët do t’i japin shqiptarëve ofertën e re që zgjidh dhe nuk shton hallet e qytetarëve.

"Përpara kemi ndarjen përfundimtare me krimin. Dhe këtë do ta bëjmë bashkë me ju, bashkë me gjithë shqiptarët me 21 qershor. Kukësi dhe vendi ynë ka nevojë për një ofertë të re. Për një ofertë që del nga kontakti i përditshëm me qytetarët, nga komunikimi me ta.

Koha po afrohet, dhe ne jemi gati. Kemi ofertën e re; për një qeveri që ndihmon e gjendet në krahun tuaj, e që nuk sundon me dhunë.

Për një qeverisje që kontrollohet nga qytetarët e që jep llogari. Për një rend të ri ku vendimet merren bashkë me ju. Ku ju dhe mbarë shqiptarët të pyeteni sa herë duhet, e jo një herë në 4 vite.

Oferta e re do të ketë pamjen e bukur, të më të mirëve të bijve dhe bijave tona. Me më të mirët e bijve dhe bijave tona do ta çojmë në arkiv këtë kohë të maskarenjve"-deklaroi kreu i demokratëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat