Legalizim për 14 mijë ndërtime

Shqipëria

Legalizim për 14 mijë ndërtime

Më: 29 mars 2015 Në ora: 09:47

Edhe 14 mijë ndërtime pa leje pritet të marrin zgjidhje, pasi kanë qenë “viktima” të planeve urbanistikë në bashkitë e Tiranës dhe Kamzës. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, u shpreh dje se “pritet t’u jepet zgjidhje rreth 14 mijë ndërtimeve pa leje të penalizuara nga parashikimet absurde të Planeve Urbanistike të Bashkisë Tiranë dhe Bashkisë Kamëz”. Ai ndodhej në zonën e Bathores për të vizituar zyrat e agjencisë që drejton dhe duket se ka dhënë shpresë edhe për mijëra banorë të tjerë.

“Për shkak të numrit të lartë të ndërtimeve pa leje dhe vetëdeklarimeve, që përfshin qarku i Tiranës, është e pamundur që ato të menaxhoheshin vetëm nga një zyrë qendrore brenda në qytet. Për këtë menduam, dhe ka mbi një vit që janë hapur këto zyra, hapjen prej një numri prej 10-12 zyrash vendore pranë zonave që kanë më tepër ndërtime pa leje, për të qenë më pranë qytetarëve”, u shpreh kreu i Agjencisë së Legalizimeve. Sipas tij, këto zyra qëndrojnë me sistem dezhurni me punonjës të ALUIZNI-t, të cilët presin problematikat e qytetarëve. Zyra të tilla funksionojnë në Bathore, Paskuqan, Vorë, Rrogozhinë dhe Laprakë për Qarkun e Tiranës.

Më tej, Lame shpjegoi edhe vetë brenda qytetit të Tiranës, i cili ndonjëherë duket sikur nuk i ka të ngarkuara këto problematika, janë prapë një numër zyrash sipas njësive administrative të Tiranës dhe sipas problematikave që ka. ALUIZNI ka 40 grupe pune, rreth 100 specialistë, që punojnë në terren vetëm në qytetin e Tiranës me matjet e ndërtimeve informale të vetëdeklaruara. Këto grupe pune po shfrytëzojnë edhe fundjavat për të bërë matje masive. Tirana është një nga qytetet me numrin më të madh të ndërtimeve informale, me rreth 45 mijë vetëdeklarime.

Megjithatë problematika e krijuar nga planet urbanistikë të bashkive pritet të jetë një shtesë në serinë e “halleve” të ALUIZNI-t. Një ditë më parë ALUIZNI njoftoi se në mesin e 427 mijë ndërtimeve pa leje në të gjithë territorin e Shqipërisë ka dhe nga ato që gjenden brenda oborreve të institucioneve shtetërore. Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZINI- t bëri publike 55 institucionet qendrore dhe vendore, bashkëngjitur me shtesat dhe ndërtimet në shkelje të ligjit.

Në listë ka institucione të administratës qendrore, ministri, institucione varësie, agjenci, institucione arsimore, drejtori rajonale, duke vazhduar më tej me institucione të qeverisjes vendore, komuna e bashki. Në krye të kësaj liste qëndronte Drejtoria e ALUZINI-t në Tiranë, ku në vitin 2008 ishte ndërtuar një kat shtesë. Kreu i ALUZNI-t, Artan Lame, deklaroi se këto nuk janë të vetmet drejtori, ku janë bërë ndërhyrje pa leje, duke shtuar se nëpërmjet një aktin nënligjor do të legalizohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat