Arrest shtëpie për dy deputetët, Avokatët: Çështja 'Doshi' në Strasburg

Shqipëria

Arrest shtëpie për dy deputetët, Avokatët: Çështja 'Doshi' në Strasburg

Më: 28 mars 2015 Në ora: 19:39

Gjykata e Lartë vendosi sot masën e sigurisë arrest shtëpie për dy deputetët Mark Frroku dhe Tom Doshi. Pas disa orë seance, Kolegji Penal dha verdiktin për ti lënë ata të lirë, ndërkohë që procesi i hetimi nuk ka mbaruar.

Përshtypje bëri hyrja e dy deputetëve në seancë, ku Mark Frroku është shoqëruar me pranga në të dyja duart kurse Tom Doshi me njërën dorë në xhepa dhe tjetërn të lidhur me pranga me policin.

Familjarë dhe mbështetës të dy deputetëve ishin mbledhur para Gjykatës së Lartë në pritje të vendimit për ta. Dy avokatët e Frrokut, Genc Gjokutaj dhe Sajmir Vishaj, e konsideruan këtë vendim si një fitore, edhe pse procesi i hetimit vijon.

Ata thanë se klienti i tyre nuk ka lidhje me asnjë nga akuzat e ngritura, dhe se gjithçka në adresë të tij është e gjitha një farsë.

"Atëherë u vendos arresti shtëpiak, absolutisht nuk jemi dakord me këtë vendim. Sigurisht ju e keni ndjekur dhe në fillim të gjykimit, Prokuroria ka vepruar në mënyrë të jashtëligjshme, duke ushtruar presion mbi gjykatën. Sigurisht që hetimi vijon por ne do ta kundërshtojmë. Absolutisht, madje të gjitha atribuimet që ka bërë dhe të gjitha provat e tjera janë të gjitha në favor të tij. Do të jemi në kontakt.Ne falenderojmë Kolegjin Penal që na njohu me provat, të gjitha provat që kërkonte Prokuroria që bazonte kërkesat e saj ishin në favor të klientit tonë; e para provoi që ngjarja është farsë dhe klienti jonë nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje e cila është e sajuar, por që ne jemi ende të pakënaqur edhe pse Kolegji Penal sot vendosi lirimin e tij por me arrest shtëpie. Ngjarja është e sajuar, nuk ka lidhje fare sepse ne kemi dëgjuar dhe deklarimet dhe përgjimet qëe janë bërë ndërmjet Durim Bamit dhe Tom Doshit, të cilat hiç nuk njihen fare. Edhe për rastin belg nuk ka lidhje klienti ynë," thanë avokatët e Mark Frrokut.

Edhe avokatët e Tom Doshit, Vladimir Meçe dhe Ferid Muçaj kanë qëndruar gjatë gjithë kohës në Gjykatën e Lartë për të shoqëruar klientin e tyre.

Pas shpalljes së masës së sigurisë arrest shtëpive ata deklaruan se nuk pajtohen as me këtë vendim dhe se do ta çojnë çështjen në Gjykatën e Strtasburgut për aq kohë sa ligji ua lejon.

Për më tepër dy avokatët deklaruan se Tom Doshi ka prova të tjera, që vërtetojnë atë se çka ka thënë deri më tani: se Ilir Meta kreu i Kuvendit të Shqipërisë ka planifikuar një atentat ndaj tij.

"Do të shkojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Strasburgut.Patjetër që kjo është e ligjshme. Ne mendojmë se vendimi i Gjykatës së Lartë është i padrejtë dhe i pambështetur në ligj dhe nuk ka vlerësuar mirë kriteret ligjore. Prova të reja nuk pati Prokuroria asnjë. Ato prova që ka thënë deri më tani, madje përkundrazi në u njohëm me provat dhe ka prova të tjera që vërtetojnë ato që ka thënë Tom Doshi. Nuk mund ti bëjmë publike tani por ne u njohëm edhe me prova të tjera që vërtetojnë ato që ka thënë Tom Doshi. Prandaj në këto kushte ne e konsiderojmë vendimin e Gjykatës të pabazuar, hapa të mëtejshme do të shohim rrugës duke parë e dukë bërë," thanë avokatët e Tom Doshit.

Ndërkaq është vendosur që seanca për caktimin e masës së sigurisë për Durim Bamin do të mbahet ditën e hënë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat