KE për ndalimin e dy deputetëve: Po ndjekim çështjen, përparësi sundimi i ligjit

Shqipëria

KE për ndalimin e dy deputetëve: Po ndjekim çështjen, përparësi sundimi i ligjit

Më: 27 mars 2015 Në ora: 21:30

Komisioni Europian ka reaguar pas heqjes së imunitetit dhe ndalimit të menjëhershëm të dy deputetëve shqiptarë. Të kontaktuar nga Top Channel zyra e shtypit pranë Komisionerit Hahn sqaron se “BE i jep përparësinë më të madhe sundimit të ligjit dhe zbatimit të plotë të shtetit të së drejtës, pa asnjë kompromis’.

“Ne mbajmë shënim për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, urdhëruar nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për dëshmi false ndaj komplotit të dyshuar për vrasje. Ne presim një proces të shpejtë, të papenguar dhe të plotë për të hedhur dritë mbi këtë rast, si dhe vazhdimin e hetimeve të urdhëruara nga Prokuroria që të kryhen shpejt dhe në mënyrë të plotë,” thuhet në këtë qëndrim.

Më tej shtohet se “BE përsërit rëndësinë për të gjitha institucionet e përfshira, si Prokurori i Përgjithshëm, Parlamenti, institucionet e drejtësisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, që të përmbushin përgjegjësitë e tyre respektive për të siguruar një proces të duhur dhe në përputhje me ligjin.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat