Shqipëria në BE, 91 për qind e shqiptarëve pro integrimit

Shqipëria

Shqipëria në BE, 91 për qind e shqiptarëve pro integrimit

Më: 27 mars 2015 Në ora: 18:01

Delegacioni i BE-së dhe Fondacioni SOROS publikojnë të dhënat e Anketimit Kombëtar të Perceptimit për anëtarësimin e vendit në BE. Vetëm 5 për qind e shqiptarëve janë euroskeptikë.

Shqiptarët vazhdojnë të mbështesin masivisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa euroskeptikët mbetën në minorancë edhe gjatë vitit 2014. Në rastin hipotetik të një referendumi, 91 për qind e shqiptarëve do të votonin pro integrimit të vendit në BE, ndërsa vetëm 5 për qind do të votonin kundër.

Ky është rezultati i Anketimit Kombëtar të Perceptimit të Anëtarësimit të Shqipërisë në BE, i realizuar përgjatë vitit 2014 nga Fondacioni SOROS dhe i prezantuar në Tiranë nga Delegacioni i Bashkimit Europian.

Sipas anketimit, mbi 90 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë integrimin në BE si të rëndësishëm dhe me përfitime për Shqipërinë. Shqiptarët besojnë se ky proces do të përmirësojë sistemin arsimor, ekonominë, mbrojtjen e mjedisit apo mirëqeverisjen në vend.

Megjithatë, shqiptarët ndahen thuajse përgjysmë, kur pyeten nëse vendi është gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. 53 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se vendi është gati për këtë proces, ndërsa 43 për qind mendojnë se Shqipëria ka ende rrugë për të bërë.

Anketimi zbuloi se perceptimi i shqiptarëve për Bashkimin Europian vazhdon të lidhet me lëvizjen e lirë, studimin apo mundësinë për t’u punësuar. Ndërsa 60 për qind e të anketuarve e shohin këtë proces me ndikim për demokracinë e brendshme në vend.

Prej qershorit 2014, Shqipëria është zyrtarisht vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Pas marrjes së statusit, qeveria e majtë e Edi Ramës projektoi fundin e vitit 2015 si kohën kur shpreson hapjen e negociatave me BE-në.

Shqipëria njihet si një ndër vendet me përkrahje të gjerë të anëtarësisë në Bashkimin Europian, me një mbështetje të gjerë popullore, që nuk ka rënë asnjëherë poshtë 85 për qind të popullsisë./BIRN

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat