Tom Doshi 4 orë në pyetje nga prokurorët

Shqipëria

Tom Doshi 4 orë në pyetje nga prokurorët

Më: 27 mars 2015 Në ora: 17:32

Ndryshe nga rasti me Mark Frrokun, marrja në pyetje e deputetit tjetër Tom Doshi ka zgjatur për rreth 4 orë nga prokurorët e çështjes.

Burimet bëjnë të ditur se dëshmia e Doshit është shoqëruar me tensione e ngritje zëri, pasi Tom Doshi nuk ka qenë dakord me akuzat ndaj tij, dhe ka pretenduar se ato janë të pavlefshme.

Pas këtij procesi avokatët e Tom Doshit, Vladimir Meçe dhe Ferid Muçaj deklaruan shkurtimisht se si nga ana e Doshit ashtu edhe nga ana e tyre vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim se Doshi është i pafajshëm dhe se është depozituar një kërkesë për lirimin e tij, për të cilën pritet edhe përballja në Gjykatën e Lartë.

Meçe: Presim Gjykatën e Lartë

"Të njëjtin qëndrim që ka mbajtur deri tani, qëndrim që është bërë publik dhe s'ka nevojë të përsëritet tani, atë qëndrim që ka mbajtur deri tani mbajti edhe sot. Marrja në pyetje zgjati 4 orë sepse kaq ishte e nevojshme koha dhe kaq zgjati. Për hapat e mëtejshëm presim Gjykatën e Lartë, gjyqin në Gjykatë të Lartë. Shpresojmë që sot ta dërgojnë kërkesën në Gjykatë të Lartë, nëse nuk e dërgojnë sot jemi në kufijtë e orarit zyrtar të mbarimit, mund ta çojnë edhe nesër. Ne kemi depozituar një kërkesë siç kemi premtuar dje në Gjykatën e Lartë", tha Meçe.

Ndërkohë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u mor në pyetje Durim Bami për akuzën e kallëzimit të rremë.

Mësohet se Durim Bami ka dalë kundër Tom Doshit, dhe mohon faktin se është kërcënuar me jetë. Për 4 orë me radhë edhe Durim Bami është marrë në pyetje nga prokurorët e çështjes, dhe i ka mohuar të gjitha faktet.

Avokati mbrojtës, Ilir Murati ka thënë se e gjithë historia është inskenuar nga Mark Frroku dhe Tom Doshi. Durim Bami është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga qelit e paraburgimit të Fushë Krujës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat