Studimi: 91% e shqiptarëve pro anëtarësimit në BE

Shqipëria

Studimi: 91% e shqiptarëve pro anëtarësimit në BE

Më: 27 mars 2015 Në ora: 17:05

Nëse nesër do të zhvillohej një referendum mbi anëtarësimin e Shqipërisë në BE, 91% e shqiptarëve do të votonin pro këtij anëtarësimi.

Ky është përfundimi i një studimi të publikuar të premten në Tiranë mbi: Perspektivën evropiane e Shqipërisë, të ndërmarrë nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur (SOROS).

“Studimi kombëtar mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë–Perceptime dhe Realitete”, i kryer në Maj–Tetor 2014 u prezantua sot në ambientet e qendrës së BE në Tiranë, në praninë edhe të ministres së Integrimit Klajda Gjosha.

Ministrja tha se ky është një nga studimet më të mira dhe bën që ta shohim më me objektivitet të ardhmen në BE dhe informimin e qytetarëve.

Gjosha: Shqiptarët e duan BE-në

“Ajo çka është e rëndësishme dhe që unë e ndiej çdo ditë në punën time është që në çdo takim me ndërkombëtarët unë pyetem: sa për qind e qytetarëve shqiptarë e duan Evropën: Dhe t'ju them të vërtetën me shumë krenari, dhe këtë e nënvizoj them se 87% e qytetarëve e shqiptarëve janë pro BE-së, janë pro procesit të Shqipërisë drejt BE-së, janë pro procesit të Shqipërisë drejt BE-së. Kjo është një nga shifrat më të fundit që ka dalë në studime dhe unë e përdor këtë shifër në fakt për tu treguar vendeve anëtare sa vlerë e shtuar është Shqipëria për BE-në. Ajo çka gjithmonë theksoj dhe ajo çka gjithmonë përcjell në komunikimin tim me qytetarët është dhe fakti që shpeshherë shqetësohem: Është ky 87% i bindur për procesin e integrimit të Shqipërisë drejt Evropës. Ajo çka institucionet në radhë të parë duhet të kuptojnë është se kjo është një punë e përditshme e çdo institucioni, pra që këtu fillon informimi”, tha Gjosha.

Ndërsa Romana Vlahutin, Ambasadore e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, u shpreh se një nga pyetjet më të rëndësishme që BE bën është se si t’u shpjegojmë qytetarëve shqiptarë se për çfarë shërben BE-ja.

Vlahutin e konsideroi përgjegjësi të madhe faktin se pothuajse të gjithë shqiptarët besojnë te BE më shumë se te çdo institucion tjetër.

Ambasadorja e BE: Shqiptarët besojnë tek BE më shumë se çdo institucion tjetër

“Vij nga një vend që është anëtarësuar së fundmi dhe këtë problem kemi pasur edhe aty. Procesi i integrimit është i gjatë, dramatik, por do ta ndryshojë vendin tuaj përgjithmonë. Çfarë po ndodh përmes këtij procesi? Shqipëria po merr reformat dhe bazat që i kanë të gjithë vendet e BE dhe pas këtij procesi Shqipëria do të jetë e gatshme të jetë anëtare e BE dhe atëherë të gjithë do ta kuptojnë se për çfarë shërben BE. Ndryshimi do të ndodhë në procesin përpara se Shqipëria të hyjë në BE, jo kur të jetë brenda BE. Pra kjo po ndodh tani në Shqipëri, procesi i ndryshimit. Por nëse ky proces bëhet vetëm për hyrjen në BE, atëherë ky nuk është një ndryshim i mirë. Procesi duhet të vijë nga Shqipëria dhe shqiptarët. Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të kërkojnë shërbime nga qeveria e tyre, por kanë edhe detyrime si pagesa taksave, shmangia e korrupsionit etj. Qytetarët evropianë japin para për shqiptarët, pikërisht që të ndodhë ky ndryshim. Shqiptarët besojnë tek BE më shumë se çdo institucion tjetër, kjo është një barrë e madhe për ne, por edhe një sinjal që tregon se procesi duhet të vijojë pavarësisht vështirësive”, tha Vlahutin.

Midis gjetjeve të shumta; studimi tregon se 77% e shqiptarëve mendojnë se integrimi i Shqipërisë në BE është i rëndësishëm; ndërsa 87% e shqiptarëve mendojnë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të jetë diçka e mirë.

Gjithashtu 92% mendojnë se Shqipëria do të përfitojë shumë nga të qenit anëtar në BE.

Ndërkohë sektorët që shqiptarët mendojnë se do të përmirësohen më tepër nga aderimi në BE janë arsimi, ekonomia, mjedisi, eksporti produkteve dhe mirëqeverisja. 53% e shqiptarëve mendojnë se vendi është gati t’i bashkohet BE, ndërsa 69% shprehen se BE duhet të na pranojë si anëtar, megjithëse Shqipëria nuk është ende gati.

Ndërkohë sa i përket pritshmërive për të ardhmen, problemet kryesore me të cilat po përballen shqiptarët sot janë papunësia 45%, krimi 31%, gjendja ekonomike e vendit 30%. Por 71% e shqiptarëve presin që gjendja ekonomike e vendit të jetë më e mirë në 12 muajt e ardhshëm. Kjo është shifra më e lartë në Evropë duke lënë pas nivelet e optimizmit në Mal i Zi 47.2%, Islandë 43.2% dhe Suedi 40.7%. Ndërsa, sa i takon perceptimit për korrupsionin, 87% e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni në Shqipëri është më i përhapur se në vendet e tjera evropiane.

Ndërsa 92% mendojnë se korrupsioni është problemi kryesor i vendit.

Prezantimi i rezultateve të botimit të këtij studimi, u ndoq nga një numër i madh përfaqësuesish të Ambasadave të vendeve anëtare të BE –së në Shqipëri dhe përfaqësues të Institucioneve Shqiptare. Gjithashtu të ftuarit në panel zhvilluan një sesion pyetje – përgjigje me të pranishmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat