Kur shteti nuk njeh autoritetin e tij

Shqipëria

Kur shteti nuk njeh autoritetin e tij

Më: 27 mars 2015 Në ora: 13:25

Në fund të muajit janar, ALUIZNI mbylli procesin e vetëdeklarimit të ndërtimeve pa leje në të gjithë territorin e vendit. Gjatë këtij procesi rezultoi se janë 427.000 ndërtime pa leje, të shtrira nga pikëpamja hapësinore, në të gjithë territorin e republikës dhe, nga pikëpamja kohore, duke filluar që prej vitit 1991 e deri në vitin 2014.

ALUIZNI përfshiu në këtë proces dhe ndërtimet e bëra nga institucionet shtetërore dhe ato të pushtetit vendor. Pas përpunimit të të dhënave, rezultoi se janë disa qindra institucione shtetërore publike të cilat përgjatë viteve kanë ndërtuar pa leje. Por, jo vetëm kaq!

“Është e paimagjinueshme që një shtet të ndërtojë pa leje, në një kohë që ka ligje që dënojnë qytetarët që e bëjnë një gjë të tillë, për më tepër kur ka bërë edhe ligje për legalizimin e ndërtimeve pa leje”, shprehet Lame.

Këto institucione shtetërore jo vetëm që kanë ndërtuar pa leje por as nuk kanë bërë vetëdeklarim siç kanë vepruar qytetarët në procesin e ndjekur nga ALUIZNI.

“Në këtë listë ka institucione që variojnë që nga ato të administratës qendrore, ministri, institucione varësie, agjenci, institucione arsimore, drejtori rajonale, duke vazhduar pastaj me institucione të qeverisjes vendore, komuna e bashki”, tha Lame. “Unë nuk e kuptoj se si një bashki që lëshon ajo vetë lejet e ndërtimit, të ndërtojë vetë pa leje!”

Përballë kësaj situate, Lame i bëri thirrje shtetit të zbatojë ligjet e tij dhe të njohë autoritetin e vet.

Lame: E para, askush nuk mund t’i kërkojë llogari të tjerëve duke mos qenë vetë në rregull.

E dyta, ky proces do të kishte edhe një funksion edukativ për të shmangur arrogancën e shtetit, që për fat të keq ndonjëherë e konsideron veten zbatues të ligjit, por duke qenë vetë mbi ligjin.

E treta, ashtu si qytetarëve që kanë ndërtuar objekte social-ekonomike (jo shtëpi banimi), ju kërkohet të paguajnë disa detyrime ligjore, edhe çdo institucion tjetër publik është i detyruar që t’i kryejë këto pagesa.

E katërta, përfshirja në procesin e legalizimeve do të mundësonte formalizimin e këtyre pronave dhe më tej, regjistrimin e tyre të ligjshëm pranë ZRPP-së.

Praktikisht i bie që pa këtë proces, ose këto prona mbeten të paregjistruara dhe do të kishim një shtet që nuk regjistron as pronat e veta, ose do të regjistroheshin në rrugë jo ligjore dhe do kishim një shtet që shkel ligjin sërisht haptazi.

E pesta, çdo veprim dhe investim i bërë në këto prona, tenderim, etj., i bie të jetë bërë dhe bëhet gjithashtu i paligjshëm, sepse kemi një ligj për planifikimin e territorit i cili detajon mënyrën e dhënies së lejeve të ndërtimit.

Të gjendur përpara kësaj situate, unë i bëj thirrje edhe një herë, tashmë jo mijëra qytetarëve që ju bindën ligjit, por institucioneve shtetërore, që ta zbatojnë atë.

Ne do të bëjmë një ndryshim në aktet nënligjore për ta mundësuar një gjë të tillë, por është e domosdoshme që edhe këto institucione të mos bëjnë asgjë më shumë se sa zbatimin e detyrimeve ligjore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat