Edhe institucionet publike kanë ndërtuar pa leje

Shqipëria

Edhe institucionet publike kanë ndërtuar pa leje

Më: 27 mars 2015 Në ora: 12:09

Kreu i Aluiznit Artan Lame ka kritikuar të gjitha institucionet publike në vend për nderimet dhe shtesa pa leje.

“Në vendin tonë ka qindra institucione publike të cilat kanë bërë shtesa apo ndërtime pa leje dhe kjo është absurde”, tha Lame në një dalje për mediat paraditen e sotme.

Duke renditur të parin vetë institucionin që ai drejton për një shtesë kati në vitin 2008, Kreu i ALUIZNI-t theksoi se në vendin tonë raste të tilla ku qindra institucione publike kanë bërë ndërtime pa leje, mes të cilave institucione të rendit arsimit por edhe vendore.

Ai tha kjo është absurde në një kohë kur shteti kërkon që të respektohet dhe zbatohet ligji, por është vetë që në radhë të parë e shkel atë.

Lama tha se shumë prej këtyre institucioneve nuk i janë përgjigjur as thirrjes së ALUIZNI-t për vetë deklarim të tyre në mënyrë që të nisë procesi i legalizimit.

“Që me 25 qershor 2014 i kërkuam në mënyrë kapilare të gjithë institucioneve publike të shpreheshin nëse kishin ndërtime pa leje. Pas përpunimit të të dhënave rezulton se janë disa qindra institucione publike që kanë ndërtuar pa leje. Në këtë listë do të rreshtoja të parin ALUIZNI-n që ka ndërtuar shtesë kati pa leje në vitin 2008. Është e palejueshme në një shtet ligjor. E keqja nuk mbaron këtu. Nëse kanë ndërtuar pa leje dhe u përfshinë në procesin e vetë deklarimeve, ekziston një numër i madh që përpos thirrjeve tona nuk e bënë vetë deklarimin. Në këtë listë ka institucione të rendit, të arsimit, duke vijuar me institucione vendore”, tha ai.

Në këtë kuadër Artan Lame u ka bërë thirrje të gjithë institucioneve publike që të nisin procesin e vetëdeklarimeve në mënyrë që të nisë legalizimi i tyre dhe të mos jetë e nevojshme marrja e masave ekstra ligjore.

“Nuk e kuptoj si një bashki që lëshon leje ndërtimi të ndërtojë vetë pa leje. Lista nuk është shteruese pasi ne po marrim të dhëna, por duam të tërheqim vëmendjen. E para askush nuk mund t’i kërkojë llogari të tjerëve duke mos qenë në rregull për vete. E dyta vetë deklarimi u bë për të shmangur arrogancën e shtetit. Përfshirja në procesin e legalizimeve do të mundësonte formalizimin dhe procesin e legalizimit.

Pa këtë proces, ose këto prona mbeten të paregjistruara, që domethënë shteti nuk legalizon pronat e veta, ose do të përdorte masa ekstraligjore që do të ishte absurde. Bëhen investime pa leje ndërtimi. Duke qenë në këtë situatë i bëj thirrje jo më qytetarëve por institucioneve shtetërore që të respektojnë ligjin. Në do të bëjmë ndryshime ligjore, por është e domosdoshme që këto institucione të bëjnë zbatimin e ligjit", tha Lame.

Lame foli gjithashtu edhe për mundësinë e kandidimit të tij si kryetar bashkie në Tiranë, duke thënë se kjo do të diskutohet njëher brenda forcës së tij politike.

“Për Tiranën vazhdojnë të më hanë duart. Jam qytetar i saj dhe dua të kontribuoj. Sa për kandidimin, besoj do të ketë një diskutim publik si dhe brenda forcës sonë politike”, tha Lame para gazetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat