Katër orët që çuan në pranga deputetët Doshi e Frroku

Shqipëria

Katër orët që çuan në pranga deputetët Doshi e Frroku

Nga: Nga Leonard Bakillari Më: 27 mars 2015 Në ora: 09:17

Parlamentit, Prokurorisë dhe Policisë i mjaftuan vetëm katër orë për të arrestuar dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Tom Doshi dhe Mark Frroku u arrestuan rreth orës 16:30 nga policia, pas një urdhër ndalimi të firmosur në një mbledhje të shpejtë në Prokurorinë e Përgjithshme, ku i pranishëm ishte edhe kryeprokurori Adriatik Llalla.

Arrestimi i dy deputetëve u përcoll live nga mediat, ndërsa pas ekzekutimit të urdhër-ndalimeve policia publikoi një njoftim për mediat, ku konfirmoi se Tom Doshi dhe Mark Frroku ishin ndaluar, i pari në banesën e tij dhe i dyti në ambientet e biznesit në periferi të kryeqytetit.

Për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë, dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë përfundojnë në pranga me një procedurë të kundërshtuar fort nga avokatët e tyre mbrojtës. Përtej dyshimeve për shkelje procedurale, arrestimi i dy deputetëve u paralajmërua përgjatë mbledhjes së të mërkurës në Këshillin e Mandateve, ku deputetët e opozitës hartuan relacionin në orët e vona të mbrëmjes dhe mëngjesin e djeshëm ai ishte gati për t’u diskutuar në seancën plenare.

Arrestimi i dy deputetëve ishte çështja e dytë në rendin e ditës. Mes debateve dhe braktisjes së sallës së Parlamentit nga opozita, Kuvendi iu përgjigj pozitivisht prokurorisë për të dhënë autorizimin për arrestimin dhe kontrollin e banesave të deputetëve Doshi e Frroku. Pikërisht këtu nisi lëvizjen prokuroria dhe policia, të cilat në kohë rekord kryen arrestimin e deputetit.

Votimi për dhënien e autorizimit përfundoi rreth orës 12:40 të mesditës së djeshme dhe vetëm pas 40 minutash, postieri i Kuvendit të Shqipërisë vuri në dispozicion të Prokurorisë së Përgjithshme vendimin e zbardhur të Parlamentit.

Ky vendim u protokollua në Prokurorinë e Përgjithshme rreth orës 13:30 dhe iu vu në dispozicion Prokurorit të Përgjithshëm, i cili thirri në mbledhje urgjente grupin hetimor. Mësohet se në mbledhjen që zgjati rreth një orë ishin të pranishëm prokurorët Adnan Xholi, i komanduar si drejtues në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Altin Binaj, prokurori që do të hetojë çështjen “Doshi-Frroku” në Prokurorinë e Përgjithshme, si dhe oficerë e prokurorë të tjerë të grupit të hetimit.

Për më pak se një orë, nën drejtimin e Prokurorit të Përgjithshëm u vendos që dy deputetët të ndalohen me urdhër të prokurorisë dhe jo me kërkesë për masë sigurimi nga Gjykata e Lartë, e cila në rastet e deputetëve apo zyrtarëve me imunitet vepron si gjykatë e shkallës së parë.

Edhe pse prokuroria i kishte të gjitha mundësitë ligjore që të vepronte me kërkesë paraprake për caktim mase, çka do e vendoste atë në pozita komode, sërish zgjodhi urdhër-ndalimet, procedurë kjo e kundërshtuar nga avokatët mbrojtës.

“Parlamenti ka lejuar prokurorinë që të arrestojë zotin Doshi, por nuk i ka dhënë leje që të ndërmarrë hapa të tjerë, siç është hapi i ndalimit. Nuk ka asnjë provë që zoti Doshi do të largohej nga Shqipëria”, tha avokati Vladimir Meçi, i cili u paraqit në Prokurorinë e Përgjithshme, por pa marrë aktet që kishte kërkuar për mbrojtjen e deputetit Doshi.

Pas përfundimit të mbledhjes që zgjati rreth një orë, prokurori i Përgjithshëm u largua nga institucioni i akuzës rreth orës 14:20, i shoqëruar nga eskorta drejt banesës së tij në Tiranë. Urdhër-ndalimet dhe ato për kontrollin e banesave të deputetëve u morën nga disa oficerë të policisë gjyqësore dhe për rreth dy orë u bë i mundur organizimi i shërbimeve të policisë dhe lokalizimi i vendndodhjes së deputetëve.

I pari që u arrestua ishte deputeti Mark Frroku, i cili ndodhej në biznesin e tij në zonën e “Misto Mames” në Tiranë. Ai u shoqërua nga forcat e policisë fillimisht në banesën e tij ku u ushtrua kontroll dhe më pas u transferua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Paralelisht forca të shumta policie rrethuan banesën e deputetit Tom Doshi në zonën e ‘Profarmës’ në Tiranë dhe pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij, edhe Doshi u dërgua në ambientet e paraburgimit në policinë e Tiranës. Zyrtarisht ka reaguar për ndalimin e deputetëve vetëm drejtoria e Policisë së Tiranës, e cila tha se forcat e policisë ekzekutuan urdhër-ndalimet e Prokurorisë së Përgjithshme.

Ndërsa Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk dha asnjë detaj për çështjen, ndryshe nga dy rastet e mëparshme kur filluan kryesisht hetimet dhe thirrja e krerëve më të lartë të shtetit në prokurori, veprime të cilat u përcollën për mediat nëpërmjet njoftimeve zyrtare.

Ky është rasti i parë në 25 vitet e fundit në Shqipëri kur dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë arrestohen për akuzat e kallëzimit të rrem, deklarimit të rrem përpara prokurorit apo kanosjes së dëshmitarit për të dhënë dëshmi të rreme.

Kronologji

12:40- Kuvendi i Shqipërisë jep autorizimin për arrestimin dhe kontrollin e banesave të deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.

13:20- Postieri i Kuvendit dorëzon në Prokurorinë e Përgjithshme vendimin zyrtar të Kuvendit, i cili pasi protokollohet, i dërgohet kryeprokurorit.

13:40- Prokurori i Përgjithshëm thërret në mbledhje grupin hetimor të përbërë nga prokurorët Adnan Xholi dhe Altin Binaj, dhe vendos ndalimin e dy deputetëve.

14:20- Kryeprokurori largohet me eskortën e tij nga ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, drejt banesës së tij në Tiranë.

16:20- Policia nis ekzekutimin e urdhër-ndalimeve të prokurorisë, fillimisht me arrestimin e Mark Frrokut dhe më pas Tom Doshit.

Neni 253

Ndalimi i të dyshuarit për një krim

Kur ka shkaqe të bazuara për të menduar se ka rrezik ikjeje, prokurori urdhëron ndalimin e personit që dyshohet për një krim, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se dy vjet.
Policia gjyqësore kryen ndalimin me iniciativën e vet kur nuk është e mundur, për shkak të gjendjes së ngutshme, të pritet urdhri i prokurorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat