Rritet mosha e pensionit për funksionarët, ja llogaritjet

Shqipëria

Rritet mosha e pensionit për funksionarët, ja llogaritjet

Më: 27 mars 2015 Në ora: 08:31

Reforma e pensioneve, e ndërmarrë nga qeveria, prek edhe zyrtarët e lartë, atyre që ushtrojnë funksione kushtetuese dhe punonjësve të lartë të shtetit. Kuvendi miratoi të enjten në seancë plenare projektligjin e propozuar nga qeveria, që parashikon rritje të moshës së pensionit për këtë kategori, por dhe rritje të përqindjes së kontributeve që ata duhet të derdhin në fondin e sigurimit shtetëror suplementar. Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, dje nga foltorja e Parlamentit foli për ndryshimet që do të vijnë nga kjo skemë.

“Në vitin 2013, rreth 40 për qind e pensioneve të skemës suplementare mbuloheshin nga kontributet suplementare, ndërsa pjesa tjetër nga buxheti i shtetit. Shkalla e mbulimit të shpenzimeve të skemës nga kontributet suplementare ka ardhur në rënie dhe aktualisht mendohet të jetë rreth 20 për qind, duke rritur nevojën për financim nga buxheti i shtetit. Pra, nisur nga këto problematika, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë rekomanduar marrjen e disa masave, siç janë; rritja e masës së kontributit suplementar, rritja e moshës së përfitimit të pensionit shtetëror suplementar, indeksimi i përfitimeve jo më shumë se sa rritja e inflacionit dhe masa të tjera”, tha ai.

Sa i përket ndryshimeve që propozon projektligji, Bushati tha se ato parashikojnë futjen e efekteve financiare të skemës së pensioneve suplementare, nëpërmjet harmonizimit midis kontributeve dhe përfitimeve të reja. “Lista e përfituesve do të plotësohet dhe do të saktësohet më tej nga Këshilli i Ministrave. Projektligji bën edhe disa rregullime në ligjin ekzistues, të cilat janë bërë të nevojshme gjatë zbatimit të tij në praktikë”, – tha Bushati. Projektligji saktëson kategoritë që do të pësojnë rritje të moshës së pensionit, që janë funksionarët e lartë të shtetit, nga Presidenti, kryetari i Kuvendit, kryeministri, ministrat, zëvendësministrat, deputetët, por dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese, të cilët dilnin në pension në moshën 55 vjeç. Ndërkohë, duke filluar nga data 1.1.2032, mosha e përfitimit rritet me nga 6 muaj për çdo vit, deri në arritjen e moshës 63 vjeç.

Ndryshimet

Rritet respektivisht me 1 për qind, masa e kontributeve që paguajnë personat e punësuar në fondin e sigurimit shtetëror suplementar. Sipas grupeve përfituese, masa e kontributeve rritet nga 4, 3 dhe 3 për qind që është aktualisht, në 5, 4 dhe 3 për qind. Mosha për përfitimin e pensionit shtetëror suplementar për funksionet kushtetuese, rritet nga 55 vjeç në 60 vjeç, duke e unifikuar atë për të gjithë përfituesit e skemës, si dhe duke e njehsuar me moshën e përfitimit nga sigurimi i detyrueshëm.

Duke filluar nga data 1 janar 2032, mosha e përfitimit rritet me nga 6 muaj për çdo vit, deri në arritjen e moshës 63 vjeç. Shtohen disa funksione të reja në skemën e funksion- institucioneve suplementare në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kështu, funksionet janë: Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Zv. Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Me vendim të Këshillit të Ministrave do të saktësohet lista e institucioneve përfituese. Trajtimi i personave që kanë përfituar pension suplementar para hyrjes në fuqi të këtij ligji mbetet i njëjtë. Duke ruajtur raporte të drejta në masën e kontributit që ata kanë derdhur. Përcaktimi i kohës dhe masës së indeksimit të pensioneve shtetërore suplementare i ngarkohet Këshillit të Ministrave.

Aktualisht, Këshilli i Ministrave është i detyruar të rrisë pensionin shtetëror suplementar me të njëjtën masë që rritet dhe paga referuese e detyrës apo funksioni që ka pasur personi. Ligji saktëson edhe rastet e përfitimit të pensionit shtetëror suplementar, kur personat trajtohen edhe me përfitime të tjera ligjore. Pensioni shtetëror suplementar përfitohet edhe në rastet kur personi përfiton pension të posaçëm shtetëror, pension nga një skemë tjetër suplementare ose trajtim të veçantë me kusht që periudhat e shërbimit të mos mbivendosen.

Ndërprerja e pensionit shtetëror suplementar bëhet vetëm me vendim gjykate. Efektet financiare nga rritja e normës së kontributit me 1 për qind përllogariten në rreth 58 milionë lekë, ndërsa efektet nga rritja e moshës së përfitimit të pensionit suplementar janë 21.7 milionë lekë. Efekti total pritet të jetë mesatarisht 81 milionë lekë. Në konkluzion, projektligji mundëson harmonizim më të mirë midis kontributeve dhe përfitimeve nga skema e pensioneve shtetërore suplementare, duke reduktuar kontributin përkatës të buxhetit të shtetit.

Skema prek edhe drejtuesit në polici e FA

Deputeti Piro Lutaj propozoi për miratim edhe një amendament, nga i cili të përfitojnë nga skema e pensioneve edhe funksionarët më të lartë të Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit. “Duhet të kemi parasysh të trajtojmë edhe autoritetet më të larta të drejtimit të Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit. Është hera e parë që futet një amendament i tillë, që ka të bëjë me gjeneralët, drejtuesit e kryesorë të Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit.

Për ta bërë më të qartë këtë, dua t’u them se funksionet e gjeneralëve në Forcat e Armatosura kanë të bëjnë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, 3 komandantët dhe 2-3 funksione që janë të rëndësishme në FA. Përveç kësaj në strukturën e Policisë së Shtetit kanë qenë dy funksione të larta, drejtori i Përgjithshëm dhe zv. drejtori i Përgjithshëm, për të cilët gradat ushtarake u shndërruan në grada jo ushtarake. Ato konsiderohen grada të nivelit madhor dhe përfshijnë vetëm drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pra numri është i kufizuar”, tha Lutaj. Amendamenti u miratua me shumicë votash edhe për këtë kategori.

Relacioni

Në funksion të uljes së subvencioneve buxhetore për financimin e përfitimeve suplementare, nisur edhe nga fakti se tashmë mosha e përfitimit të pensionit nga skema e sigurimit të detyrueshëm është ritur, në nenin 8, të këtij projektligji, është parashikuar një rritje me 5 vjet e moshës së përfitimit të pensionit suplementar për grupin e parë. Sipas statistikave, përfituesit e pensioneve suplementare të grupit të parë zënë çdo vit 17% të numrit të përgjithshëm të përfituesve, ndërkohë që shpenzimet për përfitime zënë rreth 30% të totalit.

Megjithëse mosha e përfituesve të pensioneve suplementare të grupit të parë varion nga 55 në 60 dhe 65 vjeç përsëri rritja e moshës me 5 vjet do të ketë ndikime në uljen e subvencioneve të skemës. Rritja e moshës së përfitimit suplementar nga 55 në 60 vjeç parashikohet të jetë e menjëhershme, ndërkohë që aktualisht, në skemën e përfitimeve ka persona që edhe pas datës 1.1.2015 do të jenë më të rinj se 60 vjeç. Por e drejta e përfitimit për këta persona ka lindur dhe nuk mund të ndërpritet.

Reforma

Kryeministri Edi Rama deklaroi se reforma e pensioneve u zvarrit për vite të tëra dhe ishte kusht për qeverinë paraardhëse dhe kryeministrin e saj, për të marrë mbështetjen financiare nga BB dhe për të përfituar përmes kësaj mbështetjeje, mundësi të reja, që iu mohuan këtij vendi nga fakti se qeveria nuk ishte aty për të bërë këto reforma.

Duke akuzuar të djathtët se e lanë këtë kategori në kushtet e një pensioni tavan, Rama tha se pensioni nuk mund të ishte asnjëherë mbi 24 mijë lekë. “Sipas asaj skeme, 80% e pensionistëve shqiptarë, përfitonin pensionin minimal dhe vetëm 5% përfitonin pensionin maksimal. Pastaj, u thuhej çdo fundvit se ‘po u rrisim pensionin’, duke u bërë vetëm një korrigjim inflacioni, asgjë më shumë. Ja pra, që heqja e pensionit tavan dhe ndryshimi i formulës së përllogaritjes bëjnë të mundur rritjen e pensioneve. Ndryshe nga çfarë predikojnë ‘çeta e llumit dhe e zullumit”, pensionet rriten për të gjitha fashat, nga 760 lekë për pagat minimale, për të vazhduar me një rritje 213 200 lekë për pagën mesatare dhe deri në 464 mijë për pagat maksimale”- tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat