Çështja Doshi/ Pse i doli boja Llallës?

Shqipëria

Çështja Doshi/ Pse i doli boja Llallës?

Më: 26 mars 2015 Në ora: 21:30

Tani kur dyshja Doshi-Frroku gjendet pas hekurave, rezulton se ka një person shumë më enigmatik në gjithë këtë histori. Ai është njeriu që firmosi dokumentin ku i kërkohej Parlamentit arrestimi i tyre, prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla. Tanimë nuk ka asnjë dyshim se ai po vepron në sintoni të plotë dhe nën kontrollin e pushtetit politik. Ka disa fakte të pakundërshtueshme për këtë. Jo vetëm se ai e nisi këtë hetim vetëm pasi Doshi u shpall armiku i Ramës, megjithëse i dinte prej gjashtë muajsh pretendimet e deputetit të Shkodrës se kërkonin ta vrisnin, por për shumë më tepër se kaq. Verën e shkuar njeriu që pretendonte se kishte në duar “fatet europiane të vendit”, i shërbeu kësaj shumice me një arrestim skandaloz vetëm për të flakur nga posti guvernatorin Fullani. Dhe kur i futesh rrugës së shërbimit, ajo nuk ka fund. Si me rastin Fullani, Prokuroria veproi edhe me kryebashkiakët disidentë ndaj kryeministrit, që ky i fundit donte të mos i kandidonte më. Së paku në dy nga këto raste, Llalla përdori një shërbëtor të zellshëm që nuk humbet rast për të treguar preferencën e tij për Ilir Metën edhe në rrjetet sociale.

Që ai e ka vënë institucionin e tij në shërbim të pushtetit të rradhës, këtë nuk e tregojnë vetëm mënyra e shpejtë se si e mbylli çështjen e vrasjes me pagesë, nxitimi për të vërtetuar, fjalë për fjalë, atë version që serviri ministri i brendshëm menjëherë sapo ngjarja u bë publike, meraku ashtu sikurse shkruante në relacion për të nxjerrë të larë drejtuesit e lartë të shtetit. Jo! Njësimin e tij me këtë shumicë e dëshmon edhe qëndrimi i kësaj të enjteje në Parlament i kryeministrit Rama. Menjëherë sapo shumica kishte votuar me zell heqjen qafe të djemve të saj plangprishës, sipas kërkesës së firmosur me dorën e Llallës, Rama nxitoi të pohonte se partia e tij nuk ishte e kënaqur me punën e Prokurorisë, që ende nuk ka gjetur fajtorët e katër vrasjeve të 21 Janarit dhe as njerëzit që penguan hetimin për të. Por duke dashur të bëjë alibinë e Adriatik Llallës, Rama nxorri edhe një të vërtetë të madhe: Atë që Llalla nuk i heton njerëzit e opozitës.

Dhe këtu fshihet një nga misteret e tjera që po bën gjithnjë e më shumë përshtypje në publik: ndërsa opozita sulmon Prokurorinë, ajo nën frymën e Berishës nuk guxon ta prekë Llallën. Dhe kjo enigmë e ka një përse. Ajo qëndron në kompromisin e heshtur të vetë shefit të Prokurorisë, për t'i mbyllur çështjet për ish ministrat e Berishës, për të mos hetuar implikimin e djalit të tij në Gërdec, të gardistëve të tij për vrasje, etj. Pra Adriatik Llalla e ka gjetur rrugën e artë. Shërbeji pushtetit dhe jepi garanci personale PD-së. Vetëm kështu nuk të ngacmon askush. Por nga kjo rrugë ka vetëm një të dëmtuar dhe kjo është dejtësia dhe ligji. Me sa duket ato janë gjërat që i intresojnë më pak prokurorit të përgjithshëm.

Jo më kot menjëherë sapo shpërtheu skandali, ai u mblodh kokë më kokë me kryeministrin dhe një njeri që duhet ta shihte si të dyshuar, Ilir Metën. Jo më kot prokurorët e çështjes takohen në lokalet e Tiranës me Kreun e Kuvendit. Jo më kot edhe vetë Llalla e politizoi çështjen Doshi duke deklaruar në relacionin me firmën e tij ku kërkohej arrestimi i deputetëve se ai po e bënte këtë “per te deshmuar forcen e institucioneve ligjzbatuese ne rastet kur vihen perballe sfidave te integritetit dhe profesionalizmit”. Se ai po e bënte këtë për ti dhënë garanci opinionit vendas dhe ndërkombëtarëve.

Nuk diskutohet që në këtë hetim ai e kishte të plotë mbështetjen e ndërkombëtarëve që më shumë donin spastrimin e dyshes me të shkuar të errët Doshi Frroku, sesa merakosen për ligjshmërinë në këtë vend. Nuk diskutohet që ai kishte në këtë nismë mbështetjen e Metës që donte të dilte sa më shpejt i larë dhe të të gjithë forcave politike që nuk ju interesonte më Doshi.

Por pikërisht për këtë, pikërisht sepse i kishte krahët të ngrohta ai përpiloi me nxitim, nën trysni, një kërkesë paçavure që fut ujë nga të gjitha anët. Ku kërkohet arrestim pa servirur prova. Ku Durim Bami trajtohet me dy standarde, konsiderohet si i besueshëm kur thotë se e ka shpikur historinë, por nuk besohet kur deponon se e kanë kërcënuar me fëmijët për ta bërë këtë. Ku Tom Doshi akuzohet për kallzim të rremë, megjithëse ai nuk ka bërë kallzim.

Në dokumentet dhe veprimet që mbajnë firmën e Llallës ka edhe plot gropa të tjera. Që të gjitha sëbashku tregojnë mungesë profesionalizmi dhe një dëshirë për t'i vënë kapak kësaj afere. Duke i shërbyer edhe njëherë pushtetit. Ndaj tani tani që dy deputetët e fortë janë pas hekurave, nuk ka shumë vend për gëzim dhe për triumf. Aq sa duket një lajm i mirë goditja ndaj tyre, po aq ajo mund të na shërbejë si një shembull që demonstron sistemin e kalbur të drejtësisë (Prokurorisë). Dhe mbi të gjitha për këtë na bën të mendojmë Adriatik Lalla dhe preokupimi i tij që më shumë sesa të bëjë drejtësi është të mbijetojë, duke i shërbyer Metës dhe Ramës por duke i dhënë njëkohësisht edhe garanci për paprekshmëri, njerëzve të Berishës. (Lapsi.al)

(Lapsi.al)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat