Dëshmia në prokurori, Frroku rrëzon Doshin: Nuk e kam njoftuar për asnjë atentat

Shqipëria

Dëshmia në prokurori, Frroku rrëzon Doshin: Nuk e kam njoftuar për asnjë atentat

Më: 6 mars 2015 Në ora: 23:08

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është marrë në pyetje edhe deputeti Mark Frroku, i cili në fakt kishte deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni të planit për eliminimin e Doshit.

“Kreva detyrën time para organit të akuzës duke u deklaruar para prokurorëve dhe nuk kam asnjë koment për këtë çështje. Të gjitha ia thashë prokurorisë”, deklaroi Frroku pas marrjes në pyetje.

I pyetur nga mediat nëse ka qenë ai sinjalizuesi i komplotit ndaj deputetit Doshi, Frroku u përgjigj: ”Si ligjvënës nuk mund të shkel ligjin duke deklaruar këtu thëniet e mia apo të dikujt tjetër. Të gjitha që kam thënë janë në prokurori. Asnjëherë”.

Ndërsa sa i takon zërave se Durim Bami ka qenë shoferi i tij, deputeti tha: “Asnjëherë. Mesa di unë as për Tom Doshin, për mua jo e jo”. A është tentuar një komplot ndaj Doshit? “Nuk kam dijeni dhe përsëris se thëniet ia kam thënë prokurorisë”, shtoi Frroku.

Por në orët e pasdites së të premtes është zbardhur dëshmia që Frroku ka dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se në deklaratën e tij, Frroku ka rrëzuar atë të ish-deputetit të PS, Tom Doshi në lidhje me atentatin që supozohet se ishte organizuar për eliminimin e tij. “Nuk e kuptoj përse Doshi më përfshiu mua në këtë çështje. Nuk e kam njoftuar deputetin Doshi për asnjë atentat ndaj tij”, ka thënë Frroku sipas burimit që ka folur në kushte anonimati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat