Banesat sociale, Këshilli Bashkiak shtyn vendimin

Shqipëria

Banesat sociale, Këshilli Bashkiak shtyn vendimin

Më: 6 mars 2015 Në ora: 21:55

Këshilli Bashkiak i Tiranës e shtyu sot votimin për listën e familjeve që përfitojnë banesa sociale. Këshilltarët e majtë kërkuan 10 deri në 14 ditë kohë për të parë dosjen e familjeve, duke kërkuar listën e plotë të përfituesve. Por këshilltarët e djathë u shprehën kundër këtij vendimi dhe kërkuan që të shpërndahen apartamentet për 177 përfituesit e parë.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, akuzoi mazhorancën për bllokimin e banesave sociale, duke mos dhënë shtëpi për 177 përfituesit e parë të listës.

“Nëse ka raste për të cilat ju jeni të shqetësuar, mund të ulemi që nesër me stafin juridik të baskisë, dhe t’i marrim një për një emrat që duan të përfitojnë, duke respektuar ligjin. Por kjo nuk do të thotë që ne të penalizojmë 177 familje këtu. Nëse doni ta bllokoni, thoni, dhe të mbyllet historia këtu”.

Endrit Brahimllari deklaroi se mazhoranca nuk është kundër 177 emrave në listë, por ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me pjesën tjetër që nuk janë përfshirë në listë.

“Ndaj ne kërkojmë të verifikohen të gjithë që i plotësojnë kushtet dhe stafi juaj të na informojë për mangësira në dokumentacion, sepse ka afate”, tha ai.

Gent Gazheli propozoi të shtyhet me 10 ditë votimi:

“Brenda kësaj kohe, Bashkia të sensibilizojë të gjithë ata që nuk kanë informacion dhe të na vijë e plotë dosja për 385 banesat. Nuk ka kuptim ta votojmë pjesë-pjesë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat