Vasili: Basha ende nën hetim Po ai përse nuk tërhiqet?

Shqipëria

Vasili: Basha ende nën hetim Po ai përse nuk tërhiqet?

Më: 6 mars 2015 Në ora: 21:35

Kreu i grupit Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim ndërsa e ka cilësuar qesharake kërkesën e Partisë Demokratike për dorëheqjen e Metës i ka kujtuar Bashës se çështja për të cilën ai është akuzuar nga Prokuroria për vjedhjen e 230 milionë dollarëve për Rrugën e Kombit gjatë kohës që ka qenë Ministër i Transportit, është ende e pagjykuar.

Sipas Vasilit, kreu i PD është shembulli më negativ i një politikani në raport me ligjin, pasi ai i ka shpëtuar gjykimit falë makinacioneve të ndryshme dhe dhjetra semundjeve imagjinare.

“Kërkesa e vazhdueshme dhe sigurisht qesharake e kreut të PD-së lidhur me dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, kërkesë kjo nga e cila kreu i PD-së do të bënte mirë të hiqte dorë sa më parë, për arsye se kreu i PD-së është i vetmi shqiptar që nuk mund ta bëjë një kërkesë të tillë, pasi të gjithë qytetarët e kanë në mendje se ky person është akuzuar për vjedhjen e 230 milionë dollarëve në mega aferën e rrugës Durrës-Kukës. Akuzë e cila është aty sot e kësaj dite dhe për këtë akuzë ky person nuk e dha dorëheqjen nga pozicioni i ministrit. Me makinacione pa fund i shpëtoi gjykimit, duke vazhduar të mos jepte dorëheqjen ndërkohë që nuk pranoi që kjo çështje të gjykohej në themel për të zbardhur të vërtetën e vjedhjes së 230 milionë dollarëve. Edhe sot e kësaj dite kreu i PD-së vazhdon të jetë i akuzuar nga organet më të larta të drejtësisë së këtij vendi, dhe si i tillë vazhdon të mbetet shembulli i politikanit më negativ për raportin e tij me ligjin. Kërkesa e tij e vazhdueshme vazhdon ta bëjë me qesharak atë dhe PD-në.”- tha Vasili.

Më tej Vasili theksoi se Ilir Meta ia hoqi merakun Berishës për një hetim të ndershëm kur e ftoi atë që të përballet në Prokurori, por ky i fundit sipas tij ka frikë të përballet me Prokurorinë.

“Meta ja hoqi merakun doktorit për hetim të ndershëm, sepse e ftoi atë që të përballet në prokurori, së bashku me Doshin, duke ballafaquar atje të vërtetat. Doktori ka një frikë të vazhdueshme për tu përballur me prokurorinë, edhe kur është akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për vepra të rënda penale”.-tha Petrit Vasili.

Deklarata e plotë e Petrit Vasilit

Jemi këtu për të komunikuar së bashku lidhur me zhvillimet më të fundit, por në mënyrë të veçantë jemi këtu për t’u përqendruar në një moment tjetër, atë të kërkesës së vazhdueshme dhe sigurisht qesharake të Kryetarit të Partisë Demokratike, lidhur me dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit. Kërkesë kjo nga e cila kryetari i Partisë Demokratike do të bënte mirë që të hiqte dorë sa më parë për arsyen e thjeshtë, sepse Kryetari i Partisë Demokratike është i vetmi shqiptar i cili nuk mundet ta bëjë një kërkesë të tillë.

Të gjithë qytetarët e këtij vendi e kanë mjaft mirë të fiksuar në mendje, që ky person është akuzuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për vjedhjen e 230 milionë dollarëve në mega-aferën e rrugës Durrës-Kukës. Akuzë e cila është aty dhe sot e kësaj dite dhe për këtë akuzë të gjithë shqiptarët e mbajnë mend më së miri, që ky person nuk e dha dorëheqjen nga pozicioni i ministrit, por vazhdoi qetësisht, sikurse nuk kishte ndodhur asgjë, pra vazhdoi që të ishte ministër i të njëjtës ministri, të cilës i kishte vjedhur 230 milionë dollarë. Dhe jo vetëm kaq, por me makinacione pafund, i shpëtoi gjykimit nëpërmjet procedurave dhe me dhjetëra raporte mjekësore për qindra sëmundje imagjinare, duke vazhduar të qëndronte aty dhe duke mos dhënë dorëheqje. Ndërkohë, që nuk pranoi që kjo çështje të gjykohej në themel, për të zbardhur një më një se si ishte e vërteta e vjedhjes së 230 milionë dollarëve.

Ndaj, thënë gjithçka, po ripohojmë edhe njëherë se edhe sot e kësaj dite kryetari i Partisë Demokratike vazhdon të jetë i akuzuari për mega-aferën e vjedhjes së 230 milionë dollarëve, pra një çështje e pagjykuar dhe e pambyllur dhe për të cilën ai vazhdon që të jetë i akuzuar nga organet më të larta të drejtësisë së këtij vendi, pra nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Si i tillë dhe duke mos dhënë njëkohësisht edhe dorëheqjen në atë kohë për asnjë minutë, vazhdon që të mbetet shembulli i politikanit më negativ për raportin e tij me ligjin.

Thënë gjithçka kjo kërkesë e tij e vazhdueshme e bën edhe më qesharake atë dhe Partinë Demokratike, të cilët së bashku me ish-kryetarin e tyre vazhdojnë të kenë shembuj të pafund të raportit të tyre refuzues, neglizhues dhe mosbashkëpunues me ligjin, duke mos ushtruar asnjë nga përgjegjësitë e tyre morale, duke mos dhënë kurrë dorëheqjen edhe kur ka qenë akuzuar për vepra të rënda kriminale.

Z. Vasili, a keni një koment për deklaratat e sotme të ish-Kryeministrit Berisha, i cili ka kërkuar një hetim të ndershëm për këtë çështje dhe për thirrjet e opozitës për të organizuar protesta?
Lidhur me thirrjet e opozitës për të zhvilluar protesta, nuk kam asnjë koment të veçantë lidhur me këtë çështje, sepse protestat e individëve, komuniteteve, shoqërisë civile apo partive janë një e drejtë në demokraci, të cilën as nuk e diskuton edhe as nuk e ka vënë njeri në diskutim.
Ndërsa lidhur me merakun e Doktorit për një hetim të ndershëm, besoj që z. Meta ia hoqi këtë merak Doktorit, qartë dhe publikisht, sepse e ftoi atë që të përballet me Prokurorinë së bashku me Doshin, sepse sigurisht fati i ka lidhur që të jenë tashmë së bashku edhe kauza e përbashkët, duke u ballafaquar atje lidhur me të vërtetat imagjinare, që Doktori i pretendon. Megjithatë, duke qenë e ditur që Doktori ka një raport të pamundur dhe ka pasur një frikë të vazhdueshme në 25 vjet e me radhë të politikës së tij për t’u përballur me Prokurorinë edhe në momentet kur ai është akuzuar drejtpërdrejtë për vepra shumë të rënda penale, ka një mundësi tjetër prapë shumë të mirë.

Sepse ju e përcollët sot që z. Meta e proklamoi ditën e enjte si ditën e Doktorit, ku ekzistojnë të gjitha mundësitë për t’u përballur në sallën e Parlamentit dhe ne i kemi kërkuar Kryetarit të Kuvendit në emër të LSI-së, që t’i japë Doktorit fjalën sa herë që ai ta kërkojë, por ne kemi insistuar që t’ia japë fjalën edhe kur ai të mos e kërkojë. Dhe kjo mundësi e artë për Doktorin, që një herë në javë ka një ditë të tërën të tijën, ku ka dy mundësi të mëdha, që ta marrë fjalën sa herë që ai të dëshirojë, por sigurisht me këtë propozim shumë konstruktiv tonin, që ta marrë fjalën edhe kur ai nuk e dëshiron fjalën, besoj se do të ketë një hapësirë pa fund që të thotë ato që ai di dhe nuk di, për këtë çështje dhe njëkohësisht të vazhdojë të heqë frikërat e tij në sallën e Parlamentit për të mos i shuar këto frikëra në zyrat korrekte të Prokurorisë, atje ku bëhen ballafaqimet e vërteta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat