Çfarë ka deklaruar Mark Frroku në prokurori? (Video)

Shqipëria

Çfarë ka deklaruar Mark Frroku në prokurori? (Video)

Më: 6 mars 2015 Në ora: 17:07

Deputeti i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku nuk ka dhënë asnjë koment për mediet në lidhje me deklaratat e deputetit Tom Doshi, se ka qenë ai personi që e sinjalizoi gjashtë muaj më parë për atentatin e mundshëm ndaj tij.

Frroku dëshmoi përreth 1 orë përballë prokurorëve në përgjigje të ftesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen por nuk dha asnjë koment që të pohonte apo përgënjeshtronte pretendimin e deputetit të përjashtuar nga Partia Socialiste.

Z. Frroku, z. Tom Doshi është shprehur se keni qenë personi që i prezantuat Durim Bamin, si është e vërteta?
Unë sot kam plotësuar detyrimin tim ligjor për të dëshmuar para organit të akuzës dhe të gjitha të tjerat janë aty brenda në prokurori.

A ka qenë punonjësi juaj Bami?
“Nuk ka koment është diskrecion i prokurorisë të flasë se çfarë deklarimesh kam bërë. Ky është një hetim dhe unë si ligjvënës nuk më lejohet të shkel ligjin.

I qëndroni deklaratave tuaja që ju nuk keni pasur dijeni për këtë ngjarje?
Janë të gjitha në prokurori, nuk ka koment.

A ka gënjyer Tom Doshi në lidhje me deklaratat e tij?
Nuk ka koment!

Në intervistën e dhënë mbrëmë në “Top Story” Doshi tha se Frroku e ka mësuar planin për eliminimin fizik të tij 6 muaj më parë nga i ndaluari i policisë Durim Bami, i cili sipas tij është personi që është paguar për të bërë vrasjen.

“Më ka telefonuar Mark Frroku, kur isha me pushime dhe më ka thënë qe duhet te takoj për diçka urgjente. Kur jam kthyer dy ditë më pas nga pushimet më ka thënë që më ka takuar një person i cili ka marrë porosi nga Ilir Meta për të vrarë ty dhe zotin Mhill Fufi”, tregoi Doshi.

Ajo që mbetet e dyshimtë është se si ka rënë në kontakt deputeti me personin që pretendohet se është paguar për vrasjen e Doshit. Megjithatë dëshmia e Doshit vërteton edhe lidhjen mes Bamit dhe Enver Stafukës, personin e rrëmbyer pak javë më parë në Fushë-Krujë, i akuzuar nga Prokuroria si personi që vodhi makinën nga ku u qëllua për vdekje kryekomisari Dritan Lamaj në 2013-ën. Kjo lidhje mund të justifikonte faktin përse Bami zgjodhi të rrëfejë atentatin ndaj Doshit tek Mark Frroku, pasi vëllai i këtij të fundit është i akuzuari i vetëm për vrasjen e Lamajt.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat