Ambasadori Arnaudov: Shqipëria dhe Bullgaria, dy vende mike me mundësi të shumta bashkëpunimi

Shqipëria

Ambasadori Arnaudov: Shqipëria dhe Bullgaria, dy vende mike me mundësi të shumta bashkëpunimi

Më: 6 mars 2015 Në ora: 13:30

Takim i Ambasadorit të Republikës së Bullgarisë në Tiranë, Dimitar Arnaudov me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica

Tirane, 6 Mars/ATSH/.-Mundësitë e shumta të bashkëpunimit midis Bullgarisë dhe Shqipërisë dhe roli që luan media në promovimin dhe zhvillimin e këtyre marrëdhënieve, ishin në fokus të takimit që zhvilloi sot drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Gëzim Podgorica , në një pritje të rezervuar nga ambasadori bullgar Dimitar Arnaudov.

Duke folur për mundësitë e shumta të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Bullgarisë dhe klimën pozitive që ekziston midis dy vendeve si në fushën politike, ashtu edhe në të gjitha sferat e tjera, ambasadori Arnaudov theksoi nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve shumëplanëshe dhe pritshmëritë pozitive në këtë drejtim. “Roli i medias është i pazëvëndësueshëm”, – theksoi Arnaudov, “duke këmbëngulur në nevojën që dy vendet megjithëse e njohin njeri –tjetrin, historinë, kulturën, traditat, përsëri ka shumë gjëra që duhen promovuar e njohur nga afër”.

Niveli shumë i mirë i marrëdhënieve politike midis dy vendeve, është e domosdoshme të shoqërohet nga një nivel komunikimi në fushën e ekonomisë , po edhe në fusha të tjera me interes reciprok, ku duhen identifikuar përvojat më të mira, duke i shfrytëzuar ato pozitivisht. Në urën e komunikimit midis nesh ka nevojë të rritet trafiku i bashkëpunimit, pasi është në favour të dy palëve . “Në këtë kuadër, mendoj se është me interes për Shqipërinë” –theksoi ambasadori Arnaudov “edhe rruga që ka bërë Bullgaria drejt anëtarësimit të saj në BE . Një rrugë e gjatë dhe e vështirë, në të cilën Shqipëria është futur dhe ka se çfarë të mësojë nga përvoja bullgare për ta përshpejtuar dhe për të qënë më efektive”.

Drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Gëzim Podgorica e falenderoi ambasadorin bullgar për pritjen e rezervuar, duke i përsëritur edhe një herë urimet më të mira në kuadër të festës kombëtare të Bullgarisë. Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Agjencia Bullgare e lajmeve BTA, të cilat kanë një bashkëpunim të hershëm dhe efektiv në mes tyre, në vijimësi kanë pasqyruar komunikimin shumëplanësh midis dy vendeve. Megjithatë, theksoi nga ana e tij zoti Podgorica, në epokën e sotme dixhitale të komunikimit, duhen gjetur forma më të larmishme dhe të efektshme për publikun, që dritaret e informimit të jenë më të mëdha dhe më të shumta. “Dy institucionet tona kanë mundësitë që të shkëmbejnë informacione jo vetëm në dimensionin politik, por shumë më gjërë se kaq, në mënyrë të vecantë përsa i takon ekonomisë, turizmit, kulturës, traditave e të tjerë” tha drejtori i ATSH-së Gëzim Podgorica duke cilësuar se, “Historia e dy vendeve na ka rezervuar një komunikim të mirëkuptuar në pjesën dërmuese të saj, prandaj ajo jo vetëm duhet njohur, por edhe duhet shfrytëzuar pozitivisht si një mundësi për të qënë pranë njeri-tjetrit. Vendosja e një linku të përbashkët në fushën e turizmit do të ishte me interes për Shqipërinë dhe Bullgarinë, por edhe më gjërë se kaq, për të gjithë rajonin”.

Gjatë bisedës , ambasadori bullgar Arnaudov dhe drejtori i ATSH-së, Gëzim Podgorica ishin të një mendimi përsa i takon rolit të medias dhe sensibilitetit që krijon ajo në lidhjet miqësore midis vendeve, e në mënyrë të vecantë në rajonin tonë .

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat