Flet Sterkaj, “heshtje varri” në kafenenë e SHQUP-it

Shqipëria

Flet Sterkaj, “heshtje varri” në kafenenë e SHQUP-it

Më: 6 mars 2015 Në ora: 08:25

Sapo ka nisur debati me akuza të ndërsjellta mes ishkryeministri Sali Berisha dhe deputetit socialist Paulin Sterkaj, pjesa më e madhe e militantëve të PD-së që ishin në kafenenë e SHQUP-it u ngritën në këmbë dhe iu afruan televizorëve plazma të ngjitur në mur për të dëgjuar më mirë përplasjen.

Mes personave që i kishin ngulur sytë dhe veshët asaj që thoshte Berisha ndaj Sterkajt, ishin dhe dy figura të rëndësishme të PD-së, kryetari i bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu dhe kryekomunari i Lazaratit, Dash Aliko. Derisa Berisha replikonte ndaj deklaratës së Sterkajt, volumi i televizorit ishte në maksimum, ndërsa me të marrë fjalën deputeti socialist, një zëri thërrisnin “uljani këtij gomarit”.

Edhe pse kërkonin publikisht që zëri t'i ulej, dukej se deklarata e tij pritej me kuriozitet të madh. Një arsye e fortë pse militantët e prisnin me interes atë se çfarë do të thoshte Sterkaj lidhet me njohjen personale që kanë me të. Ata frikësoheshin se, në nxehje e sipër, Sterkaj mund të hapte thesin dhe të nxirrte ndonjë nga bëmat e dikurshme të Sali Berishës. Fjalia e Sterkajt: “Po dhashë informacion unë, kam frikë se nuk do të jetë mirë. Pavarësisht gjithë kësaj kemi për të marrë më shumë vota në Shkodër sesa në 2013-ën”, stampoi buzëqeshjen e demokratëve aty. Pas mbarimit të seancës plenare pjesa më e madhe e deputetëve demokratë u ulën në kafenenë e “SHQUP-it” ku numri i “tifozëve” që po i ndiqnin nga ekrani ishte i madh.

Për herë të parë aty erdhi edhe deputetja Jozefina Topalli, e shoqëruar nga deputeti Genc Strazimiri dhe Arben Imami, që ndenjën në oborr për të komentuar post Kuvendin, edhe pse binte shi. Ndërsa militantët demokratë, të pamësuar nga prezenca e saj, nuk kanë humbur rastin, duke i dhënë secili përshëndetjen. Pa kaluar dy minuta kafeneja tashmë dominohej nga deputetët, të cilët u bënë njësh me pjesën e “tifozëve” që gjendeshin brenda në kafe në kohën kur po zhvillohej seanca.

Demokratët, seancën e djeshme, e cilësuan një duel të humbur pasi skenari i tyre ishte për të bllokuar atë dhe për të çuar deri në fund mocionin për shkarkimin e kryeparlamentarit Meta. Deputetë demokrat gjatë ditës së djeshme kanë kaluar shumë orë në mjediset e "selisë blu", pasi ë mesditë grupi parlamentar i PD-së vendosi që të dalë në protestë me datën 12 mars. Opozita kishte artikuluar në mënyrë të përsëritur thirrjen për protestë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat