Dorëheqja e Metës, PD nis protestat në 12 mars

Shqipëria

Dorëheqja e Metës, PD nis protestat në 12 mars

Më: 6 mars 2015 Në ora: 08:03

Me 12 mars Partia Demokratike do të nisë protestat, ku kërkohet shkarkimi i kryeparlamentarit Ilir Meta, pas akuzave të publikuara nga deputeti Tom Doshit. Vendimi i PD-së është marrë në mbledhjen e thirrur nga Basha me kryetarët e degëve në rrethe, deputetët si dhe kryesinë e partisë. Gjatë seancës demokratët shmangën mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit për të çuar më tej në votim mocionin për shkarkimin e Metës, duke këmbëngulur për dorëheqjen e tij, në kushtet kur nuk kanë 71 votat.

PD, duke iu referuar deklaratave të deputetit Tom Doshi, se kryetari i Kuvendit ka dashur ta vrasë kërkon dorëheqjen e Metës, me arsyetimin se ai duhet të dalë para drejtësisë. Ky është vendimi që morri dje grupi i Partisë Demokratike në mbledhjen e djeshme, ku sipas kreut demokrat, vetëm nëse tërhiqet Meta mund të bëhet një hetim i drejtë ndaj akuzave të ngrituar nga deputeti Tom Doshi.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Parlamentit, Ilir Meta se po ndërhyjnë në hetimet për zbardhjen e akuzave. “Dorëheqjen e kërkon çdo qytetar i vendit, çdo njeri racional. Dorëheqja e Ilir Metës, ndjekja e procesit si një njeri i thjeshtë tregon që procesi nuk është ndikuar nga politika. Por siç po e shohin me sy, dy pushtetet, e gjithë kupola nën akuzë janë bërë bllok dhe janë përfshirë në një përpjekje për të manipuluar ngjarjen. Po bëjnë çmos të rregullojnë alibitë, t’ju vënë këmbë të gjata gënjeshtrave të tyre. Japin aq shumë të dhëna që njerëzit të mos kuptoj se çfarë po bëhet”, deklaroi Basha.

Por Basha thekson se dyshja Rama-Meta mund t’i shpëtojnë drejtësisë, por jo popullit. “Dyshja Rama-Meta janë të akuzuar njëri si porositës, tjetri si fshehës i veprës penale. Mund t’i fshihen drejtësisë, por s’i fshihen dot popullit”, tha Basha. Sipas tij po bëhet një tentativë për të mjegulluar dhe devijuar hetimet, duke penguar edhe punën e Prokurorisë përmes bandave.

“Paska qenë rregulla që nuk kanë bërë hetime sapo janë njoftuar për vrasjen me pagesë. Luftojnë për të mbrojtur Metën. Po i komunikojnë Prokurorisë, mos bëni hetime, vendimi është marrë, ata janë ligji. Parakusht dorëheqja e Metës. Nuk mund të lejojmë që demokracia të varroset njëherë e mirë, ku ligji nuk arrin te kreu i kuvendit”, tha kreu demokrat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat