Më 25 mars, dialog i nivelit të lartë Shqipëri - BE

Shqipëria

Më 25 mars, dialog i nivelit të lartë Shqipëri - BE

Më: 5 mars 2015 Në ora: 18:59

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati prezantoi para Komisionit të Parlamentit Evropian për Çështjet e Jashtme (AFET) ecurinë e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore(SEECP) gjatë Kryesisë shqiptare.

Në një njoftim të MPJ-jë thuhet se Bushati prezantoi aktivitetet e SEECP-së gjatë këtij viti, duke u ndalur kryesisht në kalendarin e përgatitur nga Kryesia shqiptare.

Në mënyrë të veçantë, Ministri u ndal në Ministerialin e SEECP-së, të zhvilluar në Tiranë më 23-24 shkurt 2015, dhe deklaratën e përbashkët kundër terrorizmit të miratuar gjatë tij. Komisioni i Parlamentit Evropian për Çështjet e Jashtme vlerësoi maksimalisht Kryesinë shqiptare për agjendën tepër ambicioze të SEECP.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i RCC, Goran Svilanoviç.

Në vijim Ministri Bushati u takua me Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, dhe me eurodeputetin Eduart Kukan.

Gjatë këtyre takimeve Ministri Bushati prezantoi ecurinë e reformave dhe të përpjekjeve të qeverisë për të përmbushur në kohë kriteret e parashikuara në udhërrëfyesin për pesë prioritetet kyç. Ai vuri në dukje rëndësinë që ka marrja e një date për hapjen e negociatave sa i përket ecurisë së reformave, motivimint të administratës dhe mbështetjes publike.

Me Komisionerin Hahn u trajtua edhe bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe përgatitjeve për Konferencën e Vjenës, të planifikuar për t’u mbajtur në gusht të këtij viti.

Komisioneri Hahn vlerësoi ecurinë e deritanishme në fushën e reformave dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Ai premtoi mbështetje për Shqipërinë në procesin e integrimit, duke nënvizuar se shpejtësia e këtij procesi varet nga zbatimi dhe qëndrueshmëria e reformave të ndërmarra.

Komisioneri Hahn dhe Ministri Bushati konfirmuan se, në datë 24 mars 2015 do të zhvillohet në Tiranë takimi i radhës i Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE.

“Pata mundësinë të përgëzoj komisionerin Hahn për nisjen e procesit të vlerësimit të politikës së fqinjësisë të BE-së. Shpresoj që kjo klimë inovuese të ndiqet edhe në politikën e zgjerimit nëpërmjet përshpejtimit të ankorimit strategjik të Ballkanit Perëndimor në BE, çka, sipas nesh, konsolidon Evropën në terma politikë, ekonomikë dhe të sigurisë.

Pjesë e diskutimit të sotëm ishin projektet dhe trendet e bashkëpunimit rajonal, në kuadër të kryesisë shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore”, tha Bushati në konferencën e përbashkët për shtyp me Hahn.

“Ne kemi nevojë që BE-ja të na ndihmojë ta shfrytëzojmë këtë moment në rajon: ekziston një vullnet i madh politik në Ballkanin Perëndimor për të jetësuar projektet rajonale që u konceptuan në Berlin vitin që shkoi. Ne besojmë në mbështetjen dhe drejtimin e Komisionit Evropian për përgatitjen e konferencës së Vjenës në gusht.

Së fundmi, në kuadër të mbledhjes së radhës së dialogut të nivelit të nivelit të lartë që do të mbahet në Tiranë, diskutuam për mënyrat e rritjes së efikasitetit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, sidomos sa i përket hapave që duhen ndërmarrë për të avancuar drejt çeljes së negociatave për anëtarësim, çka do të konsolidonte edhe më procesin e reformave”, ka thënë Bushati në fjalën e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat