Hapja e dosjeve kushton 30 milionë lekë, OSBE mbështet variantin e qeverisë

Shqipëria

Hapja e dosjeve kushton 30 milionë lekë, OSBE mbështet variantin e qeverisë

Më: 5 mars 2015 Në ora: 13:32

Procesi i hapjes së dosjeve do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 30 milionë lekë. Këto janë shifrat që u prezantuan dje nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i cili tha në fjalën e tij se varianti i sjellë për miratim është hartuar sipas ekspertizës dhe përvojës më të mirë, asaj gjermane. Shqyrtimi i projektligjit për hapjen e dosjeve të ish- Sigurimit të Shtetit në Kuvend është votuar nga deputetët e mazhorancës, ndërsa deputetët e opozitës braktisën mbledhjen me justifikimin për ndryshimin e rendit të ditës së komisionit. Edhe prezenca e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian (OSBE) në Tiranë, ka depozituar në Kuvend komentetet e veta lidhur me dy projektligjet e propozuara për hapjen e dosjeve, duke mbështetur variantin e ligjit “Veliaj” të propozuar nga qeveria. Sipas OSBE-së, projektligji i qeverisë është në përputhje me dispozitat kushtetuese duke besuar se kjo është një nga mënyrat për të trajtuar trashëgiminë e regjimit të mëparshëm totalitar. Nga ana tjetër, OSBE thotë se projektligji i depozituar nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi nuk përmbush standardet ndërkombëtare dhe kombëtare për çështjen e lustracionit.

“Pas një shikimi të kujdesshëm të projektligjit, duket se paragrafët kyç lidhur me procedurën e lustracionit, projektligji ofron të njëjtat mjete dhe procedura si ligji i vitit 2009”, thuhet në raportin e OSBE-së. Gjithashtu, sipas OSBE, dispozitat e projektligjit Doda-Idrizi “nuk përcaktojnë një afat kohor lidhur me kohëzgjatjen e masës së lustracionit. Kjo nuk është në përputhje me Udhëzimet e KiE-së”. Ndërkohë ministri Veliaj duke prezantuar varantin e qeverisë vuri në dukje se nuk ka asnjë lloj kompleksi për t’u përballur qartazi dhe prerë me këtë temë të rëndë. Veliaj shtoi se për hartimin e nismës në fjalë janë marrë në konsideratë e gjithë jurispudenca e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë temë, opinioni i Komisionit të Venecias, si dhe drafti i është çuar paraprakisht për vlerësim edhe organizatave të huaja që veprojnë në Shqipëri.

“Ky nuk është një ligj lustracioni dhe s’ka arsye që të kemi komplekse për këtë. Nuk është një model hakmarrje, nuk është një model dënimesh kolektive, spastrimesh apo gjëra të kësaj natyre”, deklaroi Veliaj. Në lidhje ne draftin e ardhur nga opozita, ministri Veliaj tha se në mënyrë të qëllimshme janë përfshirë në të elementë antikushtetues për t’u rrëzuar më pas nga gjykata, ndërsa nga ana tjetër opozita kërkon ta përdorë atë për qëllime populiste.

“Alternativa tjetër që na është ofruar nga opozita na është dukur një alternativë me dashje antikushtetuese. Mënyra më e sigurt për të sabotuar një ligj të tillë është ta mbushësh me elementë antikushtetues që mos ta kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese, të dhunojë çdo vendim tjetër të kësaj gjykate dhe opinionin e Komisionit të Venecias dhe të dalësh në publik si populist për të thënë që kjo është kauza morale e së djathtës. Në të vërtetë, ndodh ajo që ndodhi sot, e djathta s’është fare e interesuar as për ish të përndjekurit, as për këstet dhe as për ligjin e dosjeve”, tha ministri Veliaj. Projektligji i qeverisë sipas Veliajt synon dhënien e aksesit në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit sipas një procesi të mirë-rregulluar për të gjithë personat e prekur drejtpërdrejtë nga veprimtaria e ish-Sigurimit të Shtetit.

Këtu përfshihen tha ministri, jo vetëm personat e përndjekur nga ish-Sigurimi, por edhe vetë bashkëpunëtorët dhe ish-punonjësit e Sigurimit, të cilët në përputhje me dispozitat e këtij projektligji do të kenë të drejtën e aksesit të plotë në të gjithë informacionin e grumbulluar kundër tyre apo prej tyre gjatë viteve të veprimtarisë së Sigurimit. Për të realizuar hapjen e dosjeve projektligji parashikon ngritjen e një komisioni të posaçëm me 5 anëtarë që do trajtojë çdo rast apo kërkesë të ardhur nga individë apo institucionet shtetërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat