Përfundon seanca! PD ndryshoi skenarin, Braho premton sërish

Shqipëria

Përfundon seanca! PD ndryshoi skenarin, Braho premton sërish

Më: 5 mars 2015 Në ora: 12:56

(E plotësuar) - Opozita, e bindur se kërkesa për shkarkimin e Ilir Metës si kryetar Kuvendi, nuk do kishte sukses, tentoi që të bllokonte Kuvendin, duke zhurmuar tek foltorja.

Megjithatë mazhoranca i miratoi ligjet mes zhurmës, duke arritur në deri 80 vota.

Në seancë pati shkëmbime akuzash, por ajo përfundoi më shpejt nga sa ishte menduar.

Pas seancës, Spartak Braho, që mendohej se do ishte protagonist i seancës, foli për mediat.

Deputeti i LSI tha se në seancën e ardhshme do të marrin një video- projektor për të prezantuar videon e tij.

Disa herë gjatë seancës, kryetari i Kuvendit tha se mund të shqyrtohej kërkesa për shkarkimin e tij, por opozita nuk foli për këtë çështje.

Vijon debati i ashpër në Kuvend, Meta vazhdon me rendin e ditës
Kuvendi rinisi punimet e seancës plenare, ndërsa deputetët e opozitës vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë para foltores, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta, pas akuzave të deputetit Tom Doshi, se ka paguar vrasjen e tij dhe të deputetit Mëhill Fufi.

Me rifillimin e seancës e mori fjalën deputeti socialist i qarkut të Shkodrës, Paulin Sterkaj, i cili ftoi kolegët e opozitës që të qetësohen dhe të lejojnë prokurorinë të vijojë hetimet për të zbardhur çështjen ‘Doshi’.

Sterkaj në fjalën e tij tha se deputeti Doshi, i cili tashmë e ka bërë publike çështjen e tij, po vazhdon bashkëpunimin me drejtësinë deri në përfundimin e hetimeve.

Ai ftoi opozitën të mos e politizojë këtë çështjen dhe ta lërë prokurorinë të hetojë për zbardhjen e saj. Gjithashtu, Sterkaj akuzoi ish-drejtorin e KESH-t, Dritan Prifti, ish-deputet i LSI-së, si të përfshirë në këtë çështje, duke e përdorur deputetin Doshi.

“Ky paska qënë një bashkëpunim i ish-drejtorit të KESH-t për të menazhuar paret e shqiptarëve, ndërkohë që Dritan Prifti na ka dalë më i pasuri në Shqipëri”, tha Sterkaj. Ai i kërkoi parlamentit të marrë nismën për të kontrolluar pasurinë e këtyre ish-drejtuesve që kanë në poste të rëndësishme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat