Tension në Kuvend, PD bllokon foltoren (Video)

Shqipëria

Tension në Kuvend, PD bllokon foltoren (Video)

Më: 5 mars 2015 Në ora: 11:02

(E plotësuar) - Deputetët e Partisë Demokratike kanë mbërritur me gjysmë ore vonesë në seancën e radhës, pas mbledhjes së grupit parlamentar.

Që në nisje të diskutimit, kryetari i grupit të PD, Edi Paloka, kërkoi dorëheqjen e Ilir Metës si kryetar i Kuvendit.

Demokratët thonë se nuk do kërkojnë asgjë tjetër përveç shkarkimit të Metës.

“Kupola e mafies është këtu mbrapa,” tha Paloka.

Meta u përgjigj duke thënë se e ka firmosur kërkesën për shkarkim dhe ajo do të shqyrtohet.

“Është turp që qendron akoma në atë karrige. Jep dorëheqjen dhe dil përpara drejtësisë,” tha Paloka, duke shtuar se Doshi e ka akuzuar për vrasjen e tij.

Meta tha se Doshi tashmë është një deputet i PD.

“Mund ta bëni edhe kryetar,” tha Meta.

Pas shkëmbimit të akuzave, deputetët e PD u ngritën në këmbë, duke bllokuar foltoren.

“Zoti Beqja, lajmëroni urgjencën dhe shërbimin e shëndetit mendor,” tha Meta, duke ndërprerë seancën.

“Për Shkëlzen Berishën e kam dhënë njëherë dorëheqjen”
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka folur për dorëheqjen e tij në periudhën e publikimit të videos së Dritan Priftit, kur ishte në aleancë me Sali Berishën.

Duke iu përgjigjur kërkesës së Sali Berishës për të dhënë dorëheqjen, pasi ka “porositur vrasjen e Tom Doshit”, Meta tha: “Për Shkëlzen Berishën e kam dhënë njëherë dorëheqjen, nuk e jap dy herë”.

“Mos u bëj pjesë e komplotit të pularisë me Tom Doshin dhe Dritan Priftin,” tha Meta.

“Kjo alibi që kërkon është e turpshme. Tom Doshin e merrje me helikopter qeveritar ti. Mos e ço vendin drejt atyre situatave që nuk duhet të shkojë,” tha Berisha.

Berisha: E dija prej 3 muajsh. Meta: Po përfundon aksioner pularie
Pas nisjes së seancës së Kuvendit, fjalën e mori edhe ish- kryeministri Sali Berisha, që tha se e dinte skenarin për vrasjen e Tom Doshit para tre muajsh.

“Ky parlament sot ngjet si një zonë krimi. Për fatin tonë të keq dhe të qytetarëve shqiptarë, në këtë parlament nuk flitet gjë tjetër veçse krim, krim dhe vetëm krim. Unë kisha denoncuar disa herë tentativën për eliminimin e Tom Doshit,” tha Berisha.

“Nëse ka ndonjë njeri që ka qenë më agresiv ndaj Tom Doshit, ky është Sali Berisha. Por Sali Berisha është i ligjit. Nuk kërkoj kurrë përveç ligjit asgjë tjetër. Afera e vrasjes ishte mes jush dhe ju nuk po e mbyllni,” vijoi Berisha.

“Kur e dije prej tre muajsh, pse nuk e denoncove,” deklaroi Meta.

“E nise si lider demokracie, po e përfundon si aksioner pularie,” tha Meta, duke shtuar se Berisha mezi po priste vrasjen brenda mazhorancës.

PD kërkon dorëheqjen e kreut të Kuvendit
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi të enjten në seancë plenare se kreu i Kuvendit akuzohet se ka paguar njerëz për të eleminuar dy deputetë të këtij Kuvendi.

“Ne si PD i kërkojmë Metës të japë dorëheqjen dhe të paraqitet para drejtësisë”.

Deklarata e Palokës u bë pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së në selinë blu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat