Meta mbledh grupin parlamentar të LSI-së

Shqipëria

Meta mbledh grupin parlamentar të LSI-së

Më: 5 mars 2015 Në ora: 09:05

Vetëm një ditë pas takimit në kryeministri, kreu i ekzekutivit Rama dhe kryeparlamentari Meta u takuan sërish këtë herë në selinë e Kuvendit. Takimi kokë më kokë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit Meta solli në fokus vijimin e negociatave për ndarjen e zonave dhe kandidatëve për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit.

Menjëhërë pasi mbylli takimin me Ramën, kryeparlamentari Meta mblodhi grupin parlamentar të LSI-së. Pas akuzave të deputetit Tom Doshi, Meta zhvilloi një takim për rreth 1 orë me ministrat dhe deputetët e forcës politike që ai drejton. Ajo që u bë me dije është fakti se ky ka qenë një nga takimet rutinë të grupit parlamentar të kësaj force poltike.

Ndërsa në qendër të diskutimeve ka qenë seanca e sotme parlamentare dhe debatet e forta që priten të ndodhin mes LSI-së dhe Partisë Demokratike. Kjo pasi opozita ka dorëzuar mocion për shkarkimin e Metës, pas deklaratës së Doshit se kreu i Kuvendit ka paguar një person që ta eliminojë atë dhe deputetin demokrat Mëhill Fufi.

Depueti i LSI-së Vangjel Tavo, në përfundim të takimit, tha, në një prononcim të shkurtër për mediat, se takimi ishte për të biseduar mbi rendin e ditës të seancës plenare të së enjtes dhe debatet e forta që priten në parlament pas deklaratave publike të deputetit të përjashtuar Tom Doshi se kryeparlamentari Meta ka paguar për vrasjen e tij.

Takimi vjen vetëm pak orë pas takimit kokë më kokë që pati me kryeministrin Edi Rama me në fokus vijimin e negociatave për ndarjen e zonave dhe kandidatëve për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit. Kjo është e mërkura e katërt që dy aleatët e mëdhenj të mazhorancës takohen, ku ashtu si edhe ne bisedat e mëparshme, në fokus kanë qenë zgjedhjet lokale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat