Shfaqet Fufi: Nuk kam dijeni për atentatin, shteti nuk më mbrojti

Shqipëria

Shfaqet Fufi: Nuk kam dijeni për atentatin, shteti nuk më mbrojti

Më: 5 mars 2015 Në ora: 09:04

Deputeti i Partisë Demokratike Mëhill Fufi thyen heshtjen, duke reaguar publikisht tre ditë pas deklaratave të deputetit të përjashtuar nga Partia Socialiste Tomë Doshi, ku thotë se nuk ka pasur asnjë dijeni se për “kokën” e tij ishin paguar para. Reagimi i deputetit demokrat ishte lajmëruar dy ditë më parë dhe interesi publik për të mësuar qëndrimin e tij ishte i lartë. Por ndryshe nga sa pritej, Fufi nuk është shfaqur në publik, por reagimi i tij ka ardhur në redaksitë e mediave përmes një deklarate zyrtare të shkruar nga Partia Demokratike.

Duke shprehur habi mbi gjithçka ka ndodhur ditët e fundit, Fufi hedh poshtë pretendimet e disa deputetëve dhe të kreut të Kuvendit Ilir Meta se deputeti i Lezhës ka qenë i mbrojtur. “Edhe pse rezulton se Kryeministri, kryetari i Parlamentit dhe ministri i Brendshëm paskan pasur informacione prej 6 muajsh për një plan të eliminimit tim fizik, unë nuk jam thirrur dhe as nuk jam informuar nga asnjë organ apo institucion për këtë skenar. Në këto, hedh poshtë trillimet e bëra nga deputetë të caktuar dhe nga kryetari i Kuvendit, sipas të cilëve më është ofruar mbrojtje fizike”, tha Fufi. Deputeti demokrat ka mohuar gjithashtu se në këtë skenar janë përfshirë njerëz të afërm të ish-kryeministrit Sali Berisha, në rastin konkret kunati i tij Agim Rama.

Më tej ligjvënësi i djathtë i bëri apel drejtësisë të hetojë ngjarjen me objektivitet dhe larg klaneve të pushtetit. “Është shpifje e ulët edhe aludimi sikur në këtë skenar qenkan përfshirë njerëz të afërt me ish-kryetarin e Partisë Demokratike. I bëj thirrje drejtësisë të zbardhë sa më shpejt këtë ngjarje dhe të vendosë para ligjit përgjegjësit. Ngjarja është shumë e rëndë dhe kërkon hetim të thellë objektiv dhe ta painfluencuar nga klanet e pushtetit”, përfundon ai. Pas deklaratës së deputetit të qarkut të Lezhës ka reaguar edhe kryetari i grupit të PD-së Edi Paloka, i cili tha se deputeti Fufi është dashur të njoftohet që po i kërcënohej jeta.

“Asnjë institucion nuk e ka lajmëruar. Minimalisht është dashur t’i bëhej e ditur se po i kërcënohej jeta, edhe sikur informacioni të ishte gënjeshtër". Paloka më tej tha se Partia Demokratike do të kërkojë dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit. “Së pari duhet të ketë dorëheqje nga ministrat dhe së dyti vënie në funksion të drejtësisë. Deri tani nuk po ndodh asnjë nga këto. Ajo që po ndodh është shtrëngimi i drejtësisë dhe vënia nën presion e Prokurorit të Përgjithshëm”, tha deputeti demokrat.

Ndërsa në lidhje me deklaratën e deputetit të LSI-së Spartak Braho se të enjten në Kuvend do të vërë një videoprojektor për të shfaqur surpriza për ish-kryeministrin Berisha, deputeti demokrat tha se historitë e tij janë të njohura. “Me siguri mund të ketë dhe një çantë me shumë kaseta. Historitë e tij janë të njohura nga të gjithë, nuk do të ketë surpriza”, tha Paloka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat