Llalla shkarkon prokurorin e Krimeve të Rënda, Eugen Becin

Shqipëria

Llalla shkarkon prokurorin e Krimeve të Rënda, Eugen Becin

Më: 5 mars 2015 Në ora: 08:04

Dyshimet e Prokurorisë për përfshirje të personave që janë pjesë në administratën shtetërore, në disa ngjarje specifike kriminale në fillim të vitit 2015, kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Gjatë një takimi të mbajtur ditën e djeshme në Prokurori, Adriatik Llalla ka urdhëruar shkarkimin e Eugen Becit nga posti i kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke e ulur atë në detyrë. Me urdhër të Llallës, Beci u transferua në krye të Prokurorisë së Elbasanit. Ndërkohë që në vend të tij, u komandua Adnand Xholi, i cili deri më tani ka mbajtur postin e Drejtorit të Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Në njoftimin e saj zyrtar në lidhje me këto lëvizje, Prokuroria nuk bën me dije se cilat janë ngjarjet ku dyshohet implikimi i personave me detyra në administratën shtetërore. “Pas disa hetimeve të suksesshme nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda gjatë vitit 2014, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kërkon nga kjo strukturë fokusimin në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës publike, të cilat ka dyshime se po ndërthuren me njëra-tjetrën.

Në një takim të zhvilluar ditën e mërkurë me stafin e Prokurorisë për Krime të Rënda, Llalla u shpreh se, në disa ngjarje specifike të ndodhura prej fillimit të vitit 2015, ka dyshime se mund të jenë të përfshirë persona që janë pjesë e administratës shtetërore. Për të dhënë një impuls më të fuqishëm hetimeve në Prokurorinë për Krime të Rënda, Llalla ka prezantuar disa ndryshime në drejtimin e saj, të cilat, në vlerësimin e tij janë dëshmi se Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese dhe me mbështetjen konkrete të partnerëve ndërkombëtarë, po angazhohet maksimalisht për të evidentuar, hetuar dhe dërguar para drejtësisë çdo shtetas, përfshirë edhe zyrtarë të niveleve të larta.

Duke vlerësuar rolin e drejtuesit të deritanishëm të Prokurorisë për Krime të Rënda, Eugen Beci, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi se ka komanduar në këtë pozicion Adnan Xholi, i cili aktualisht është Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Beci komandohet të drejtojë Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, një ndër rrethet me ngarkese të theksuar hetimore.

Në këtë pozicion, ai zëvendëson z. Gent Osmani, i cili do të drejtojë Njësisë Task-Forcë kundër Korrupsionit dhe Hetimit Pasuror në Prokurorinë për Krime të Rënda” thuhej në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat