Bllokohet parku i lodrave në Tiranë

Shqipëria

Bllokohet parku i lodrave në Tiranë

Më: 4 mars 2015 Në ora: 19:48

Edhe pse është marrë leje nga Ministria e Ekonomisë, policia bashkiake ka bllokuar ngritjen e panairit lëvizës të parkut të lodrave për fëmijë, që ndodhet në qendër të Tiranës. INUV dhe policia bashkiake thonë se nuk është marrë leje në Bashkinë e Tiranës për këtë panair, që do zhvillohej nga data 1 deri në 30 mars.

Presidenti i Shoqatës së Lodrave për fëmijë, Bashkim Calliku ka thënë se Bashkisë së Tiranës i është kërkuar leje më 22 janar, dhe se ajo ende nuk ka kthyer përgjigje për këtë kërkesë. Ai deklaroi se duke qenë se është tokë private, leja mund të merrej lehtë nga bashkia, por në mungesë të përgjigjes, aktiviteti i tyre do të pezullohet.

Pavarësisht këtij pretendimi nga ana e Bashkim Callikut, INUV dhe policia bashkiake kanë hequr lodrat e vendosura të rruga e Kavajës, që prej ditës së djeshme. Ky vendim është pritur mirë nga disa kryeqytetas, të cilët banojnë pranë parkut të lodrave.

"Shpëtuam nga lodrat me rastin e vizitës së Papës, tani po i rikthejnë. Ne nuk pranojmë rikthimin e këndit të lodrave. Ka pasur zhurma në çdo orar nga këndi lodrave të mëparshme, ishin shqetësuese. Ne ishim 40 familje që i dërguam peticion kryetarit të Bashkisë, Lulzim Bashës që t'i hiqte", deklaroi një banor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat