“Shpërthen” QKR, s'përballon dot fluksin e kërkesave të biznesit

Shqipëria

“Shpërthen” QKR, s'përballon dot fluksin e kërkesave të biznesit

Më: 4 mars 2015 Në ora: 19:11

Prej disa ditësh në Qendrën kombëtare të Regjistrimeve ka nisur të mbahet “radhë” për të bërë regjistrimin e bizneseve të tyre.

Fotoja e mëposhtme tregon fare qartë radhën e madhe të njerëzve që presin çdo ditë të mbarojnë procedurat në këto zyra. Qytetarët të cilët janë të detyruar të regjistrojnë biznesin e tyre pranë kësaj qendre shprehen se është e pamundur të gjesh një numër për të përfunduar punën aty.

“Këtu ka njerëz që vijnë që në orën 5 të mëngjesit për të marrë një numër e për të mbajtur radhën,” – shprehet një nga personat që pret në radhë.

Qytetarët ankohen se në këto zyra punohet shumë ngadalë pasi atyre u duhet të vijnë që në mëngjes herët të marrin numrat që shpërndan roja e më pas të mund të zënë një vend për të mbyllur procedurat.

Po ashtu qytetarët thonë se brenda orarit zyrtar punonjësit e kësaj qendre nuk arrijnë të përballojnë dot fluksin e kërkesave e megjithatë shpërndajnë më shumë numra nga sa ata mund të punojnë. Brenda një ditë QKR shpërndan deri në 200 numra për të pritur në radhë ndërkohë që maksimumi i bizneseve që regjistron në një ditë është deri në 100 raste.
Pas ankesës së qytetarëve, QKR ka nxjerrë një njoftim në të cilin sqaron se ka një fluks të madh të kërkesave për aplikimin për përditësimin e kodeve ekonomike dhe adresave kryesore e sekondare të bizneseve, dhe për këtë ka vendosur edhe të shtyjë afatin deri më datë 1 prill 2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat